Telegrafi

UEFA nuk dëshiron që ndeshjet e Kosovës të ngjallin probleme politike

UEFA ka vendosur se do të marrë masa ekstra për të siguruar që pranimi i Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit të mos shkaktojë probleme politike.

Instituti më i madh i futbollit në Evropë ka vendosur të mërkurën që fituesi i ligës dhe ai i Kupës të marrin pjesë në kualifikimet për “Champions” dhe Europa League si dhe ka sugjeruar që lojtarët shqiptarë që luajnë për kombëtare tjera nuk mund të ndërrojnë ambient dhe të luajnë për Kosovën.

UEFA ka krijuar një ekip që vlerëson se cilat shtete mund të mos dëshirojnë të luajnë me Kosovën dhe ka theksuar se një nga to është padyshim Serbia.

“Ne gjithmonë duhet të marrim masa për të parandaluar përplasje të mundshme”, ka thënë udhëheqësi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm Theodore Theodoridis. “Një nga to është Serbia, por kemi çështje tjera ku mund të ketë probleme”, transmeton koha.net.

UEFA më parë kishte marrë masa të ngjashme edhe për Spanjën dhe Gjibraltarin, Rusinë dhe Gjeorgjinë, Azerbejxhanin dhe Armeninë, skuadrat e të cilëve nuk u përballën mes vete.

Më 3 maj Kosova u pranua në UEFA, ndërsa dhjetë ditë më vonë edhe në FIFA.

Kosova si kombëtare do të bëjë debutimin zyrtar në shtator në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018, ndërsa klubet tani pritet të shihet se a plotësojnë standardet e kërkuara nga UEFA.

Dyshimi tjetër është nëse Kosova ka të drejtë të marrë lojtarët që kanë luajtur për kombëtare tjera.

Sipas rregullave të FIFA-s, një gjë e tillë nuk është e mundur, por për Kosovën ka pasur spekulime se mund të bëhej një përjashtim.

Megjithatë, përfaqësuesi juridik i UEFA-s ka bërë të ditur se “indikacionet preliminare” thonë se kjo nuk do të bëhet as me Kosovën.

“Indikacionet e para janë se nëse një lojtar ka luajtur për Zvicrën, dhe kishte edhe nënshtetësinë e Kosovës, ai nuk do të jetë në gjendje të ndërrojë kombëtaren”, ka thënë ai.

Kjo më së shumti prek kombëtaren shqiptare dhe atë të Zvicrës ku luajnë disa shqiptarë me prejardhje nga Kosova.