Telegrafi

UEFA bën një ndryshim të madh në Euro 2024 pas incidentit që përfshiu Ronaldon

UEFA po bën një ndryshim të madh në protokollin e tyre të Euro 2024 pas një serie incidentesh që përfshinë hyrjen e tifozëve në fushë, veçanërisht në ndeshjen mes Turqisë dhe Portugalisë ku cak i tyre ishte Cristiano Ronaldo.

Portugalia e mposhti Turqinë me rezultat 3-0 në Dortmund të shtunën, falë golave të shënuar nga Bruno Fernandes, Bernardo Silva dhe një autogol i Samet Akaydin.

Ronaldo i cili po luan për herë të gjashtë në një edicion të Kampionatit Evropian nuk hyri në listën e golashënuesve, por dhuroi një asistim tek goli i tretë i shënuar nga Fernandes.

Portugalia ka fituar që të dyja ndeshjet, që do të thotë se ata kanë siguruar automatikisht kualifikimin në fazën me eliminim të Euro 2024.

Lexo po ashtu Ronaldo thyen një tjetër rekord në Euro 2024 – bëhet asistuesi më i mirë në histori të kësaj gare

Por pas ndeshjes vëmendja u zhvendos nga futbolli dhe u fokusuar tek një numër fansash që kishin “pushtuar” fushën. Pesë tifozë, në pesë intervale të ndryshme kohore vrapuan brenda fushës në përpjekje për të bërë foto me Ronaldon.

Pas kësaj ndeshje ka reaguar UEFA, të cilët përmes një njoftimi kanë bërë të ditur ashpërsimin e masave disiplinore.

“Siguria në stadium është prioriteti kryesor për UEFA-n dhe Euro 2024. Për këtë arsye, masa shtesë të sigurisë do të vendosen në stadiume për të përmbushur kërkesat e garës dhe për të parandaluar incidente të tilla”.

“Për arsye sigurie, ne nuk mund të komentojmë masat e tjera specifike. Për rikujtim, çdo hyrje në fushë përbën shkelje të rregullave dhe si rezultat do të përjashtohet nga stadiumi dhe do të dënohet për mospjesëmarrje në garat evropiane si dhe ndaj atyre personave do të paraqitet një ankesë formale për shkelje të rregullave”, thuhej në njoftimin e UEFA-s./Telegrafi/