Shtatë muaj pas sinjalizimit të kompanisë së monitorimit të kuotave dhe parave në basteve sportive, “Federbet”, kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut, nuk janë më thjesht të dyshuar, por ndaj tyre është hapur një hetim nga UEFA.
Prej ditës së martë, presidenti i skuadrës korçare, Ardjan Takaj dhe drejtori sportiv i klubit Haris Fakic ndodhen në Gjenevë, ku jo vetëm po diskutohet, por edhe pritet një vendim i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s për disa ndeshje të dyshuara si të fiksuara.
Në një komunikatë për shtyp të publikuar në faqen e saj, skuadra korçare konfirmon një gjë të tillë duke shtuar veç ndeshjeve në Evropë edhe disa të kampionatit shqiptarë si me Partizanin, Tiranën, Teutën dhe Vllaznisë.
Francesko Branka, Sekretari i Përgjithshëm i Federbet në muajin tetor të vitit të shkuar përmendi ndeshjen e fazës së grupeve të kupës Europa League, mes Sportingut të Lisbonës dhe Skënderbeut që përfundoi me rezultatin 5-1.
Për atë ndeshje raporti i “Federbet” thotë se në pjesën e dytë kryesisht, ka pasur një fluks bastesh se do të shënoheshin shumë gola.
Në të vërtetë, pjesa e parë përfundoi 2-0 në favor të skuadrës Portugeze dhe në pjesën e dytë u shënuan 4 gola të tjerë, 3 për portugezët dhe një Skënderbeu në minutën e fundit.
Një tjetër ndeshje e veçuar, ishte ajo e turit kualifikues për Ligën e Kampionëve, mes skuadrës nga Irlanda e Veriut Krusaders dhe Skënderbeut. Të dyja përballjet mes tyre, sipas Federbet kanë pasur lëvizje të çuditshme të koeficienteve dhe shumave të parave që shkonin nga një në tre milionë euro.
Megjithatë këto ndeshje të përmendura u konsideruan thjesht si maja e ajsbergut për trukimin e përballjeve në Evropë nga kompania “Federbet”, nga ana tjetër gjithçka u duk se kaloi në heshtje.
Por 7 muaj më pas, në një heshtje të çuditshme, drejtuesit më të lartë te klubit korçar ndodhen në Gjenevë për të ndjekur çështjen nga afër dhe marrja e dy avokatëve për t’u mbrojtur për hapin e parë të drejtësisë sportive, atë të komisionit të disiplinës së UEFA-s, por ndoshta edhe më pas në Arbitrazhin Sportiv në Lozanë.
Komisioni i disiplinës së UEFA-s pritej të reagonte të mërkurën, ndërkohë që duket se për momentin do të ketë një shtyrje të përkohshme të zbardhjes së këtij vendimi.