Site icon Telegrafi

UEFA shkruan për futbollin spontan në Kosovë: “Futbolli i Rrugës” një prej projekteve të FFK-së ku të rinjtë po kënaqen

UEFA ka shkruar për projektin “Futbolli Spontan”, i njohur ndryshe si “Futbolli i Rrugës”, që tashmë ka nisur në vendin tonë.

Shpija e futbollit evropian, shkruan se Kosova ka popullsi me moshë të re, Federata po zbaton projekte për t’i përfshirë të rinjtë në futboll. Po ashtu, rritja e sportit më të pëlqyer në Kosovë dhe në botë është një prej prioriteteve kyç të Federatës së Futbollit të Kosovës. Për këtë arsye, projekti “Futbolli Spontan”, i njohur ndryshe si “Futbolli i Rrugës”, tashmë ka nisur.

Shumë prej lojtarëve të njohur të Kosovës të cilët janë të suksesshëm në skenën ndërkombëtare e kanë treguar talentin e tyre në futboll duke luajtur me shokët e tyre në lagjet ku janë rritur, duke luajtur futboll të rrugës. Prandaj, FFK-ja vendosi që ta zhvillojë këtë format.

Së fundmi, Federata ka përdorur hapësira publike në kryeqytet, në Prishtinë, për t’u ofruar fëmijëve mundësinë për t’u kënaqur me futboll. Përveç argëtimit të fëmijëve, projekti ka synim që të zbulojë dhe të identifikojë talentet e reja.

Qasje më e lehtë në futboll

Bashkëpunimi me institucionet lokale është planifikuar tashmë për t’u gjetur hapësirat adekuate ku fëmijët do të kenë mundësinë për t’iu qasur lojës së futbollit më lehtë.

Përgjatë viteve, kosovarët kanë shprehur dëshirën të luajnë futboll, pavarësisht mungesës së vendeve adekuate. Tani, me mbështetjen e UEFA-s, kushtet po përmbushen për të rinjtë që ta luajnë këtë lojë dhe po krijohen mundësi për gjeneratat e reja ta jetësojnë pasionin e tyre për futbollin dhe ndoshta ta kthejnë atë në profesion. Synimi është të punohet në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve të jetë e ndritur për futbollin.

Exit mobile version