Drejtori për çështje ligjore në UEFA, Alasdair Bell, ka vazhduar ta mbrojë Kosovën edhe pas pranimit në të dhe paralajmërimit për padi nga Serbia, raporton KTV.
Duke qenë njohës i mirë i çështjeve ligjore, Bell ka thënë se UEFA është e qetë përballë kërcënimit të Serbisë.
“Mund të ketë një apel në CAS, po e them këtë nga aspekti ligjor. Kjo nuk është diçka që ne kemi frikë, sepse ne këtu kemi marrë një vendim demokratik për një çështje sportive”.
“Pyetja e parë ishte nëse Kosova i plotëson kushtet për t’u bërë anëtare e UEFA-s dhe përgjigjja, sipas nesh, ishte ‘PO’”.
“Pyetja e dytë ishte nëse shtetet anëtare e donin Kosovën pjesë të UEFA-s dhe ato sot votuan ‘për’. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me çështje ligjore, por kjo nuk më shqetëson në aspektin ligjor”, ka thënë Bell.