Site icon Telegrafi

Udhëtimi me tren është ulur për 12.69 për qind

Në territorin e Kosovës janë 333 kilometra binarë hekurudhorë për transport dhe 110 binarë hekurudhorë privatë (të udhëtarëve), derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh, bënë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e statistikave të transportit dhe telekomunikacionit për tremujorin e tretë të këtij viti (TM3 – 2015).

Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2015 numri i pasagjerëve, që e kanë shfrytëzuar trenin, si mjet udhëtimi është 66 mijë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014, numri i udhëtarëve është ulur për 12.69 për qind.

Ndërsa, transporti i mallrave me tren në tremujorin e tretë të vitit 2015 është 173 mijë tonë. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur ulje për 45.64 për qind, transmeton Kosova Live.

Numri i fluturimeve në tremujorin e tretë të vitit 2015 është 2,150 ose 11 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 – 2014).

Ndërsa, numri i udhëtarëve, që e kanë shfrytëzuar aeroplanin, si mjet transporti, është rreth 541 mijë. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 – 2014) ka rritje për 14.59 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version