UEFA ka vendosur për paratë që do të shpërndajë për Kombëtaret pjesëmarrëse në Euro 2020 dhe gjitha premitë tjera për çdo arritje.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA ka vendosur që shuma që do t’u shpërndahet si premitë skuadrave pjesëmarrëse në finalet e Euro 2020 të jetë 371 milionë euro, një shumë kjo rreth 23% më e lartë se shifra që u shpërnda për 24 finalistet në Euro 2016.
Mekanizmat e shpërndarjes në bazë të meritës sportive do të jenë si më poshtë:
Çdo skuadër pjesëmarrëse në finalet e Evropianit do të përfitojë automatikisht 9.25 milionë euro. Gjatë fazës së grupeve, për çdo fitore shpërblimi do të jetë 1.5 milionë euro, ndërsa për barazimin 750 mijë euro.
Në fazën e 1/8-ave, skuadrat pjesëmarrëse do të marrin nga dy milionë euro, ato që kalojnë në çerekfinale do të përfitojnë edhe 3.25 milionë euro të tjera, ndërsa për kualifikimin në gjysmëfinale shpërblimi shkon në pesë milionë euro.
Finalja e “Euro 2020” do të luhet në “Wembley” të Londrës dhe skuadra që do të ngrejë trofeun do të përfitojë një shpërblim prej 10 milionë eurosh, ndërsa ekipi finalist do të përfitojë shtatë milionë euro. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se skuadra kampione e Evropës do të arkëtojë në total 34 milionë euro.
Këto premitë janë mjaft stimuluese edhe për një Kombëtare me buxhet të kufizuar si e Shqipërisë, që nëse arrin të kualifikohet në Euro 2020 përfiton vetëm si pjesëmarrëse 9.25 milionë euro.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi gjithashtu fondin prej 775 milionë eurosh për programin e zhvillimit të futbollit “Hattrick”, për periudhën 2020-2024. Secila prej federatave anëtare të UEFA-s, mes të cilave edhe ajo shqiptare, do të sigurojë 14.1 milionë euro në 4 vitet e ardhshme nga ky program i UEFA-s. /SS/