UEFA ka njoftuar një seri takimesh javën e ardhshme për të diskutuar mbi zhvillimet në garat vendase dhe evropiane mes raporteve për një ‘Final Eight’ në Ligën e Kampionëve.
Futbolli është ndalur në të gjithë kontinentin tash e një muaj për shkak të pandemisë së coronavirus, por Spanja, Italia dhe Gjermania po përpiqen të rifillojnë stërvitjen që nga fillimi i majit.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të takohet përmes videokonferencës të enjten e ardhshme më 23 prill për të përditësuar dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në lidhje me ndikimin e shkaktuar nga shpërthimi i coronavirusit në futbollin Evropian”.
“Ky takim do të pasojë një seancë informuese për Sekretarët e Përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-së të martën më 21 Prill”.
“Takimet do të shqyrtojnë zhvillimet në të dy garat: vendase dhe evropiane”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Është raportuar në shumë gazeta se nuk ka kohë për të përfunduar Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, kështu që ata do të duhet të ndryshojnë format.
Skenari më i mundshëm është një turne i ‘Final Eight’, kështu që ndeshjet e mbetura të eliminimit direkt, të gjitha do të zhvilloheshin në të njëjtin qytet (Stambolli për Ligën e Kampionëve, Gdansk për Ligën e Evropës).
Këto do të luheshin në fund të korrikut ose në fillim të gushtit, pasi të jenë përfunduar kampionatet vendase. /Telegrafi/