Telegrafi

Ueb faqet serbe, shesin pulla postare kosovare te falsifikuara

Bazuar në një njoftim zyrtar të PTK-së, pullat e falsifikuara, janë lehtë të dallueshme nga ato origjinalet ngaqë nuk janë të rrethuara me perfor (prerja dhëmbëzore e pullave).

“Një ndër ueb faqet e shfrytëzuara për shitjen e këtyre pullave të falsifikuara postare është edhe ajo e Ebay ( http://cgi.ebay.com ) si dhe ajo e Serbian Stamps”.

PTK po ashtu ka njoftuar se, këto pulla të falsifikuara, që shiten në emër të Republikës së Kosovës, shiten përmes metodave të pagesës Ebay, Paypal dhe Moneybookers.

“Duhet theksuar, se në mesin e pullave të falsifikuara postare, ka dhe pulla origjinale, të cilat koleksionarë të ndryshëm i kanë blerë dhe i shesin në mënyrë të ligjshme”.

PTK ka vlerësuar se me falsifikimin e pullave postare të Republikës së Kosovës, të cilat paraqesin identitetin e kombit shqiptar, e që janë ambasadorë të denj në botë, dëmtohet rëndë jo vetëm biznesi i Postës së Kosovës por edhe imazhi i vendit tonë, anekënd botës.

“Posta e Kosovës, njësi biznesi e PTK Sh.a., është institucioni i vetëm, i licencuar për lansimin dhe shitjen e të gjitha pullave postare. Të gjithë koleksionuesit dhe të interesuarit për blerjen e pullave origjinale postare, mund t’i gjejnë ato në të gjitha pikat e shitjes së PTK -së në mbarë Republikën e Kosovës”. /Telegrafi/