Yousuf Tushar e ka dokumentuar udhëtimin e trenave në Dhaka të Bangladeshit, ku pasagjerët duhet të hipin edhe sipër tyre.
Në fotografitë e publikuara nga 33-vjeçari, shihen udhëtarët që mundohet të ngjiten afro tre metra dhe të gjejnë një vend në tavan, meqë pjesa e poshtme është mbushur, transmeton Telegrafi.
As ata që kanë qenë me fat të hyjnë në pjesën e poshtme nuk janë rehat, sepse karriget janë hequr për të zënë më shumë dhe vendi është përplot.
“Kjo situatë është në mëngjes dhe në mbrëmje, kur njerëzit shkojnë në punë, shkollë apo angazhime tjera, ndërsa kthehen më pas në shtëpi”, ka thënë Tushar lidhur me rastin.
“Pasi kjo është mënyra e vetme e transportit, ata sakrifikojnë të rrëzohen, vetëm që të shkojnë në punë”.
Madje, kjo gjendje është në kryeqytetin e vendit, ku sistemi i hekurudhave konsiderohet të jetë më i mirë.
“Situata edhe më e rëndë është në qytete tjera, kur ka raste që treni nuk shkon për ditë të tëra. Askush nuk interesohet për ata që duhet të ecin në këmbë”, ka shtuar më tutje fotografi.
Pasi i ka marrë imazhet ku shfaqet udhëtimi i pazakontë, Tushar ka hipur edhe vet sipër trenit që lëvizte me 40 kilometra në orë dhe është nisur për në shtëpi. /Telegrafi/