Telegrafi

UEFA vendos: Ja sa skuadra kosovare do të luajnë në Evropë

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e sotme ka vendosur që të japë dritën e gjelbër për përfshirjen e dy klubeve kosovare në garat evropiane.

“Kampioni i vendit dhe fituesi i Kupës mund të pranohen në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës vetëm nëse ata mund të përmbushin kriteret e licencimit sipas nenit 15 të rregullores së UEFA-s për klube”.

“Ky vlerësim do të bëhet nga administrata e UEFA-s deri më 31 maj. Po ashtu, UEFA do të krijojë një grup punues për të diskutuar se si ekipet kombëtare të Gjibraltarit dhe Kosovës do të përfshihen në kualifikimet e Botërorit 2018 pas pranimit të tyre si anëtare të FIFA-s”, thuhet në njoftimin e UEFA-s, transmeton rtklive.com.

Kësisoj, Kosova në edicionin e ri do të mund të paraqitet vetëm me dy skuadra dhe jo tri siç ishte shpresuar dhe atë vetëm nëse arrijnë t’i përmbushin kriteret e kërkuara. Në kualifikimet e Ligës së Kampionëve do të përfshihet Feronikeli, derisa në Ligën e Evropës fituesi i Kupës së Kosovës.

Ndërkohë, Hajvalia si nënkampione e cila kishte shpresuar shumë se do të jetë pjesë e garave evropiane fatkeqësisht mbetet edhe këtë vit pa e shijuar arenën ndërkombëtare.