Site icon Telegrafi

UEFA po prezanton një sistem të ri të VAR-it në Euro 2024

Në Kampionatin Evropian të ardhshëm do të prezantohet një risi në lidhje me sistemin VAR, ku gjyqtarët do të shpjegojnë çdo vendim që merret. 

Domethënë, pas marrjes së vendimeve me ndihmën e VAR-it, shikuesve në televizion, si dhe atyre në stadium, do t’u shfaqet një shpjegim pas çdo vendimi.

“Kjo është diçka e re dhe mendoj se është shumë, shumë interesante. Pas opinionit të VAR-it, ne duam t’i ofrojmë publikut një shpjegim teknik. Eksperti i UEFA-s do të përgatisë shpjegime për atë që ka ndodhur në situatat e diskutueshme njëkohësisht me rishikimin e VAR”, deklaroi kreu i gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rossetti.

Tutje, i pari për gjykim në UEFA, tregoi se si do të funksionojë në ndonjë rast të veçantë.

“Për shembull, pas rishikimit, gjyqtari akordon një penallti për lojë me dorë. Shpjegimi teknik do të ishte: ‘Numri nëntë gjerman preku topin me dorën e tij të majtë, e cila ishte në një pozicion të panatyrshëm mbi shpatullën e tij dhe rriti perimetrin e trupit të tij'”, tregon Rossetti.

Qëllimi i UEFA-s është të rrisë transparencën në vendimmarrje dhe të heqë të gjitha paqartësitë pasi ato të jenë bërë.

Lexo po ashtu Simulimi i vitit në ndeshjen Poloni-Turqi: Pawel Dawidowicz bie si prej qielli

Gjyqtarët gjithashtu do të jenë të detyruar t’i shpjegojnë vendimet e tyre kapitenëve të ekipit, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë do të ndëshkohen me karton të verdhë për çdo formë kundërshtimi ndaj gjyqtarit. /Telegrafi/ 

Exit mobile version