Zyrtarë të kampionit të Kosovës në futboll, Ferronikeli, dhe dy klubeve finaliste të Kupës së Kosovës, Prishtinës e Dritës, gjatë gjithë ditës së enjte kanë raportuar para zyrtarëve të UEFA-s, detyrë e të cilëve është të mbledhin shënimet nga gjendja në terren para se të bëhet licencimi i klubeve për gara në Evropë.
Zyrtarët e UEFA-s do të inspektojnë këto tri klube edhe gjatë së premtes, shkruan Koha Ditore.
Ardhja e zyrtarëve të UEFA-s në Kosovë, u bë një ditë pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Shtëpisë Evropiane të Futbollit, që lejoi dy klube kosovare të marrin pjesë në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Në kualifikimet e Ligës së Kampionëve do të luajë Ferronikeli, kurse në ato të Ligës së Evropës fituesja e Kupës, Prishtina ose Drita.
Por, për të plotësuar kriteret qoftë edhe minimale, klubeve u kanë mbetur edhe 12 ditë kohë. Në fund të muajit maj, UEFA do të bëjë të ditur nëse klubet kanë kushte për licencë evropiane.
Drejtori i Ferronikelit, Artan Berisha, ka treguar se dy zyrtarët e UEFA-s kërkonin çdo detaj që ka të bëjë me klubin. Ai tha se për klubet e Kosovës u është thënë se do të ketë tolerancë në kriteret për licencim, meqë janë vonë më kohën.