Telegrafi

UEFA kritikon ashpër Serbinë

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Serbisë, lidhur me përzierjen e politikës dhe politikanëve në futboll.

Ankesa e fshehtë diplomatike e UEFA-s për Federatën serbe u bë për shkak se për pranimin e Kosovës në UEFA kanë folur zyrtarë qeveritarë të Serbisë, ka njoftuar gazeta serbe “Veçenje Novosti”, të enjten.

“Këtë UEFA e ka interpretuar si veprim jologjik dhe përzierje direkte të politikës në sport”, ka shkruar gazeta serbe, përcjell Koha Ditore.

Serbët kanë kundërshtuar ashpër pranimin e Kosovës gjatë dhe pas Kongresit të UEFA-s. Por të enjten në një takim që ka mbajtur Këshilli për Çështje Urgjente i Federatës serbe, nuk është njoftuar të jetë diskutuar për Kosovën, megjithëse më herët ishte paralajmëruar se do të diskutohej edhe për atë.

Ndërkohë ka pasur reagim nga Republika Srpska që ka kërkuar të fitojë të drejtën të luajë ndeshje miqësore me përfaqësuesen saj.