UEFA ka publikuar sot kandidatët që kanë aplikuar për të qenë nikoqir të finaleve të vitit 2019 në gara europiane.
Ndër qytetet që kanë aplikuar për të qenë nikoqir të finales së Superkupës europiane të vitit 2019 në listë është edhe Tirana, me stadiumin Qemal Stafa, që është në renovim e sipër dhe ende nuk ka përfunduar.
Aplikimi është hapur më 9 dhjetor 2016 dhe ka përfunduar më 27 janar 2017, ndërsa lista e kandidatëve që kanë përmbushur kushtet për aplikim dhe që do të jenë në proces të selektimit është publikuar sot.
Fituesit do të shpallen në shtator të këtij viti. Si kundërkandidatë me “Qemal Stafën” për të qenë nikoqir i Superkupës europiane janë paraqitur edhe: Stadium de Toulouse, Tulluz FRA; Florian Albert stadion, Budapesht HUN; Sammy Ofer Stadium, Haifa IZR; Astana Arena, Astana, KAZ; Windsor Park, Belfast, IRL V; Gdansk Arena, Gdansk, POL; Stadion Narodowy, Varshavë, POL; Hampden Park, Gllasgou, SKO; Besiktas Arena, Stamboll TUR.
Nikoqir i Superkupës europiane për këtë vit është Shkupi, me stadiumin Filipi II. Ndeshja e Superkupës zhvillohet mes fituesit të Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës.