Telegrafi

UEFA e bindur se në “Euro 2016” nuk pati kurdisje

“Euro 2016” ka kaluar pa shqetësimin më të vogël sa i përket kurdisjes së ndeshjeve dhe bastvënies ilegale, ka thënë UEFA.

Trupi qeverisës i futbollit evropian para se të fillonte Kampionati Evropian në Francë, ka prezantuar një sërë masash për ndershmërinë, në mënyrë që të frenojë çdo shqetësim të mundshëm, përcjell Koha Ditore.

Zyrtarëve të ndeshjeve u kanë dhënë udhëzime në një seminar përgatitor për t’u ndihmuar atyre që të përballen me problemet e mundshme, përfshirë edhe qasjen me individët që përpiqen të kurdisin një ndeshje. Po ashtu, edhe 24 skuadrave pjesëmarrëse, UEFA ua ka ndarë nga një doracak të ngjashëm para se të udhëtonin për në Francë.

UEFA ka monitoruar vazhdimisht të gjitha bastet që janë vendosur për ndeshjet e “Euro 2016” në mënyrë që të mos ketë ndonjë parregullsi. Këtë kontrollim të bastvënies, UEFA e ka bërë nëpërmjet sistemit për zbulimin e mashtrimeve nëpër baste.