Site icon Telegrafi

UEFA-Shqipërisë: Mos u shitni bileta kosovarëve!

Në këtë këndvështrim dhe ndoshta edhe për të justifikuar disi gabimin (gafën) e bërë që në short (do kishte qenë më mirë që edhe për Shqipërinë e Serbinë të ishte ndjekur i njëjti rregull sikundër për Spanjë-Gjibraltar dhe Armeni-Azerbajxhan, të cilat nuk do ishin assesi në një grup kualifikues), UEFA i ka sugjeruar/rekomanduar, drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit që të mos u shesin bileta për këtë takim tifozëve nga Kosova.

Gjithë qëllimi ishte që të ulet në minimum rreziku i incidenteve, duke parë edhe historinë e afërt, të dhunshme dhe problematike që ekziston ende mes Serbisë dhe shtetit të Kosovës.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, por që nuk gjen një konfirmim zyrtar, kjo natyrisht edhe për shkak të ndjeshmërisë që prodhon tek tifozët kuqezi në Kosovë një rekomandim i tillë, raporton “Panorama Sport”.

Duhet të theksojmë se udhëzimi është gojor dhe jo-shkresor, në formën e një sugjerimi, ashtu sikundër ka bërë gjithnjë UEFA kur para sfidave të tilla si Serbi- Kroaci, Serbi-Bosnjë, Kroaci-Bosnjë, apo edhe Armeni-Turqi.

Kujtojmë se Kombëtarja shqiptare ka pasur një mbështetje të madhe gjatë gjithë këtyre viteve nga publiku kosovar, edhe për arsyen e thjeshtë se në përbërje ka shumë lojtarë me origjinë nga Kosova, por edhe se kjo e fundit ka qenë nën një izolim (dhe vijon ende të jetë) total sa i përket futbollit ndërkombëtar.

Gjithsesi, mënjanimi i sportdashësve kosovarë nga kjo ndeshje, teorikisht duket i mundshëm, por praktikisht i pazbatueshëm. Federata mund të mos shesë asnjë biletë në pikat e shitjes në Kosovë, por do ta ketë totalisht të pamundur që t’i ndalojë këta të fundit për t’i blerë biletat në Shqipëri, apo nëpërmjet internetit.

Madje, ndalimi i shitjes së biletave për publikun kosovar në Kosovë vetëm sa do rriste abuzimin, pasi me gjasa në këtë rast do lulëzonte “tregu i zi”, aty ku do rrekeshin më shumë tifozët kuqezi nga përtej kufirit për të gjetur një biletë. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version