Site icon Telegrafi

Udhëtim nëpër fjalorin e Kosovës

Nga: Qemal Murati

Kosovarishtja si etnolekt dhe korpuse leksikore

1.Kur flitet për të folmet e Kosovës dhe për fjalësin e këtyre të folmeve janë krijuar e dalin të përdoren edhe termat kosovarishte dhe kosovarizëm. Por, ç’janë në thelb këta terma?

Termi kosovarishte dhe kosovarizëm janë përdorur nga gjuhëtarët për të shënjuar disa zgjidhje gjuhësore karakteristike për trevën e Kosovës. Kosovarishtja nuk është dialekt në kuptimin e mirëfilltë. Ajo mund të cilësohej si një lloj etnolekti, veçoritë e të cilit janë formësuar në mjedisin e veçantë gjuhësor kosovar dhe jokosovar, ku brenda kodit gjuhësor të njësuar kryqëzohen ndikimet e të folmeve të ekstremit verior, verilindor e lindor të gegërishtes dhe ndikimet e serbishtes dialektore e të përbashkët. Me kosovarishte kuptohet varianti letrar i shqipes së përbashkët ashtu siç zbatohej jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni dhe te shqiptarët e Malit të Zi.

Hyrja e këtyre elementeve në ligjërimin e gjuhës letrare është rrjedhojë e shtimit të kontakteve të bashkësive folëse brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Aftësia e kosovarishtes për të ndikuar në ligjërimin letrar shqip është përcaktuar nga zgjidhja që gjuhëtarët kosovarë i dhanë problemit të gjuhës së përbashkët para dhe pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Duke pranuar të njëjtin kod gjuhësor me trungun kryesor shqiptar, ata lehtësuan me këtë mënyrë komunikimin e dyanshëm dhe u bënë gjatë këtij procesi jo vetëm marrës, por edhe dhënës. Është pikërisht ekzistenca e këtij kodi të njëjtë që mundëson hyrjen e zgjedhjeve karakteristike kosovare. Nga krejt marrëdhëniet e këtij komunikimi të dyanshëm, ajo që del fituese duke u pasuruar është gjuha shqipe (Spiro 2010:19).

Në rrafshin dialektor e leksikor, brenda idiomës së kosovarishtes ka tipare dalluese të qenësishme nga njëri regjion në tjetrin, prandaj nuk mund të flitet për një lloj kosovarishteje unike, por për disa kosovarishte ose, së paku, për 10-12 kosovarishte, që në bërthamën e vet janë ruajtur pothuajse të konservuara deri në ditët e sotme.

Gjuhës dhe të folurit i ka kushtuar rëndësi shumë të madhe edhe Oda e Kosovës. Nga mënyra për mençurinë e të folurit, përdoren shprehje të tilla: Shkodrani e ka fjalën në gjuhë (ta jep përgjigjen menjëherë), Rrafshi i Dukagjini në xhep, kurse Rrafshi i Kosovës në shtëpi. Apo: “Gjakovarët i kanë fjalët në majë të gjuhës, ta japin përgjigjen në vend, e drenicakët i kanë fjalët në bark e, pasi shkojnë në shtëpi, u bie ndërmend se çka është dashur të flasin” (Anekdota 1987:111). Mjaft karakteristikë në ligjërimet e Kosovës është dhe të folurit me rrotulla, që diku i quajnë dhe me shaka e me rrunxosa.

Popullsia e Kosovës, e ndodhur në mengenenë e pushtuesve të huaj dhe e kërcënuar veçanërisht nga serbishtja, ka kultivuar gjithmonë dashurinë më të madhe për gjuhën e vet amtare si mbrojtëse e qenësisë së saj kundrejt gjuhës së huaj. “Gjuha e vet gjithkujt i duket ma e amël se gjuha e huej”, e “Gjuha e huej të lidh në kuj” – thotë populli i Kosovës. Kujdesi për gjuhën e nënës është treguar edhe në anekdota popullore. Në odën kosovare të Drenicës folkloristi Mehmet Rukiqi ka regjistruar një anekdotë të tillë:

Tahir Berishën, me ni muhabet e kishin pasë vetë:

– Pse po thuhet guha a nanës e jo guha e babës?

– Se pej nanës, thmia i mëso fjalët e para; nana asht gjithmonë ngat shpie; se kurrë s’e përzien guhën me fjalë t’hueja; a babën kah s’e çet puna. Aj e ka dynjanë n’sy. Flet me kamos, edhe e përzien guhën me fjalë t’hueja” (Krajkovë, Drenicë, Rukiqi 2012: 216).

Tiparet dallimore leksikore e morfologjike

2.Fjalori i të folmeve shqipe të Kosovës ka karakter të mëvetësishëm, që e dallon atë nga arealet e tjera gjuhësore të shqipes. Por, krahas fjalësit uniform, ka edhe disa veçori me karakter përveçues të brendshëm, leksema që dalin të përdoren me variante të ndryshme fonetike në rajone të ndryshme të Rrafshit të Kosovës dhe në atë të Rrafshit të Dukagjinit.

Ligjërimet e Kosovës përbëjnë një unitet të veçantë në kuadër të diversitetit dialektor të shqipes. Dialektgjeografikisht u takojnë të folmeve të gegërishtes verilindore, por me pjesëmarrje edhe të tipareve gege veriperëndimore (areali i Rugovës). Në këtë areal të fshatrave të krahinës së Rugovës, afër Pejës, fshatra që mbajnë emrat Shkrel, Bogaj etj. janë formuar prej të ardhurve të rajoneve malore të Shkodrës. E folmja e banorëve të tyre (kryesisht e brezit të vjetër), deri më tani ruan karakteristikat themelore të së folmes së veriperëndimit, të malësorëve të Malësisë së Madhe (diftongu ua, shkua; o kjn; kalimi mb = p, nd = t, kalimi i kl = ki, etj. ), edhe pse gjendet nën ndikimin e të folmes së popullsisë përreth Kosovës.

Linguistikat areale të Kosovës

3.Rajonet edhe qytetet e Kosovës dallojnë shumë për nga e folura e tyre. Përveç ndarjes së saj në dy tërësi të mëdha, Rrafshit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, që dallojnë edhe gjuhësisht, Kosova ndahet dhe në zona a krahina të tjera të veçanta etnografike me tipare specifike gjuhësore:

1.Drenica (krahinë etnogjeografike në pjesën qendrore të Kosovës dhe vatër e njohur e rezistencës kombëtare) nga popullata e vendit zona e Drenicës njihet më tej me dy emërtime:

  1. a) Drenica e Pashës, që zë pjesën juglindore (përfshin 18 fshatra); dhe
  2. b) Drenica e Kuqe (62 fshatra), të cilat dallohen edhe me karakteristika etnopsikologjike. Drenica e Kuqe e konsideron veten si më luftëtare nga Drenica e Pashës, sepse ia ka kthyer fjalën dhe armën pashës (sundimtarëve turq);

2.Gallapi (krahinë etnogjeografike në anën lindore të Kosovës. Ka mbi 100 fshatra;

3.Anamorava (Morava e Poshtme dhe Morava e Epërme), areale edhe këto me dallime ndërmjet vete;

4.Llapi – krahinë etnogjeografike dhe vatër e rezistencës kombëtare. Ka rreth 70 fshatra;

5.Podguri – krahinë etnogjeografike e anës veriore të Rrafshit të Dukagjinit;

6.Reka – krahinë etnogjeografike e Rrafshit të Dukagjinit, me rreth 80 fshatra, e njohur për rezistencë kombëtare;

7.Reka e Keqe – krahinë e vogël etnogjeografike e Rekës së Rrafshit të Dukagjinit;

8.Rugova – krahinë etnogjeografike, zonë malore në Alpet Shqiptare, që shtrihet deri afër Pejës e Rrafshit të Dukagjinit dhe kufizohet me krahinën e Plavës e të Gucisë;

9.Lugu i Baranit – areal mes rrjedhës së poshtme të Lumbardhit të Pejës (Bistricës së Pejës), në veri, Lumbardhit të Deçanit (Bistricës së Deçanit), në jug, dhe Drinit të Bardhë në lindje, me karakteristika të veçanta linguistike.

10.Krahina e Dushkajës – zonë etnogjeografike (me 26 fshatra) në pjesën lindore të Dukagjinit Qendror, në kufi me Lugun e Baranit. Mes Lugut të Baranit dhe Dushkajës ka dallime të dukshme gjuhësore. Lugu i Baranit përdor togun ue: ka shkue, ka punue, kurse ana e Dushkajës: ka shku, ka punu. Në fshatrat e Lugut të Baranit thuhet: po shkoj en shpi, po shkoj en Pejë, ura nurit, ana e Dushkajës: po shko n shpi, po shkon n Pejë, ura gurit. Dallime vërehen edhe brenda fshatrave të Dushkajës. P. sh., në Bardhaniq thonë: sha llahin (pasha Allahun), sha zotën (pasha Zotin), në fshatrat e tjera: pasha Allahin, pasha Zotin.

11.Shala e Bajgorës – krahinë etnogjeografike në anën veriore të Kosovës, me rreth 30 fshatra, e njohur edhe për rezistencë kombëtare (Neziri 2004:251).

12.Prizreni – po ashtu dallon me specifikat e veta gjuhësore e leksikore, e posaçërisht me krahinat e Gorës dhe të Opojës. Banorët e këtij areali dallojnë edhe në veshjet popullore, traditat, ritet, zakonet dhe folklorin.

13.Anadrinia (Podrimja) – ka një theksim të hollë të zanoreve dhe një të folme karakteristike që njihet si e folmja e Rahovecit.

14.Krahina e Hasit – po ashtu flet një idiomë pak më ndryshe nga të tjerat.

Në ligjërimet e arealeve të Kosovës vihen re disa karakteristika shumë të ndryshme nga njëra-tjetra:

Gjakovarët flasin me sh: Sha bone? Sha ki? Arealet e tjera të Kosovës: shka bâne, shka ki? Në të folmen e qytetit të Gjakovës përdoren: en skejt, en xhyst, en midist, en mujt, en javt, en funt (për në skaj, në gjysmë, në midis, në çdo muaj, në çdo javë, në fund). Qytetari i Gjakovës shqipton një tip të ndërmjetëm të r-së, me artikulimin e të cilit maja e gjuhës bën më pak se për rr, por më shumë se për r.

Pejanët – e kanë zakon t’u shtojnë disa fjalëve një b ose d homorganike: zembër (zemër), e shtunde (e shtunë), shpinda (shpina), zembra (për zemra), mbarre (marre). Përdorin r për rr: ruga, buri. Dhe rr për r: grruja (për gruaja). Peja nuk e përdor fjalën bac e bal të gjithë kosovarishtes. Babës i thonë tad-a, kurse në vend të dadë përdorin tat-a. Në ligjërimin e këtij qyteti përdoren me denduri disa emra femërorë me prapashtesën – ka: Sanka (për Sanija), Satka (Sadija), Samka, si dhe një numër më të madh të turqizmave: Dollma (Pejë) – speca t’mushun (Lugu i Baranit), si shprehje e një qytetarie kundruall katundarisë rreth e rrotull.

Dushkaja e Rrafshit të Dukagjinit përdor: Shabâ(n) Kapuçi, Shabâ(n) Rama, Hasâ(n) Kadrija, Hysê(n) Rexha, me â dhe ê hundore dhe me shqiptim të n-së fundore të rrëgjuar.

Drenicasit përdorin format foljore: ishum, kishum, bindshum (për ishim, kishim, bindshëm). Pastaj: ka thô, ô kô (për ka thënë, ka qenë).

Gjilaniasit dj e g i shqiptojnë me gj: gjemt e hanë gjathin me gjishta.

Llapjanët flasin me ö: möll, shköll, pö.

Prizreni përdor shprehjet: a po dish, a po vish, a po hajsh, a po pish.

Në Prizren gjuha është një mish-mash mes shqipes dhe turqishtes. Qepës pa pikë problemi i thuhet edhe kepi. Flasin pa parafjalë e pa nyje të përparme. Kur e pyet prizrenasin “venali” prej nga je? Ai të përgjigjet: Prizrenit. – Ku po shkon? – Prizren.

Skenderaj. Edhe në Skenderaj i përdorin ato pö-jat me ö me dy pika. Por kanë edhe shprehje të tjera më tipike. Rasti më eklatant atuh ku kjo h-ja gati sa nuk dëgjohet.

Prishtina, si dëgjohet të thuhet, flet “muhaxherçe”, sepse është një areal shumë i përzier. Ajo është shndërruar në një “melting pot” (tenxhere e shkrirjes) për idiomat e Kosovës.

Dallime dialektore shfaqen edhe brenda një areali të caktuar:

Në Moravën e Epërme të Gjilanit thuhet: Prit, tash po vi, kurse në Moravën e Poshtme: Prit, shti po vi.

Ndërkaq, edhe brenda një fshati vërehen dallime dialektore. Në fshatin Vërban të Vitisë, Mëhalla e Veshve përdor: Ka ra brymë, kurse Mëhalla e Jasharëve: Ka ra brîm (komunikim i Nezir Selmanit).

Në këtë aspekt, leksiku i të folmeve të Kosovës paraqet interes të veçantë si për zhvillimin historik dialektor të shqipes, si dhe për studime fonetike, morfologjike, semantike, etimologjike, për hulumtime të interferencave leksikore ndërkulturore me serbishten, turqishten, arumanishten, romishten etj.

Fonetizma dhe morfologjizma arkaike

4.Në korpusin leksikor ndeshim: delme, zjarm, dhez; krymyll sh. krymell-t “kërmill”; fjalëformime dhe shtresa fjalësh prej burimesh të ndryshme – gurrës vendore dhe asaj të huaj. Hasim dhe njësi leksikore dhe elemente të larmishme të fushës etnografike dhe etnokulture, si: burrneshë, noraxhi, nore (me), n’t’panë, n’zjarm, djalë n’tënzonë “djalë i adoptuar”; arkaizma si hashan “bariu i dhenve, çobani” etj.

Në morfologji është me interes ta përmendim përdorimin e nyjës së përparme tek emrat familjarë dhe të vendbanimit: i kunati – vëllai i burrit; e kunata – gruaja e vëllait; i katunsi “bashkëfshatar”; i vokshnjôni “banor i regjionit të Vokshit”; i deçansi “banor i fshatit Deçan”; “I dërmjaksi (dërmjakasi, ai i fshatit Dërmjak) (HE); i cicilisi – banori i fshatit Cicili, i kuneviksi – banori i fsh. Kunevik, i bajgorsi – banori i fsh. Bajgorë, i shaljansi – banori i Shalës së Bajgorës (Vushtrri).

Pezhorativat – fjalori i Kosovës mbrun një thesar me kolorit të veçantë gjuhësor, një fjalës të pasur me pezhorativa e me dukuri interesante fonetike, morfologjike, semantike e frazeologjike. Nga leksema të tilla po sjellim vetëm disa:

Böthuk – frikacak;

Dimnak – ai që ka lindur në stinën e dimrit. Ky ô dimnak e nuk nerth.

Fistar – djalë fisi, burrë i çmueshëm, fisnik; ai që e do të vetin e farefisin: Djemt e Krasniqes jân festar;

Gjums – ai që fle shumë e pa nevojë, që përton të zgjohet në mëngjes; gjumash, plogësht (te FGJSSH gjumës – bar që të vë në gjumë, gjumëdhënës);

Lyrc – ai që i lyhet dikujt për qëllime të caktuara;

Kallukõnxhë – mjegull e dendur në bjeshkë që pengon udhëtimin dhe shkakton humbjen e rrugës për në vendin e caktuar;

Livadhishtë – arë e re, që ka qenë livadh më parë, e përshtatshme për misër moravç dhe për fasule (te FGJSSH – livadh i vogël, vend me livadhe).

Stanishtë – vend me stane.

Në këto të folme bien në sy sidomos dhe pejorativat me prapashtesën –ejk:

Gushêj:k – grua me gushë të fryrë;

Çubardhê:jk – vajzë e bukur me flokë të lubardhme, biondinë;

Vegê:jk vajzë e rritur, e zhvilluar fizikisht, që nuk sillet mirë, përtace; Flliçê:jk – femër e ndyrë;

Morrê:jk – femër e ndyrë që ka morra në trup e sidomos në flokë;

Zdrolê:jk – femër e papastër, që i mban rrobat me zdralë;

Zhugê:jk – femër e sëmurë nga zhuga – zgjebja; dele e zgjebosur, me zhugë;

Shpirê:jk – femër e dobët nga shëndeti;

Ngridhê:jk – femër që ngrefoset, që qesh për çkado; mendje­madhe, e papërfillur;

Hallê:jk – femër e harbuar, e pamoralshme;

Krrutê:jk – femër e kërrusur, zakonisht plakë e shtyrë në moshë;

Krrutan – burrë i kërrusur;

Paluskë – grua a vajzë dinake që rri palë e shtiret si e ndershme; tinëzare (Deçan).

Fjalori i kosovarishtes përveçohet dhe me shprehje tipike të kosovare:

Allahile “pashë zotin”.

Dekterna “derisa”.

Tonshi/ tanoj “pastaj, mandej”.

Llêgë (punët i ka llug).

A mujte? A u lodhe; çysh je?/ çysh jeni? (si je, si jeni?), që nuk i hasim në të folme të tjera të shqipes.

Veçori me karakter dallues në fushën e leksikut

5.Në fjalorin e të folmeve shqipe të Kosovës ka dhe disa veçori me karakter dallues në fushën e leksikut, që dalin të përdoren me variante të ndryshme fonetike në rajone të ndryshme të Rrafshit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si:

Zgur-a “zgavër e madhe në trungun e ndonjë druri të moçëm” (Llugaxhi – Lipjan), xgor-i sh. xgora (Bajgorë); strufullog-u/ gorrl-a (Çabër); xgora-ja (Istog-Uçë), zguer/ zgora (Podujevë), zgor (Pallatë).

Knus-i/ krues-i në Rrafshin e Kosovës, kurse në Rrafshin e Dukagjinit, në Istog e rrethinë haset xhel-i, sh. xhelat. Fjala gjel-i del dhe në mbarë të folmet e Malësisë së Madhe (Malësisë së Mbishkodrës), ku e gjejmë dendur si emër vetjak burri.

Vizllore “xixëllonjë” (Llugaxhi, Bajgorë, Çabër, Pollatë), vizllim-a (Istog, Podujevë).

Shtrungënjë fjalë e sferës baritore, haset në Rrafshin e Dukagjinit, porse mungon në Rrafshin e Kosovës; Va:th- vathat përdoret në Rugovë të Kosovës, kurse në Kosovë përgjigjithësisht përdoret torasht, në Opojë kotar.

Krymyll-a “kërmill” (Shala e Bajgorës), pizhimush-i (Llugaxhi);

Përlak-u sh. përlak “i vogli i gomarit” (Çabër, Bajgorë), çupërlak-i (Llugaxhi).

Votër – në Rrafshin e Kosovës gjëllin si fjalë e pasivizuar, si shprehje e ngurosur krye votre, kurse në Rrafshin e Dukagjinit, në Istog dhe Uçë haset rëndom si fjalë aktive e përditshme (Ahmetaj 1985: 325).

Dallime dialektore e leksikore hasen dhe brenda një areali më të ngushtë, si p. sh. në të folmen e Moravës së Epërme dhe të Moravës së Poshtme, ku vërejmë:

Pul e pjekme, e shitme, e preme, e punume (Morava e Poshtme), dhe pul e pjekne, e shitne, e prene, e punune (Morava e Epërme) (Halimi 1985: 245). Edhe brenda arealit të Drenicës dallimet leksikore e fonetike janë të vërejtshme, në fshatin Prekaz thonë detelinë, kurse në Kllodernicë tërfoj.

Emrat e masave popullore

6.Për masat popullore përdoret një emërtesë e pasur dhe e larmishme:

Matja e trashësisë së borës: Njësitë për matjen e trashësisë së borës janë të vjetra. Këto janë: 1. Ni apô (apông) bo:r “pak borë sa mund ta mbulojë opingën (këpucën)” – kur bie 5-6 cm borë; 2. Ni çora:p bo:r “trashësia e borës që arrin deri te gryka e çorapes”; 3. Ni gû bo:r “trashësia e borës deri te gjuri i një mashkulli me gjatësi mesatare”; 4. Ni shke:k bo:r “trashësia e borës që arrin deri te shkeka (“xhepat”) e tirqve”; thuhet edhe “Ni sho:k bo:r”, që nënkupton trashësinë e borës deri në shokë të një burri mesatar; 5. Ni fyt bo:r “borë e madhe që arrin deri në fyt të një burri mesatar”.

Matja e gjatësisë: Njësitë për matjen e gjatësisë kanë qenë: 1. Pelqik, -i “hapësira ndërmjet gishtit të madh (të trashë) të dorës dhe atij tregues”; 2. Gisht, -i “aq sa është trashësia e gishtit tregues” (ni gisht, tre gisht): Dy gisht veç; 3. Shuplakë “gjatësia sa katër gishtërinjtë e dorës”; 4. Pllômë “gjatësia (po edhe trashësia) ndërmjet gishtit të madh dhe gishtit të vogël të dorës, kur e hapim dorën”; 5. Kô:m,-a (këmba) “gjatësia nga thembra e këmbës deri te majet e gishtërinjve”; 6. T’thore-ja “gjatësia dhe trashësia sa shputa e këmbës”, thuhet: Dy kôm e ni t’thore; 7. Pash, -i “gjatësia sa shtrirja e dy krahëve të një burri mesatar”; Sôna du:l e gjô:n shtat pash; 8. Kuti “masë për matjen e gjatësisë rreth 80 cm”; 9. Konopi i samarit – rreth 12 m gjatësi; 10. Ni vrap kali – distancë gjatësie rreth 1000 (një mijë) m.

Matja e peshës: 1. Okë rreth 1200 gr. 2. Kutull – kutullën e përdor mullisi për ta marrë ujemin për bluarjen e drithit; në 100 kg misër merret një kutu:ll 4-5 kg ujem.; 3. Sheekë – 60-80 kg; 4. Karricë ka 60 kg; 5. Nimaskrihje drith: 15-20 kg.

Matja e sipërfaqes: 1. lehë – Ni le:h ke:p “vend i vogël”; 2. Ni argat vend “një sipërfaqe sa mund ta prashiste një argat gjatë një dite, 6 ari vend”; 3. Ni kosaç vend “një sipërfaqe sa mund ta kosiste një kosaq brenda ditës, 25 arë vend” (Bajram Mehmetaj).

Sinonimia leksikore

7.Të folmet e Kosovës përgjithësisht kanë një fjalës unik, të përbashkët, që dallon nga të folmet e arealeve të tjera por, krahas kësaj, kanë edhe dallimore apo sinonimi leksikore si, p. sh.: Shiluer (Llap), Laurë (Gollap, Morava e Gjilanit), Zastojë (Drenicë), Llajkë (Kërçovë).

Emrat përkëdhelës dhe thirrjet për respekt

8.Folësit në fjalorin e tyre popullor të Kosovës, krahas nofkave keqësuese, përdorin dhe fjalë e shprehje që shënjojnë respekt si për burrat, edhe për gratë: Agë, Abej, Babalok, Bac, Lalë, Inxhe, Loke, Nanloke, Loçkë, etj. E, për shkak të përdorimit të dendur të fjalës Loçkë (me kuptimin xhan), shqiptarët e Maqedonisë i quajnë ata të Kosovës me nofkën Loçkat.

AgëAga Met (Mehmet, në anë të Gjilanit, nën ndikimin e turqishtes).

Bac, -i 1. babë, 2. vëllai i madh. Në të folmen e Petreshticës fëmijët i thonë babës babë, bac (fëmija i parë) dhe agë.

Bacë – vëlla i madh; emërtim për të dashurit dhe të afërmit në shenjë respekti ndaj më të vjetërve; bacalok, baclok (Deçan). bac/ bac/bal (Baca Adem, Bali Adem).

Bacalok – përdoret për t’iu drejtuar një njeriu më të moshuar në shenjë respekti, bacës, mixhës (Gjakovë).

Efë – kunat, përdorur me kuptimin efendi, zotëri. Efa Lleshë (Zym). Efa Shyçë (Gorozhup – Prizren).

La-ja – 1. vëllai i madh. Erdhi Laja. La Azir (Gjonaj, Hasi i Prizrenit). 2. shprehje për të nderuar më të vjetrin. Lajë Miftari (Zym, Prizren).

Lálë – bacë (Opojë, Prizren).

Jengjë – Fjalë nderimi a respekti për femrat e moshës madhore të shtëpisë a të kushërinjve të burrit nga ana e nuses a ndonjë grua e re. Kjo fjalë qëndron në relacion me efë për burrat (Lugu i Baranit).

Fisnike thirrje për gruan (formim obscen), në të kaluarën, kur burri nuk e quante me emër, që lidhej kjo me natyrën sociale a me ndjenjën e turpit. Si një formim tjetër obscen përdorej dhe Plaka, kurse gruaja përdorte Plaki. (Petreshticë).

Hanëmbija – kështu u thotë nusja motrave të burrit që janë të martuara (Petreshticë).

Hanëmçika – kështu u thotë nusja motrave të burrit që janë të pamartuara (Petreshticë).

Hanëminxhe – gruaja më e vjetër në shtëpi nga ana e resë (Petre­shticë).

Hanëmzoja – kështu e ka thirrur nusja e re kunatën e saj (Petre­shti­cë).

Emrat e grave me emrin e burrit

9.Në fushën e terminologjisë familjare, në raportet e burrit me gruan në jetën e tyre bashkëshortore, femrat thirren (thirreshin) me emrin e burrit, ky i fundit i femërorizuar më –ja:

She Memetja, she Islamja (gruaja e Mehmetit, gruaja e Isla­mit (She, Sha do të jetë shkurtim i brendshëm i turq. Hanë­m­shah “zonjë”, Opojë);

Bardhecja (gruaja e Bardhecit), Rexhepja (gruaja e Rexhe­pit) (Malësia e Gjakovës), Hasane (gruaja e Hasanit), Halime (gruaja e Halimit) (Dukagjin).

Këto formime obscene që lidhen me natyrën sociale a me ndjenjën e turpit i hasim edhe në zona të tjera, si në atë të Nënshkodrës: Age Zefja (gruaja e Zefit).

Në anën e Rrafshit të Dukagjinit tek emrat familjarë përdoret si mbiemër emri i babës, p. sh. Jaho, emri i babës Salihi, Jaho Salihi (që vjen si të thuash Jao, i biri i Salihit).

Pezhorativat dhe nofkat etnike

10.Fjalësi i të folmeve të Kosovës është i pasur dhe me pezhorativa e nofka etnike, që shqiptarët kanë krijuar për romët, serbët, turqit etj., ashtu sikurse dhe këta që kanë krijuar për shqiptarët. Por nuk mungojnë dhe nofkat që ka krijuar popullata e Kosovës për të cilësuar dikë me tipare të këqija sipas krahinave të ndryshme.

a) Cilësime mbi baza etnike

Romët për shqiptarët janë: gabelë, arixhinj, jevgj, ciganë (në Shqipëri), gabelë, maxhupë (në Kosovë), xhypsh (në Maqedoni). Nga shprehjet e tilla, në fjalor kemi evidentuar:

Gabel shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “maxhup”.

Gabel – maxhup, i zi, i fëlliqur (Pet.).

Gabelicë – Shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “ma­xhupe”.

Gabelisht ndajf. – flas keq, si në gjuhën e gabelëve. Po flet si me fol gabelisht. 2. Ti e meriton ni shupla:k gabelisht (RGjak.).

Gabelisht ndajf. – punë jo e mbarë; punë e ndytë mo­ralisht. Po flet fja:l gabelisht – po flet fjalë të ndyta, të pamoralshme; gabelisht, euf. për aktin seksual midis partnerëve (burrë-grua) (Deç.).

Maxhup – shprehje mospërfillësi për dikë.

Për shqiptarët e Kosovës serbët janë cilësuar:

Gexhë – shprehje keqësuese për serbët e Serbisë jugore, të Shumadisë.

Shkau i Velikës malazez, të quajtur kështu sipas vendit Velika në Mal të Zi.

Shka i Gorozhdecit shka i keq. Gorozhdeci fshat i rrethinës së Pejës i banuar me malazias.

Raje -t – kështu quhen serbët e vendit në Kosovë, vendallinj, për t’i dalluar nga kolonistët, ardhacakët.

Shkinulkë – me kuptim keqësues.

b) Cilësime mbi baza dialekt-gjeografike

Bugart e Rahovecit kështu i quajnë banorët e rrethinës së Ra­hovecit ata të qytetit të Rahovecit, ngaqë flasin një shqipe të përzier me elemente të bullgarishtes. P.sh. vajzës i thonë çora. Jam flladit e për­dorin me kuptimin “jam ftohur”.

Lunga – rahovecianët e qytetit kështu i quajnë banorët e rrethi­nave të Rahovecit, me kuptim fyes a përçmues: Ajde be, lungo eden.

Emërtime dhe cilësime mbi baza fetare:

Fanë për shqiptarin katolik malësor. Ah Fana, ajo. Mar Fânë! (Gjakovë., Prizren.).

Fonece – Grua katolike. Fonecja e shtrâmt! (Gjakovë).

Laraman – Personi katolik i konvertuar në fenë myslimane, që i mban të dy fetë.

c) Cilësime mbi baza sociale

Katunar – cilësim që përdoret sidomos në Gjakovë, si një tipar dallues ndërmjet “qytetarit” (njeriut të kulturuar) dhe “katunarit” (nje­riut të pakulturuar). Në qytetin e Gjakovës “qytetarët” përdorin madje një cilësim të tillë: Katunarin 100 vjet zije n’sherbet, katunar se katunar. Apo hajde t’lujna shqiptarët me katunarët. Në Gjakovë dhe në Prizren “qytetarët” madje kanë folur dhe turqisht vetëm për të mos u identifikuar me “katunarët”. Sipas kategorive sociale, edhe për të emërtuar vllehtë bëhet një distinkcion i tillë:

cincar (për urbano vllehtë, që janë marrë me zanate të ndryshme në qytet), dhe

aromân (për vllehtë nomadë, çobenjtë, që kanë pasur ngulime të përkohshme baritore).

Etnografizma

11.Fjalësi i Kosovës përveçohet edhe me një shtresë të veçantë fjalësh e shprehjesh tipike etnografike, të ashtuquajtura etnografizma, që shprehin koncepte e zakone arkaike shqiptare të një lashtësie të madhe nga të këtij etnolekti. Nga ky fjalës, po veçojmë vetëm disa fjalë e shprehje të tilla tipike për kosovarishten.

Në terminologjinë e sferës familjare për emërtimin dhe nocionin e vajzës në ligjërimet e Kosovës bëhet ky distinkcion leksikor e semantik:

Çikë – vajzë e pamartuar,

Çikëdevojkë – vajzë e rritur për martesë, dhe

Bijat – vajza të martuara.

Burrneshë virgjëreshë e përbetuar, e cila merr rolin e burrit në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë.

Darka e lamijeve festë që organizohet në mes të festave të Shën Gjergjit dhe të mesit të verës. Ndër viset tjera shqiptare kjo festë njihet me emra tjerë si: Festat e lëmëve, festa e të korrunave, festa e malit, festa e blegtorisë etj. Kjo festë në zonën e Podgurit dikur kremtohej me shumë ceremoni, rituale e veprime magjike, kurse tashti është reduktuar vetëm në “Darkën e Lâmës”. A ju kan thirr miçasija n’ dark t’lamijeve? (Istog).

Darka e lams darka që organizohej pas shirjes së të lashtave (Podgur).

Darka e pastërms darka që shtrohej kur therej ndonjë kafshë për pastërma. Hajde n`dark t`pastërms (Pet.).

Dímni i zí dhjetë ditët e fundit të dhjetorit, që i bie të jenë dhjetë ditët e para të dimrit (20-30 dhjetor). Kur fryn era (jugu), n’dimën t’zi, edhe në arbain, çet (bie) borë. Me t’u mërdhi kamt (gishtat) në dimnin e zi e në arbain nuk ka ilaç. Kamt mërdhihen në arbain (Dush.).

Leçitja – dukuria e përjashtimit, izolimit, veçimit nga rrethi shoqëror e katundi, përzënia, heqja dorë nga dikush. Avdyli asht i leçítun, as nuk i shkon kush e as ai nuk i shkon kujna (RGjak.). Përjashtohem (për një kohë) nga mjedisi shoqëror (edhe farefisnor) pa të drejtë hyrje – dalje, këmbim huash, pa të drejtë bluarje drithi në mullinj të afërt, etj. (Deçan).

E pamja – ceremoniali që mbahet për të vde­ku­rin, pritja për kryeshëndoshë.

Merrni lugt – kur ulen mysafirë në sofër për të ngrënë dhe fillojnë me gjelbue (të marrin pak bukë, djathë, turshi, kastravec), i zoti i shtëpisë që është në krye të sofrës, më pas u thotë: boll xhelbut, merrni lugt, t’kçyrim çka na ka prue baçica! Në mes të sofrës është pjata e madhe (vagani) me gjellë në të cilën hanë të gjithë. Ata që janë të shtruar në sofër, pa e marrë “urdhrin” e të zotit të shtëpisë “merrni lugt”, zakonisht nuk e merr kush lugën asnjëherë.

Múj sykúçmuajt pas gjysmës së dimrit (shkurti, marsi, prilli), periudhës kur harxhohen rezervat ushqimore si për njerëz ashtu dhe për bagëtinë. Mos shih kusur, jemi n’mujt sykuç – i thuhet mikut, për të treguar se jemi në krizë, jemi hollë me takat (Dushkajë).

N’zjárm ceremoniali i përcjelljes së vajzës ditën e martesës, në shtëpinë e prindërve, nga ana e të afërmve të saj. Ai që i ftonte për n`zjarm të afërmit e vajzës, u thoshte të ftuarve: O baci Avdi, ta ka çu ni cigare Salihi, me dalë nesër n`ora tre n`zjarm, pe nreç çikën (Petreshticë).

UkjaXufe Ukja, emër personal femëror, e bija e Ukës, që e merr si ndajshtim emrin e të jatit (Dush.). Sylë Arifi – emër mashkullor, i biri i Arifit, që thirret me emrin e të jatit Artifi. Sylë Arifi a mujte me kta shokë? (kur shkojnë me pa, për ngushëllim) (Dush.).

Vejushkë – gruaja që e sundon burrin, grua “pa burrë” (Kishnarekë).

T’fala máshkujve në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës janë specifike përshëndetjet me fjalët me diferencim gjinie “burrë” e “meshkuj” kundrejt mospërmendjes së gjinisë tjetër femërore. Për t’i ikur përshëndetjes së zakonshme “Të fala të shpia” (ku do të kuptohej edhe gjinia femërore), dukagjinasit kur përshëndeten me dikë përdorin maskilizmat: “Të fala mashkujve”, “Si jeni me ata mashkuj”, “Falmeshnet atyne mashkujve”, “Si i kemi ata burra” (ku nënkuptohen edhe fëmijët), “Si jeni me ata vllazni?” (ku nënkuptohen jo vetëm vëllezërit, por edhe të kushërinjtë e të afërmit e tjerë). Në anë të Plavës dhe të Gucisë, në shkuarje mysafirit i drejtojnë përshëndetjet: T’fala bonju krej ko kê, edhe atyne trimave! T’fala bonju trimave! Leksema “trim” përdoret atje me kuptimin e mashkullisë. Edhe djalit në djep i thuhet: ku je he trim!

 Shi me haz shi i rrëmbyeshëm, me furtunë, me vetëtimë e murmurimë. Në këto raste, për ta marrë me të mirë, qitet në oborr sofra dhe sita e miellit, për të mos bërë dëme e për të mos lënë sofrën thatë (Dush.). Në Skrapar në raste të tilla thonë: Mjaltë e qumësht! (komunikim i Viktor Bakillarit).

Shpërláhen plakat thuhet kur bie borë në fund të marsit a në fillim të prillit (Junik). Në Skrapar: Numërohen plakat.

Formula të ligjërimit etnografik

12.Brenda truallit gjuhësor të Kosovës rrojnë edhe disa formula përshëndetjesh, me veçanësitë e tyre. Sipas zakonit të vjetër shqiptar, folësi dhe bashkëbiseduesi shkë­mbejnë dialogun e pamungueshëm mes tyre me pyetje-përgjigje:

A mujte? A ke mujt? Si ke mujt?” – përshëndetja tradicionale e shqiptarëve të Kosovës dhe të Veriut që ka kuptimin “A je i mujshëm, a je shëndoshë, a je mirë, domethënë a nuk je i pamundur, i sëmurë?”, që është një prej formulave të ngurta gjuhësore, që zakonisht quhen idioma me kuptim të mbyllur, shprehje të ngurtësuara; formula të gatshme të ligjërimit etnografik.

A mun u çove? Në përgjigje: U çova valla, a u çove ti?

A u lodhe? Shprehje e përditshme që përdoret shpesh në çdo takim me dikë. Në përgjigje: Jo, jo; Jo fort, jo!

A mujte ? (a mund erdhe ?) Në përgjigje: Çe vallai, erdha kadalë!

A je burrë! (përshëndetje në Rugovë: a i zotëron në vetvete të gjitha cilësitë morale për t’u quajtur burrë, fisnik).

Allahile përb. Pashë zotin.

A po ta kóna? A ta ka ënda? A të pëlqen ushqimi?

Çysh je? A je mirë. Familjen? Si je? Në përgjigje: Mirë, faleminderit. Çysh jeni ju. Familjen ?

Gjithqysh – gjithsesi.

I kahit je? Prej nga je? Jam i Llapit. Jam nga Llapi.

I kujna je? I kujt je?

Dekterna Derisa.

Llugë ndajf. Punët i ka llugë – keq.

Ku-kú! pasth. Shprehje ekspresive që përdoret zakonisht kur shprehin ndonjë habi. Kuku shka e kish xhet (Vb.). Kuku për mue! (Vushtrri). Kuku për neve! (Dushkajë). Kur përdoret për të shprehur ndonjë çudi të madhe, për ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme, shqiptohet me ū të gjatë: kūkū. Kūkū shka i kish nōdh filanit!

Në ligjërimin e Kërçovës përdoret çyçja, vetëm në gjuhën e grave.

Mos ta ninmos ki merak, mos u merakos.

Fjalori i të folmeve të Kosovës është i pasur dhe me sinonimi e me shprehje sinonimike. Kështu, vetëm për dreqin kemi evidentuar të përdoren një mori eufemizmash sinonimike: Koftlargti, Ai i prrojeve, Ai i Kërrshit, Ai me brina, Ai çi mos ia preft udhën kujt, Ai i therrave, Koft larg nesh, Ai çi hangt gur e kërrsh, Ai çi ju mshelshin të tana udht, etj. (Ko).

Emri i bashkëshortit si emër “tabu”

13.Në traditën e vjetër shqiptare, në raportet e burrit me gruan në jetën e tyre bashkëshortore, burri nuk e thërriste gruan e tij me emër, që lidhej kjo me natyrën sociale a me ndjenjën e turpit. Prandaj, sipas krahinave, por gati kudo në të njëjtën mënyrë emri i bashkëshortit jepej me fjalëza zëvendësuese ku zotërojnë përemrat ky, kjo, ai, ajo, apo togfjalësha që nisin me: aj burri, aja gruja; e imja (për “gruaja ime”, morí “thirrje për gruan”, njerej “njeri” (burri im), moré “thirrje për burrin”, “plakú”, “plakó” (Kërçovë).

Në Kosovë gruaja e thërriste burrin kur nuk ia përmendte emrin njéri: Hej, a po nin, o ti njéri.

Në Dukagjin: Hasane (gruaja e Hasanit), Halime (gruaja e Halimit), Zy­be­re (gruaja e Zyberit) (Shkurtaj 2001: 150).

Bardhecja (gruaja e Bardhecit), Rexhepja (gruaja e Rexhe­pit) (Malësia e Gjakovës); Zefja (gruaja e Zefit, në fshatrat e Mbishkodrtës) (Rrotani 2000: 96);

Në Opojë: She Memetja, she Islamja (gruaja e Mehmetit, gruaja e Isla­mit). She, Sha do të jetë shkurtim i brendshëm i turq. hanë­m­shah “zonjë”.

për. etngr. Në familjet patriarkale burri dhe gruaja (bashkëshortët) nuk e thërrisnin njëri-tjetrin në emër para të tjerëve, por përdornin përemrat dëftorë dhe pronorë: ky. Vjehërrve u përgjigjet e reja kur është fjala për të shoqin: yd bir, kunetërve yd vlla; fëmijës – baba jyt, thuj tid bir, tid vlla, babës tit; thirre ton bir, ton vlla, babën ton. Ose: kush ke? Kjo. Prindërve të saj: yte bi; motrave të gruas – yte motër. Fëmijës – nona jote, nones jote, nonen tone. Kçyre tone bi, tone moter, satom (sate amë). Boni zo (thirre) ksaej, shka tha kjo? Duhet me vet kto (këtë) shka po thot ky? N ja marrt meanja kti. Ky di(n) ma mir; n thasht ky, po (Nagavci 1969: 940).

Emra etnikë që përdoren si ofiqe me kuptim keqësues

14.Fjalori i Kosovës ka specifikat e veta edhe në fushën e blasfemisë, ku folësit kanë krijuar shumë fjalë e shprehje me përdorim keqësues për fyerje ndaj tjetrit mbi baza etnike. Nga emrat e tillë mund të veçojmë:

Gabél – shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “maxhup”. Jevg, maxhup, i zi, i fëlliqur. Përdoret dhe si sharje.

Gabelícë – shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “ma­xhupe” (Shala e Bajgorës).

Maxhúp magjyp, rom, cigan, jevg, xhip, rom. E mbarë kosovarishtes. Me këtë formë ka hyrë nga serbishtja maupac.

Maxhúpe – rome, cigane. Me pa andërrr maxhupe, thonë se ke bâ xhynah me ndoj kend (ShB.).

Maxhósk magjyp, përdorur më tepër për fyerje. Edhe shqiptarëve u thuhet: Ish nifarë maxhosku (Vush.).

Jahudí njeri i pashpirt, koprrac, dorështrënguar (Hani i Elezit). (Fjala është për çifutin, hebreun). Asht jahudi i madh – koprrac, dorështrënguar (Vërban – Morava e Epërme).

Karavlléjkplak që vjedh fëmijë (në gjuhën e fëmijëve) (Gjak.). Nga karavlleh “vllah i zi”.

Karavllejkë – femër e pamoralshme, kurvë e regjur. Ma karavllejkë s’ka (Gjakovë).

Shka i Gorozhdecit – shka i keq. Gorozhdeci është fshat i rrethinës së Pejës i banuar me malazias.

Shka i Kolashinit – njeri shumë i keq.

Shka Rashke – përdoret për të emërtuar një pjesëtar të komunitetit serb, që shpërfaq nacionalizëm të tepruar, që nuk ka veti njerëzore, që tregohet jo njerëzor me të tjerët. Shka Rashke âsht ai, për shpirtin çi e ka nuk e len gjâ pa bâ (Istog).

Shkavi zi – i thuhet dikujt që e urren (Vb.). Shkavi çi asht aj – që s’është i mirë (Vërban).

Si Mahalla e Qylit – i çoroditur (Mahalla e Qylit është lagje e banuar me pjesëtarë të komunitetit rom. Infrastruktura e saj dhe përkujdesja nga banorët janë në shkallë shumë të keqe prej nga është motivuar edhe kjo njësi frazeologjike) (Gjakovë).

Ofiqe për ta përqeshur ose fyer tjetrin

15.Në të folmen e arealit të Gjakovës janë mjaft karakteristike edhe emërtimet që kanë krijuar njerëzit për të përqeshur ose për të fyer njëri-tjetrin, me ofiqet: Bulli, Çerepi, Karcylli, Katili, Klyshi, Knusi, Pula, Pilavi, Qorri, Speci, Tullumi, Zuza, etj.:

Mehme(t) Pilavi, Mulla Beqir Speci, Hazyr Knusi, Ibrahim Pula, Ymer Kamishi, Latif Parashumti, Hyse(n) Bulli, Shaqë Krypa, Emin Ajroni, Sherif Lugati, Mehme(t) Dushmoni, Ragip Çerepi, Zeqir Magari, Lutfi Kupili, Jakup Zuza, Halil Tullumi, Hazyr Dudufeanci, Rexhep Pleshti, Alush Zorra, Feta(h) Çuki, Rexhep Baekri, Sali(h) Haejni, Tafarrshiki, Tahir Luki, Ragip Qyrri, Mstaf Purrini, Lah Guzica, Met Katili, Bajram Furra, Halil Kumpiri, Stef Klyshi, Sav Qorri, Dervish Karcylli, Huti, Tuli (Nagavci 1969: 934). Autori i punimit për të folmen e Gjakovës, Myslim Nagavci, pohon se: “Nuk kam hasur ndonjë ofiq që të tregojë ndonjë virtyt të ndonjë njeriu ose ndonjë lëvdatë; të gjithë janë fyes, përqeshës ose sipas zejes që ushtron njeriu”.

Fjalë të mirëfillta dialektore

16.Të folmet e Kosovës kanë gurra të pashtershme për pasurimin e përgjithshëm të sistemit leksikor të shqipes. Atje hasim fjalë me përveçime leksiko-semantike:

Brýth urith (Rugovë, Shkrel).

Lëvíg vig për terjen e teshave, petkave, ose të opingave ku vigu gjendet përmbi oxhakun, vatrën, – me parashtesën – (Rugovë, Shkrel).

Nëlgjínëkështu i thotë Hasi barrës së vogël që e vënë mbi samar, në mes të barrës anësore. I thonë edhe tërshēl.

Symác – Opoja kështu i thotë ngjyrës së kaltër. Ma jep symacin ta ngjyrosi havan!

Xgâthun (i) – mes të vaktit dhe të ftohtit. I kum xgath durt. Prit t’i xgath durt pak (Rugovë, Vuthaj).

Mazújkëmëz femër deri tri vjeç, pa sha­luar. Asht ba mazujka me u shilue (Reka e Gjakovës, (Deçan). 2. Mëzi që del në verën e dytë (Mit.). 3. Vajza më e zgjedhur dhe më e dalluar ndër shoqet e tjera. E ka nana mazujkë (Zym).

Shpnéshë zonjore. A e kini shpneshën atyne? (Has). 2. Grua shtëpiake që merret me përgatitjen e ushqimit në familje, e cila të gjitha gjërat ushqimore i mban në fllanik të mbyllura me çelës. Çelësin e mban të lidhur me tojën (lidhësen) e kanacëve për shokë të brezit, duke e ruajtur me xhelozinë më të madhe (Zym).

Shpërthínë gruaja që ka lindur shumë fëmijë (Mazrrek – Has).

Tiparet dallimore morfologjike e sintaksore

17.Gjuha popullore e Kosovës ndryshon nga një krahinë në tjetrën, si dhe brenda një krahine të caktuar. Kështu, e folmja e Pejës dallohet për një tipar dialektor të mëvetësishëm, sepse u shton disa fjalëve një b ose d homorganike: zembër (zemër), e shtunde (e shtunë). Kjo dukuri nga folësit e tjerë fqinjë të rajonit të Podgurit cilësohet me një shprehje të këtillë: Lopa deri në Pejë ban “mu”, në Pejë e tutje ban “mbu” (thonë banorët e Istogut).

Numërori katër në të folmet e Kosovës për gjininë femërore bën katra: Sa burra ishin? Katër. Sa gra ishin? Katra.

Ndërkaq, në fushë të morfologjisë, tipari kryesor është përdorimi i paskajores, por krahas kësaj sporadikisht të gjitha folmet e Kosovës përdorin dhe lidhoren.

Në ligjërimet e Kosovës hasim edhe trajtën morfologjike e láne – e larë. Teshat e lane. Kjo trajtë e rrafshdukagjinasve është shumë më e vjetër se shqipja e Buzukut: teshat e lame. Me këtë trajtë të folmet e Kosovës janë më konservative.

Në sintaksë kemi dallimore të ndërrimit të vendit të foljes së veprimit (reksionit): Shkue nuk isha. Marrë nuk e kisha. Ārdh nuk kisha. Thān nuk kisha. Pa ja thān çito lān tybe n’e kisha. Me pās ditë çi m’del çyshtu, nīs tybe n’ja kisha (Tërnavë, Sekiraçë, Obranxhë – të Llapit). Në Vushtrri dhe rrethinat e Shalës: Nuk kisha shkue, nuk kisha marrë, nuk kisha thanë. Nuk ja kisha nīs asaj pune.

Fjalëformime me parashtesa dhe prapashtesa

18.Me mjaft interes janë edhe një numër fjalëformimesh me parashtesa dhe prapashtesa.

Me parashtesën lë-:

Lëvíg vig për terjen e teshave, petkave, ose të opingave ku vigu gjendet përmbi oxhakun, votrën, – me parashtesën – (Rugovë, Shkrel).

Me parashtesën sh– që u jep fjalëve kuptim të kundërt nga primitivi:

Shfál – revokoj faljen. Masi e fala, e shfala, se i rashë pishman, u pendova (Korishë – Prizren).

Shmrról e kundërta e të mrrolurit. Koka shmrrolë (Korishë).

Shngul nxjerr atë që është ngulur.

Shthírr – prapësimi i thirrjes, pra ta kam sjellë një herë e vij prapë ta marr, u pendova. Shthirri dasmort (Dushkajë).

Me parashtesën –ore, -tore:

Burratóre grua që bënte punët e shtëpisë, ato të burrave.

Krenore grua e zonja për të gjitha punët. Gruaja që vishet bukur dhe ka sjellje të mirë, që i ka të gjitha tiparet pozitive. Ish gru krenore. S’ka ma krenore.

Pritatore – gruaja që kishin për detyrë për t’ i pritur kafshët në mbrëmje në të kthyer të tyre në shtëpi. Sa pritatore ket sonte?

Skajóre – pjesë e skajshme e një dërrase a e ndonjë lëndë drusore.

Tfillóre femër e zgjuar. Çikë tfillore.

Thithatóre qengj i vogël që thith ende në gji (për sugar).

Me prapashtesën –tar:

Fushtár ai që merret me punët e fushës.

Lehtarqeni që leh.

Mohtar – ai që përdor mohin, që u bie moh fjalëve të veta.

Ngjeshtar – Personi profesionist që merret me të ngjeshurit, masazhist.

Idiomatika

19.Fjalori i Kosovës ka një repertor të pasur gjuhësor edhe me shprehje formulash dhe me shprehje tipike idiomatike e frazeologjike, të cilat i japin kësaj gjuhe një shije të veçantë. Nga një korpus i tillë po përveçojmë:

I vlon kusija me dy: krone – e humb arsyen, hidhërohet, për hiçgjë.

Drédh Binak! – Mos rri duarkryq Binak, por vepro sipas rrethanave e gjendjes së krijuar, nguli këmbët.

Ja bôni ni pre:s – e tradhtoi, e preu në besë.

Mos kep pa nyje – mos puno pa plan.

Me i pasë nge:t e çenit – s’i kam nge:t e çenit – nuk kam kohë të tepërt.

As po u ngrahke, as po u ngrehke – as andej, as këndej.

Drini s`pe lajke – për dikë që ka hyrë në borxhe të mëdha.

E ka marrë Drini – ka marrë teposhtëzën, e ka pllakosur mynxyra.

E ka pa t`macës – ka vuajtur shumë.

E mira e hallkit, e zeza e vetit – altruist, që është vetëm për të tjerët (Petreshticë).

I ka dalë hardall – pa fryt, i shkon vera kot. Ish mashkull hardall.

I ka punët buçuk – keq, ngushtë, në gjendje të vështirë ekonomike.

I kam punët buçuk – ngushtë, shumë keq (Petreshticë).

I kish hip ukit – e ka rritur mendjen së tepërmi. Ka hyp më ouk.

Ish ārdh n`stom t`dekës – është shumë i dobët nga shëndeti.

I shkojshin lotët rekë (vadë) – qante shumë, derdhte shumë lot.

Kan ba hosh e nesh – kanë kaluar mirë e këndshëm.

Lindi ni pushkë – kur gruaja lind mashkull thonë: Lindi ni pushkë, Lindi ni krah pune. Na u shtu ni mashkull.

Me çykë t`zorit – me shumë vështirësi.

Mos çit bedat n`katun t`huj – ai që përzihet ku s`e ka vendin.

Mos e shti dorën n`shekë t`huj – mos u përziej në punë të huaja.

Po bahemi idare – ia dalim disi ekonomikisht.

Si knusi n`boça – sillet e pështillet dhe s`mund të kryejë asnjë punë.

U ba shkekë! – tollovi, rrëmujë.

Leksema të kosovarishtes që e pasurojnë shqipen letrare

20.Fjalori i të folmeve të Kosovës ka mjaft vlera të tij edhe për pasurimin e fjalësit të shqipes letrare. Rrotull ligjërimeve të Kosovës përdoren një rrëmet shprehjesh e frazash të tilla që mund të jenë pjesë e FGJSSH:

Bishtalák vardisës. Njeri që i bëhët bisht dikujt. Boll u munova me largu po bishtalak m’erdh përmas.

Butlak – njeri me ndjenja të buta.

Bukohet – ngihet me bukë një familje e varfër.

Çelëza – qartë, hapur. Çelëza ja thashë. Fol çelëza.

Dimnór – ai që e duron shumë të ftohtin.

Djalbardhë – djalë i ndershëm, djalë i fatshëm.

Djalzi djalë i pandershëm, djalë i pafat.

Derëdaljeshtegdalje, rrugëdalje.

Erë – reuma. Po m`munon era. Kam dhimtën e erës.

Fërkójcë – grua që shëron duke fërkuar (ngjeshur) trupin nga sëmundjet e pëlkimit (përdredhjes), thyerjes së eshtrave e ngjashëm.

Fitilaç – ai që shtin grindje, zjarrshtisë, intrigant, shtiekeq.

Fjalc – ai që flet shumë e bën fjalë të kota; që i përgojon të tjerët.

Flushkë – djathë flūshk, taze, i pakripur, është i ëmbë e i shijshëm.

Fryfç –ai që fryhet, që e lëvdon shumë veten.

Fushtár ai që merret me punët e fushës.

Gurgullazë – burim ku uji gurgullon.

Gjumës – ai që fle shumë e pa nevojë, gjumash. Te FGJSSH gjumës – bar që të vë në gjumë.

Hajtehúj (i) – që nuk flet seriozisht, i luhatshëm, mendjelehtë, i pakujdesshëm, që “fluturon me mend”.

Lehtarqeni që leh.

Mohtar – ai që përdor mohin, që u bie moh fjalëve të veta.

Ngrijca – kandila akujsh.

Ngjeshtar – Personi profesionist që merret me të ngjeshurit, masazhist.

Krenore gruaja e zonja për të gjitha punët. Gruaja që vishet bukur dhe ka sjellje të mirë, që i ka të gjitha tiparet pozitive. Ish gru krenore. S’ka ma krenore.

Pritatore – gruaja që kishin për detyrë për t’ i pritur kafshët në mbrëmje në të kthyer të tyre në shtëpi. Sa pritatore ket sonte ?

Rrallosh – plakut të rrallë, të lënë mendsh.

Skllotón bie borë e butë e përzier me shi.

Shkelëz – njëra prej këmbëve të shkallëve. Me sa shkelza i bane shkallt?

Shngul – nxjerr atë që është ngulur.

Shthirr – revokoj thirrjen.

Shterrannjeri me zë të shterur, të ngjirur.

Tamlák – i thuhet fëmijës ende të papjekur, d.m.th. atij që i qesin ende buzët tëmbël.

Teshmëz – gripi.

Tfillóre femër e zgjuar. Çikë tfillore.

Thithatóreqengj i vogël që thith ende në gji (për sugar).

Udhëtárçe – punë a veprim që kryhet shpejt e shpejt.

Ujron – burim i ujit nga rëra me vrull. Po ujron uji.

Vajs – qaraman, ai që qan shumë (fëmija).

Veçaniknjeri i veçuar nga të tjerët, që nuk përzihet dhe që nuk është i shoqërueshëm. Â˚sht veçanik. Eh mor veçanik, s’je mcue mu shoçnue me korkâ˚ñ.

Veçanike – vajzë a grua e veçuar nga të tjerët, që nuk përzihet dhe që nuk është e shoqërueshme. Â˚sht veçanike e madhe. Moj veçanike, pse s’po porzihosh me shoçot tua asniher.

Në arealin e Rugovës hasim dhe leksema të tilla me interes për pasurimin e fondit leksikor të fjalorit të shqipes:

Cikaçkarkalec.

Fërlë – kitër.

Prajs – pushim i vogël; mrizi ku pushon bagëtia, ku mrizojnë e prehen nën hihe pranë ndonjë burimi; vendi ku pushohet.

Stërpujë – çerep.

Syjój qes sy më sy, ballafaqoj.

Syzânt – që s’ka më sy e faqe të dalë ndër njerëz për diçka që ka bërë faqenxirë. Asht syzantë e s’del ndër burra..

Veshoj – vë veshin për të dëgjuar, përgjoj. Çika po veshoke.

E tashmja dhe e shkuara e Kosovës përmes fjalorit: shtresimet leksikore

21.Kosova nuk është vetëm një entitet i mëvetësishëm politik, gjeografik e etnografik. Kosova është edhe gjuhë e kulturë, me thesare shumë të pasura linguistike, që meriton vëmendjen e studiuesve. Në truallin e Kosovës gjatë historisë së saj të bujshme kanë gjëllirë një mozaik popujsh, të cilët kanë lënë gjurmët e fosilet e tyre e ndërndikimet edhe në gjuhë, në kulturë, e sidomos në fjalor. Në rrjedhën e shekujve, Kosova u ka takuar shumë perandorive: Perandorisë lindore romake/bizantine, Perandorisë mesjetare bullgare, Perandorisë mesjetare serbe të dinastisë së Nemanjiçve dhe pastaj Perandorisë Osmane. Më së gjati i ka takuar Perandorisë Bizantine dhe asaj Osmane (Holm Sundhaussen, historian gjerman). Të gjitha këto perandori e pushtime natyrisht kanë lënë edhe ndikimet e tyre në gjuhë e në fjalor. Krahas elementit etnik shqiptar, ka pasur dhe komunitete të tjera etnike: nëpër qytete ka pasur edhe maxhupë, e aty këtu edhe një numër të vogël turqishfolësish (Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan). Dikur ka pasur edhe gogë e çifutë, por tepër të pakët. Shumë nga gogët e Prizrenit ose (si i quajnë të huajt) kucovllehët janë të ardhur nga rrethi i Korçës dhe i Manastirit (Kuteli 1943). Nga kjo, u krijua dhe leksema Gogë, që mori kuptimin “murator”, mjeshtër që ndërtonte shtëpitë (Hasi i Prizrenit, Gjonaj), dhe si duket mbiemri familjar Goga. Emrin Goga e ndeshim dhe si antroponim (emër personal) në një listë të kryefamiljarëve në fshatin Junik të Pejës në vitin 1485: Goga, i biri i Radiqit, Goga i biri i Nikollës, dhe Goga, vëllai i Gjonit (Shmit 2012:106).

Për njëfarë kohe, në shek. XIX, në Kosovë ka pasur edhe pak çerkezë (nga Kaukazi, që patën sjellë turqit për të forcuar administratën e pushtetit të tyre (Barjaktaroviq 1955: 406). Emri i tyre ka lënë gjurmë tek topiku Çerkez (fshat shqiptar në komunën e Kumanovës), Çerkez (fshat shqiptar në bashkinë e Kamzës – Tiranë) e patronimi Çerkezi. Edhe sasë (gjermanë) e kroatë të ardhur si xehetarë minierash (në Kishnicë, Novobërdë e Janjevë), kanë formuar enklavat e tyre etnike, duke lënë edhe ndikimet e tyre në gjuhë e në onomastikë.

Në Kosovë flitet edhe gjuha gorançe, një dialekt sllav i përzier. Goranët janë popullsi që flasin gorançe, një dialekt sllav që përngjet me sllavomaqedonishten, por ka dhe fjalë shqipe e turke. Goranët jetojnë në krahinën e Gorës, që sot ndahet mes shteteve të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, krahinë nga ku e marrin dhe emrin. Gora si krahinë me 55 fshatra, ka pasur si qendër administrative Vranishtin deri në vitin 1923, që në dokumentet arkivore kjo qendër është trajtuar me emrin e “Kazaja e Gorës dhe Opojës” në të cilën kjo e fundit ka 19 fshatra.

Në Kosovë aktualisht ekzistojnë këto bashkësi gjuhësore: shqipja, serbishtja, turqishtja dhe gjuha rome. Shqipja flitet nga shqiptarët myslimanë dhe katolikë, si dhe nga grupet e romëve shqipfolës; serbishtja nga serbët ortodoksë, goranët myslimanë dhe boshnjakët myslimanë; katolikët sllavë të Janjevës e quajnë gjuhën e tyre kroatisht. Në Prizren turqishtja, krahas shqipes dhe serbishtes, është gjuhë e tretë zyrtare” (Schmit 2012:97).

Në fjalorin e shqipes së Kosovës, krahas elementit të huaj etnik të përmendur këtu sipër, edhe pushtuesit e ndryshëm kanë ndikuar ndjeshëm duke futur elemente të tyre, por pa arritur kurrë t`i mbivendoseshin. Latinishtja ka ndikuar, në fillim me Romën perandorake e, më pas, me Romën katolike; pastaj italishtja me Venedikun; pastaj kanë ndikuar sllavët, më pas turqit e grekët modernë (greqishtja e vjetër jo, nuk llogaritet). Thellësia e këtyre ndikimeve ndryshon në varësi të vendit: italishtja dhe latinishtja në brezin bregdetar, sllavishtja në veriun malor, greqishtja në jug (Montarelli 2004: 161).

Si rrjedhojë e sundimit të gjatë pesëshekullor të perandorisë turke dhe të pushtimit njëshekullor serb në Kosovë, të pranisë së një numri jo të pakët komunitetesh etnike, në fjalësin e këtyre të folmeve shqipe të Kosovës, krahas leksemave të krijuara prej brumit vetjak të shqipes, kanë hyrë në qarkullim dhe fjalë me burim të huaj nga serbishtja dhe turqishtja, disa prej të cilave për ata që nuk janë gjuhëtarë vështirë se mund të dallohen si të tilla (tanaj, tanshi për “pastaj” – nga serb. te onaj; çikë – nga kčeri, etj.).

Siç është shprehur M. Barjaktaroviq: “Ndërmjet shqiptarëve të vendit tonë (Kosovës – q. m.) pa dyshim ka serbë të shqiptarizuar, ashtu siç ka edhe shqiptarë të serbizuar e të kroatizuar. Më në fund, kjo është një dukuri e natyrshme dhe e zakonshme, që një popull të ndryshohet e të kthehet në një tjetër, veçanërisht në krahinat kufitare” (Barjaktaroviq 1955: 406). Këtë dukuri e pohon edhe E. Çabej: “Simbioza shqiptaro-sllave, e cila zgjati gjithë Mesjetën, mbërriti në mbarim të kësaj periode në këtë përfundim: shumë sllavë u shqiptarizuan në Shqipëri, shumë shqiptarë u sllavizuan, sidomos në viset periferike të Veriut. Ky proces i fundit në veriperëndim të Shqipërisë ka vazhduar edhe në kohën e re” (Çabej 1994: 95). Për proceset e tilla asimiluese ndëretnike dhe për ndikimet e shoqishoqme midis nacionaliteteve të ndryshme në Kosovë flet dhe etnologu Kadri Halimi, i cili ndër të tjera thekson:

Këtu fshihen gjurmë të shumta të sllavizmit ose të serbizimit të shqiptarëve, kur këta ishin të krishterë. Ky proces është ndërprerë vende-vende pa u kryer deri në fund. Të përkujtojmë një pjesë të popullsisë së Rahovecit dhe të disa fshatrave të Sreckës së Prizrenit, banorët e të cilëve flasin një gjuhë të prishur serbe, mbajnë veshjen popullore shqiptare, shkollohen në gjuhën shqipe, u përkasin fiseve shqiptare dhe veten e ndiejnë shqiptarë. Nëpër katundet e grykës së Bistricës së Prizrenit, siç janë: Reçani, Mushnikova, Gornjesella etj., në hulumtimet e mia etnografike kam gjetur se i tërë fshati Mushnikovë i përkiste fisit Thaç. Po ç’janë goranët e Gorës së Dragashit, të cilët flasin një gjuhë të çoroditur, që s’është as shqipe, as maqedonase, as serbe dhe as turke. Ç’është e vërteta, këta njerëz, kjo popullatë, për nga mënyra e jetesës, për nga veshja popullore që kanë mbajtur deri para 50 vjetëve, me tirq, koporan e plis të bardhë shqiptar të formës lumjano-dibrane, me gjasë janë shqiptarë të përfshirë në proceset e përmendura. Gjatë kërkimeve të mia etnografike në terren kam hasur shumë familje serbe me përkatësi të fiseve të ndryshme shqiptare. Dukuri të tilla kam gjetur në shumë fshatra të Kosovës, sidomos në Shtërpcë të Famullisë së Siriniçës në Sharr. Të dhëna mbi serbët me përkatësi të fiseve shqiptare ka shënuar në terren edhe Bajram Kabashi. Në fshatin Cërcë familjet e serbëve: Jovan Bllagoja, Gjuriqët, Lushiqët, Ristiqët, Kërstoviqët, Qirkoviqët e Lugut të Shkieve, janë shqiptarë të serbizuar të fisit Berishë (Halimi 2000:64).

Këto fenomene etnografike, sipas etnologut Halimi, janë gjurmë dëshmimi për proceset etnobiologjike ndërmjet popujve të ndryshëm. Është vështirë të thuhet prerazi, – gjithnjë sipas tij -, për ndërrimin e kombësisë së këtyre njerëzve, a janë shqiptarë të serbizuar apo serbë që, për arsye të sigurisë personale u janë mbështetur fiseve shqiptare. Për sa i përket veshjes popullore, kjo është dukuri e ashtuquajturës mimikri, e cila çon edhe në ndërrimin e kombësisë. Gjatë sundimit osman, shkruan Branisllav Nushiq, serbët në Kosovë të gjithë mbanin në kokat e tyre plisa të bardhë të shqiptarëve për të qenë më të sigurt në punët jashtë shtëpive” (Halimi 2000: 65).

Kjo situatë reflektohet edhe në gjuhë, ku në ligjërimet e Kosovës ka dhe interferime të ndërsjella linguistike shqiptare-serbe: para nji javë dite, para nji muj dite (serb. pre nedelju dana, pre mesec dana), të cilat duhen shpjeguar me simbiozën e gjatë të këtyre dy popujve, ku ka pasur dhe asimilime gjuhësore. Në shqipen e mirëfilltë thuhet: para një jave, para një muaji.

Për vaktet e ushqimit Kosova përdor: kafjall (për ushqimin që hahet herët në mëngjes, rreth orës 6-7), síll (rreth orës 10-11), drék (13-15) dhe darkë (në mbrëmje, pasi të terrohet, t’i mshelnin xhât), por nuk e dallon fjalën zëmër.

Për kërkoj Kosova përdor lypë: ja pata lypë.

Kosovarizmat leksikore serbe

22.Ndër shqiptarët e Kosovës sllavizmat janë më të shumta se ndër shqiptarët e tjerë. Mirëpo, hiq serbizuat e përvetësuara prej vitit 1912 e tëhu, këto kosovarizma sllave janë të ruajtura qysh prej mesjete, – mbi çka dëshmon edhe fjalori i “Bashkimit” (1908), lënda e të cilit është nxjerrë prej shkodranishtes së re dhe prej gegërishtes së vjetër dhe në të cilën figurojnë shumica e kosovarizmave sllave (Riza 1996: 244).

Në fjalorin e të folmeve përkatëse të kosovarishtes, për shkak të sundimit gati shekullor serb në Kosovë (1912-1990), elementet leksikore që kanë hyrë nga serbishtja nuk janë të pakta. Serbishtja si gjuhë zyrtare në Kosovë dhe si gjuhë në kontakt me shqipen, e ndihmuar nga aparati shtetëror, ka selitur në të folmet shqipe të Kosovës shumë fjalë të fondit të serbizmave: apet (serb. opet)., akolla, akullim, avitem, bac (mbase nga brat “vëlla”?), baticë, bad (bodec), bellë, bërcak, bludë, brazë, brazit, breme, bubël, buxhillë, cakas, çakrraç, çepoj, çikë (nga serb. kči, kčeri), çorod, çūd (serb. čuda), çupak, çurë, çuran, çyçavtë (i), dërla-t, detelín, domaçin, domaçicë, drang, dush, fllanik, gavedar, gavodë, gërbavem, gërbinë, gërçak, gërnaç, gërzhile, gramatë, grovellë, grude, guhat, gutavë, hashov, jazbinë, jazitet, jezer, kacela-t, kaci, kaleshnik, kanop, kerr çetvor, kërla-t, kërlanë me duça, kërlanë me mazë, kaçubet, kërsh, kiçmë, klluçe, korit (me), koshiçe, kresit, kudër, kukat, kulaçe, lagraçë, lejkë, letrak, lozë, lulak, llazë, llugë, lluki, maçorr, magar, meçavë, mëstit (e), mozë, mraz, neçes, nakërliç, nemenc, novilk, nrakaleç, opçinë (serb. općina – përbashkësi), pagaçe, pallzinë, panlaç, parajkë, pastër, pastork, perexh, përmeçat, pod, rekë (pothuajse në të gjitha anët e Kosovës sllavizmi rekë e ka mbuluar fjalën shqipe lumë), piskavicë, pite e trulavtë, pizhimuzh, polar, posllom, pozhege, prashit, presoll, prezore, rekë, robt e shpīs, rovinë, rubç, sakíc, sanë, smet, smoníc, stenë, stenicë, stog, stom, struka-t, stupc, shkoç, shkulë, shkulan, shkulav (u), tana/ tanshi, tarrakop, teshlicë, tërrnakop, tërpiajkë, tërpian, torishtë, tortë, tramak, trellat, troshë, trujti, trullë, trullavtë (i), tugë, utrin/ë, vadë (arë mi vadë, arë nën vadë), vadit, valanicë, valavicë, vllaçë, vojshtinë, zamarit, zaparë, zastork, zid, zgurë, zuç, zuçak, zhallogë, zharav, zhugë (serb. šuga), etj. Tipikisht kosovare janë dhe thëniet pleonastike: çikdevojkë – vajzë me moshë martese (serb. kči, kčeri – vajzë, e devojka – vajzë), rrush grezhë – rrush ende i papjekur. Për sllavizmin çerep në Rugovë hasim të përdoret leksemën strepūj.

Në kosovarishte ka nisur të depërtojë edhe lidhëza serbishte: a (por, kurse, ndërsa) për të shprehur një kundërshti jo gjithaq të theksuar (Riza 1996: 244).

Një denduri të madhe përdorimi në të folmet e Kosovës ka dhe prapashtesa me burim nga serbishtja –av, me të cilën formohen mjaft mbiemra, disa me cilësim përbuzës: i ligavt, i derxhavt, i terpijavt, i çyrravt, i ujcavt, i brymavt, i krrutavt etj. (Deçan), keçāv (ish). Me këtë janë formuar një numër mbiemrash të nyjshëm si: i pshurravt (pshu:rr), i keçavt (keq), i shtramavt (shtrémt) etj. Kçyre çysh shtiret bre keçani i keçavt. Po ku e gjete ket gru te shtramavt mar djal.

Me prapashtesën –ājk: keçājk – grua apo vajzë me fytyrë të shëmtuar; shtërbājk – gruaja që i kanë rënë dhëmbët.

Me –an: keçan – njeri me pamje të keqe, shtërban – personi që i kanë rënë dhëmbët.

Me –icë: keçavīc.

Me –utë: keçūt – vajzë apo grua me pamje të keqe.

Nga ndikimi i serbishtes janë formuar dhe një kategori fjalësh me prapashtesën –ovinë (serb. –ovina): shiovinë – mot me shi. Ka marrë shiovinë, serb. kišovito; Skllotovinë – baltë përzier me shi, rrëshiqtë. Ish ba skllotovinë (Vushtrri). Tulavinë – tokë pjellore, me tul. Ish toka tulavi(Gorozhup).

Emra familjesh me sufiksin – (serb. ): Rukiqi, Preniqi, Klajiqi, Krasniqi, Muçiqi, Ukiqi, etj.

Emrat e familjeve: Sahitovit – familja e Sahitajve; Rexhepovitet – familja e Rexhepit, etj.

Emra personalë në të shquarën më –ja: Alija, Fazlija, Hakija, Ganija, Shukrija, etj.

Linguisti serb Ivan Popoviq (Popoviq 1956: 558) një ndikim të serbishtes në kosovarishten ka vënë re dhe te sufiksi -o në format lalo “babë”, mixho “axhë”, vito “pëllumb”, vasho “vajzë”. Sipas tij, kjo –o ka dalë prej vokativit sllav të tipit Jovo! Gjuro! Stevo!, etj., vetëm te shqiptarët, duke mos e ndier kuptimin e kësaj prapashtese të huaj, bënë kësi nominativësh dhe i shtinë edhe në gjininë femërore: vasho (vashë). Lokjo: Birma hirâmin lokjo te lidhi djalin. Dajo!, etj.

Te kosovarizmat sllave apo te huazimet sllave të mbarë shqipes, historiani Oliver Jens Schmit, i cili ka bërë një libër shumë të mirë për Kosovën (Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore Ballkanike, 2012), ka futur në këtë fond edhe fjalë të tilla si: shatë, drapër, plor, etj. (Schmit 2012: 97), të cilat në thelb i takojnë fondit të pseudosllavizmave. Ndikimet e fuqishme gjuhësore sllave ndaj shqipes, në fjalor dhe në onomastikë, por dhe në strukturën gramatikore, sigurisht nuk mund të mohohen dhe as nuk duhet të mohohen, porse ato as nuk duhen mbiçmuar: t’i jepet serbishtes ajo që i takon serbishtes dhe t’i jepet shqipes ajo që i takon shqipes. Pohimi i historianit Oliver Jens Schmit se:

Toponimet sllave, ndikimet e fuqishme gjuhësore sllave ndaj shqipes, mbishtresimi i dukshëm kulturor serb i shqiptarëve në Kosovën e mesjetës së vonshme nuk lejojnë përfundim tjetër, përveç atij se serbët në mesjetë përbënin shumicën e popullsisë në Kosovë” (Schmit 2012: 104),

nuk na duket fort i mbështetur, është aprioristik, sepse i mungojnë faktet reale. E historia pa dokumente nuk është histori. Nomenklatura gjeografike sllave në Kosovë dhe huazimet e shumta leksikore sllave nuk mund të jenë dëshmi e sigurt se popullata respektive në Kosovë ka qenë me shumicë sllave, ashtu sikurse dhe prania e elementit të theksuar latin në shqipen nuk mund të jetë dëshmi e sigurt se popullsia në këto hapësira gjeografike në periodën romake ka qenë me shumicë romake. Apo prania e madhe e elementit leksikor e kulturor turk në shqipen, nuk është kurrfarë dëshmie se popullata në Kosovë ka qenë me shumicë turke. Ky do të ishte thjesht një non sens, që nuk bën të përtypet nga historianët e proveniencës perëndimore.

Ballkanologu dhe albanologu i njohur Armin Hetzer, kur e binte puna të shprehej për ndikimin e theksuar të elementit të serbishtes në shqipen e folur dialektore, thoshte:

Për gjuhën e folur në viset e ish-Jugosllavisë një gjë është shumë tipike: makaronizmi serbo-shqiptar, sidomos në leksik” (Hetzer 2006: 238).

Numri i sllavizmave është i madh sidomos në të folmet shqipe të Kosovës, prandaj studimi i tyre ka rëndësi të madhe qoftë nga pikëpamja e gjuhës shqipe, qoftë edhe për peshën që ka për vetë historinë e gjuhëve sllave (Ajeti 2002: 187).

Interferime leksiko-semantike shqip-serbisht

23.Në ligjërimet e Kosovës shqipja dhe serbishtja janë pleksur e janë ngatërruar jo vetëm në fjalor, por dhe në morfosintaksë e semantikë leksikore. Shumë fjalë e shprehje këto dy gjuhë i kanë të përbashkëta.

Çyçe mb. 1. E vetmuar, pa kurrkënd të vetin. Kçyre çyçâ˚n çysh rri fille vetâ˚n. 2. Njeri qyqar, i ligshtë, grua qyqare, e gjorë, e mjerë. Fig. Ka metë çyçevetëm fill vetëm (Gjil.). 3. ndajf. Mënyra se si ndotemi me baltë a llucë. U bâ˚na çyçe. Mos luni n’lloç se kini m’u bâ˚ çyçe. M’u bâ˚ çyçe mos m’hajde n’shpi! (Opojë). Fraz. Çyçja a nats njeri fare i padobishëm.

Çyçán mb. 1. Njeri i ligshtë, i paaftë, frikacak (Gjilan). 2. Thuhet për një njeri të paaftë, të ngathët e që është i turpshëm. Çyçani as macën prej përsheshi s’mundet me nxerrë (Podrime, Suharekë).

Kjo fjalë me të njëjtat kuptime përdoret edhe në serbishten: kukavica fig. frikacak, lalash, poltron, e kukavac i mjerë, fatzi, qyqar (Fjalor serbokroatisht – shqip, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986, f. 323).

Hângër – kafshoj, ngrënë. M’ka hângër bleta. E ka hângër xharpni. Edhe serb. ujeo “ngrënë”.

Shpí 1. Familje. Shpija e madhe familje e madhe nga ana ekonomike. Shpija e vogël familje e vogël, e varfër ekonomikisht. Shpija e fortë familje e pasur e bukëdhënëse, që s’ka mundur askush t’i bëjë asnjë të keqe. Me përdorim të figurshëm kuća “bashkësi familjare, që e ngroh një zjarm” e kanë edhe të folmet serbe të Kosovës: Oće da ide sa sve kuću (do të shpërngulet me gjithë familjen) (Elezović 1998: 347). 2. Dhoma e ndejës për familjen, gratë dhe fëmijët. Shpija e robe.

Shpiák shtëpianik, familje e zonja; njeri pu­nëtor e mikpritës (Deç.).

Shpianík njeri i kujdesshëm për shtëpinë, shtëpiak i mirë, punon e jeton me nikoqirllëk. Asht çikë shpianike, ska çare pa dal dishka pi soje (HE). Ai që di ta organizojë mirë shtëpinë. Zot i mirë shtëpie. Ma shpijanik t’mir s’un e xhâ˚jsh korkuñ. Shpijaniki mir di me t’prit çysh duhot (Op.). Serb. domačin.

Shpinák bujar, bukëdhënës. O konë shpinak i mirë (Go.). Njeri i pasur, me shtëpi të mirë dhe që i mret mysafirët mirë (H.). Shtëpiak i mirë. Ai që është i zoti për të mbajtur shtëpinë. N’Brezne ka shum shpinaka. Edhe shpijanik: Â˚sht shpijanik i mirë Tafili (Op.).

Shpijaníke gruaja që di ta udhëheqë mirë familjen e saj. Ka rend e shije për familje ideale. Xhi t’â˚sht shpijanikja; as mos lyp ma t’mir. Shpijanikos mir xhěthmâ˚n i teprojn parot. Kot gruâ˚n e kije shpijanike t’madhe (Op.). Serb. domačica.

Shpíje (prej/ pej) Po shkoj prej shpije po shkoj në shtëpi. Parafjala prej me kuptimin “në, te” është me origjinë nga serb. pri. Gliša Elezović (Elezović 1998: 133) ka vënë re që parafjala pri e serbishtes, me kuptimin “kod” (te), përdoret në të folmet serbe në Prishtinë dhe në pjesën lindore të Kosovës: Će idemo pri nas, pri vas.

Xhâtërësia e kafshëve shtëpiake, bagëtia. Xhaja e xhallë (Reka e Gjakovës). Shënxherxhit nuk duhet me kalue me zjarm nëpër xhâ dhe me dhan pare hua, sepse asht keç (Shala e Bajgorës). Fig. Xhaja e xhallë asht i thuhet njeriut me kuptimin e kafshës. Serb. stoka – bagëti, kafshë. Fig. Stoka edna.

Lódhe? (a u) fraz. Shprehje e përditshme që përdoret shpesh në çdo takim me dikë në takimin ose kur vihet komunikimi me dikë, në kuptimin si je, si e kalon. A u lodhe? (edhe serb. jesi li umorio?). Në përgjigje: jo, jo fort.

Orientalizmat (turqizmat)

24.Një nga karakteristikat kryesore të gjuhëve ballkanike është numri i madh i fjalëve me prejardhje turke, persiane dhe arabe. Fjalët orientale në gjuhët ballkanike janë aq të shumta sa kapërcejnë çdo element tjetër (Skok 1938).

Leksemat e huazuara nga turqishtja edhe në të folmet e Kosovës zënë një vend të rëndësishëm në fjalorin e tyre, që është dhe e kuptueshme, kur të kihet parasysh fakti i sundimit të gjatë pesëshekullor osman në Ballkan dhe në trojet shqiptare.

Turqishtja thuajse pesëqind vjet ka qenë gjuhë e më të fuqishmes Perandori Osmane, që kishte shtruar një herë e mirë gjithë Ballkanin dhe qe e zonja të impononte vullnetin e vet edhe në ndryshim epokash. Gjuha e sunduesit, duke marrë fuqi diku prej ligjeve e veprimtarive administrative, e diku prej shprehjeve filozofike e fetare, e ndihmuar prapa krahëve edhe nga dy gjuhë nga më të pasurat dhe më të zhvilluarat e botës së vjetër – arabishtja e persishtja, të cilat kishin mbërritur në kulmin e lartësisë fetare, patjetër do ta bënte barbarizimin (ndikimin) e vet edhe në gjuhët e Gadishullit (Limthi l96l).

Turqishtja është folur dhe flitet në Kosovë kryesisht në qytete, por dhe në dy fshatra, pra: në qytetin e Prizrenit dhe në Mamushë të rrethinës së Prizrenit, në Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan dhe në fshatin Dobraçan të rrethinës së Kamenicës, etj.

Nga leksemat e huazuara nga turqishtja këtu do të sjellim vetëm disa, si p. sh.:

Abed, adalet, agestoz, agë, ajllak, akraba, allahile, allç, allçak, amentaxhi, amelxhi, angllashtiset, atavë, atllagí (okllai), baballak, badiballak, badihava, ballaban, barazan, batallinë, batil, batllak, baxhanakeshë, bereqatvers, beridá, besheret, beter, betershëm (i), buçuk, buradek, buzgun, byren, çaban, çergash, dajmida, davë, devdil, divan, divanhane, dogri, dostm duvar, dynxher, dynja, edephane, efë, ferk, fishek, hajgare, hakaret, halabak, halamruk, haletën (i), hallallasun, ham, hamle, hanëm, hanëmbija, hanëmçika, hanëminxhe, hanëmzoja, hardall, hargallam, harxh, hatroem, hedie, herrkë, hisedar,iftare, inxhe, irate, itibar, izë, jahu, jallah, jemení, jerum, kabahat, kabile, kafjall, kallgë, kamxhik/kapinxhik, kanak, karakoll, kasavet, koçi, koxhabash, kymet, kësmet, kyvet, llahusë, llaxhë, lloçaxhi, llokmaxhi, malukat, malluar, mastraxhi, meselexhi, mixhë, mohaxhi, naksan, nasip, agërshak, otavë, pade, pastërm, pezhgve, piçik, prize, rixha, sabí, sanxhak, shafatë, sheçerke, shiçerhanëmbija, tahret, tallë (misri), tereçi torishtë, tortë, tramak, trella-t, vesveseli, xekërr, xheriz, xhíri yzër (me), zabun, zhgunaxhi, etj. Për disa turqizma përdoren më shumë sinonime, si p.sh.: yzerhone, dephone e çenef për “nevojtore” (Lugu i Baranit).

Si për serbizmat, ashtu dhe për turqizmat, mungon një fjalor i plotë ku do të përfshihej i gjithë elementi i huazuar leksikor nga turqishtja ose përmes turqishtes në arealin linguistik të Kosovës.

Fjalë me origjinë vllahe

25.Në fjalësin e Kosovës hasim edhe një shtresë leksikore e toponimike me prejardhje nga gjuha vllahe, si refleks i pranisë edhe të elementit vllah në Kosovë dhe të ndikimeve të ndërsjella në gjuhë. Gjurmë të elementit vllah shënojnë leksemat: Gogë – murator, mjeshtër që ndërtonte shtëpitë; gogisht – mënyrë e punimit të opingave të lëkurës. Gogishte, -t – opinga lope pa rreta, me rrudha. Bac – 1. Vëllai i madh, 2. Babë, bashkë me rrjedhojat: bacalok, bacalosh, baç, baçicë, baçillak; Galë – lopë apo dele me qime të zeza. Fig. grua e papastër. Hiçju asaj gale, Galan – dash krejtësisht i zi 2. Mashkull tepër zeshkan. 3. Njeri me shtat të madh (Gjilan). Gale e zezë, Galicë – dhi e zezë etj.

Hyjnë këtu pastaj fjalë me semantikë të gjuhës vllahe:

i verdhë – “i gjelbër”. Me këtë kuptim kjo fjalë përdoret në krejt Kosovën, ndërsa për “i verdhë” përdoret turqizmi “i sarit”. Livadhi i verdhë. Kjo fjalë me këtë kuptim është huazuar nga rum. verde “i gjelbër”, përmes ekspansionit pastoral arumun. Verdhacore – lloj dardhe që piqet në verë. Verdhcīn – gjelbërim. Verdhīn – livadh apo pjesë tjetër toke që e ka pasur një burim uji afër, i cili ia ka mundësuar atij vendi gjelbërim pothuajse të vazhdueshëm përgjatë vitit (Gjak.). Emërtimi për ngjyrën e gjelbër nuk përdoret, në vend të saj përdoret i verdhë. Ish ba livadhi verdh mas vade – livadhi ka gjelbëruar shumë pas ujitjes. Ngjyra e verdhë në leksikun e Gjakovës ka dy gjegjëse, në qytet i thuhet “e sarit”, kurse në fshatra i thuhet “e luls”. Ish ba livadhi luls prej lulave.

Gjurmë romano-vllahe në Kosovë në toponimi ekzistojnë edhe te një numër topikësh dhe patronimikash: Partesh, Sharban, Llashticë, Llashkobare, Stanishor, Nishor, Muçibabë (Munţi Baba), Ponesh (Ismajli 2013: 34), Llashkadrenoc (serb. Vlaški Drenovac), Galicë, Mavriq, Murgë, Pagarushë; Vllasi, Vllasaliu, Vllahiu, Vllahinja, etj.

Romishtja

26.Në Kosovë jetonte edhe një popullsi e konsiderueshme rome, që arrinte afro 120.000 veta deri në vitet 1990, kur mjaft prej tyre emigruan për shkak të tensioneve ndëretnike në rajon. Sot atje jetojnë 30.000 veta, shumica në Rrafshin e Dukagjinit, ku janë integruar shumë mirë që në mesjetë. Në arealin e Gjakovës ka dy popullsi me lëkurë të pigmentuar, të cilat kanë karakteristika dhe tipare antropologjike të ndryshme nga njëra- tjetra: maxhupë, që në Shqipëri i quajnë “Jevgj”, “Evgjitë”, “Magjupë”, “Ashkalinj”, “Tabakë”, me tipare mesdhetare (lëkurë e pigmentuar lehtë, ose jo). Kjo popullsi është integruar me shqiptarët në aspektin kulturor dhe etnologjik. Dhe një popullsi tjetër “Gabelë”, të cilët në Shqipëri i quajnë edhe “Kurbetër”, “Romë”, “Harixhinj”, me tipare të theksuara indo-mongole. Ky grupim etnik është i diferencuar dukshëm nga pjesa tjetër e popullsisë nga gjuha dhe mënyra e jetesës. Nuk është integruar ende me popullin shqiptar, flasin gabelisht dhe shqip dhe ndajnë kulturë dhe hapësirë të ndryshme. Në Prishtinë i quajnë “Ashkali”.

Romët e Kosovës kanë qenë pionierë për hartimin e një gjuhe rome letrare evropiane dhe kanë pasur edhe radio, televizion e ente të ndryshme deri në mbylljen e tyre nga autoritetet serbe (Courthiade 2014: 139). Shqiptarët e Kosovës për romët përdorin termin maxhup, maxhupe, nga serbishtja mađupac. Si dhe ndonjë shprehje tjetër maxhupçe mënyra kur i bihet dikujt me shpinën e dorës. Ja ka tingllu maxhupçe (Vush.).

Gabel – shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “maxhup”. Jevg, maxhup, i zi, i fëlliqur. Përdoret dhe si sharje.

gabelīc – 1. Gabele, arixheshkë. 2. Shprehje mospërfillësi për dikë, me cilësimin “ma­xhupe”.

gabelisht – flas keq, si në gjuhën e gabelëve. Po flet si me fol gabelisht. 2. Ti e meriton ni shupla:k gabelisht (Reka e Gjakovës). Punë jo e mbarë; punë e ndytë mo­ralisht. Po flet fja:l gabelisht – po flet fjalë të ndyta, të pamoralshme; gabelisht, euf. për aktin seksual midis partnerëve (burrë-grua) (Deçan). Kurse romët e Kosovës për emrin shqiptar kanë krijuar egzonimin çibanho. Maxhupët dhe gabelët nuk martohen ndër vete, sepse të parët e konsiderojnë veten si shtresë më të lartë dhe janë me ngjyrë pak më të bardhë. Maxhupt për romët thonë: Me ba me pasë exhine (zina, marrëdhënie) me gabelicë, duhet të lahesh derisa të shkrihet çerminja nër kamë! Në Dushkajë i merrshin si rrogtarë (shërbëtorë) prej 6-9 muaj brenda vitit vetëm maxhupt, kurse gabelt për punë ditore (prashitje).

Gjurmë të elementit

27.Në Kosovë, krahas elementit shqiptar, serb, turk, rom, kanë jetuar edhe bashkësi të tjera etnike: çifutët, goranët, çerkezët etj.

Çifutët – ky element ishte i pranishëm qysh më 1442 në Novobërdë afër Prishtinës; gjashtë vjet më vonë përmenden 6 familje çifute, më 1737 ka pasur tregtarë çifutë në Prizren, 600 çifutë në Gjakovë, një bashkësi prej rreth 350 çifutësh në Prishtinë dhe 10 shtëpi çifutësh në qytetin e vogël Prokuplje, në verilindje të Kosovës. Autorë të tjerë të fundit të shekullit të kaluar, kanë shënuar se bashkësia e Prishtinës përbëhej nga çifutë spanjishtfolës (sefarditë); aty nga viti 1910, në Kosovë duhet të ketë pasur gjithsej 3.000 çifutë (Malcolm 2001: 221), të cilët kanë lënë edhe gjurmët e tyre në gjuhë e në toponimi, si p.sh. Varret e Hebrenjve në Velani të Prishtinës, që janë me moshë qindravjeçare, etj. Duhet cekur se bashkësitë hebreje në Kosovë ishin më shumë të lidhura me popullatën serbe sesa me atë shqiptare (Ramaj 2006: 49), prandaj dhe gjurmët gjuhësore që mund të kenë lënë në shqipen janë vështirë të hetueshme.

Goranët – janë grup etnik me fe myslimane, që jeton në krahinën e Gorës në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Origjina e tyre është e diskutueshme. Goranët janë një popull i vjetër në Ballkan. Po ashtu si torbeshët në Maqedoni ose pomakët në Bullgari, vetëm se më pak të studiuar dhe më të paktë në numër. Origjina e goranëve nuk dihet me siguri. Në vendet perëndimore në librat e historisë thuhet se bëhet fjalë për një grup kristian të Ballkanit që është islamizuar, dhe për të cilët nuk dihet sa i kristianizuar ka qenë para islamizimit (Dr. Thede Kahl, Çfarë janë Goranët? Deutsche Welle, 27.04.2009). Në goranisht autori Nazif Dokle ka hartuar një fjalor të madh “Reçnik goranski (nashinski) – allbanski”, Sofje, 2007 (Dokle 2007).

Gorançja është një diasistem shumë interesant sepse gjendet në Kosovë (dhe në pjesën fqinje të Shqipërisë), por izoglosat më të rëndësishme e lidhin gorançen me maqedonishten (theksi, nyja, etj.). Nga pikëpamja dialektologjike, Gora ndahet në dy pjesë: Gora e Epërme dhe Gora e Poshtme. Gora e Epërme është më aftër Maqedonisë, derisa Gora e Poshtme është në kufi me Opojën, ku të gjithë fshatrat janë shqipfolëse. Interesant është se derisa në dialektet e Gorës së Epërme sistemi dëftor është njëlloj si në Maqedoninë Perëndimore në përgjithësi (si nga kjo pikëpamje edhe serbisht) – d.m.th. -v-/t-/-n- (afër/netural/larg) – në Gorën e Poshtme kemi një sistem të njëjtë me gjuhën shqipe – d.m.th. -v-/-t- (afër/neutral) – që patjetër vjen nga ndikimi i gjuhës shqipe (dhe më përpara edhe të gjuhës vllahe) veçanërisht kur kemi parasysh se në dialektet fqinje ruhet opozicioni i trefishtë – nga një anë – dhe se në dialektet e tjera sllave thjeshtësimi shkon në drejtimin -t-/-n- (neutral/larg) dhe jo -v-/-t- – në anën tjetër (Friedman 2008).

Çerkezët – Përveç grupeve të tjera etnike, që nga viti 1858-1862 në Kosovë kanë ardhur edhe çerkezët, të cilët u dukën këtu pas luftës së Krimesë, të sjellë nga qeveria turke, kurse të ardhur më të rinj janë muhaxhirët boshnjakë (muhamedanë), të cilët me shumicë janë në Mitrovicë, në Ferizaj dhe kanë edhe fshatin e tyre, Mazgitin, që e ndërtuan vetë.

Branisllav Nushiq, konsull i Serbisë në Prishtinë, në kohën e Perandorisë Osmane, në librin e tij “Kosovo: Opis zemlje i naroda” I/II, Izdanje Matice Srpske, Novi Sad, 1902 (“Kosova: Përshkrimi i tokës dhe popullit”), shënon: “Në Kosovë sot ka pjesëtarë të këtyre popujve: shqiptarë dhe serbë të shqiptarizuar, serbë, osmanë, çerkezë, vlleh, hebrenj dhe romë” (Nushić 1902: 99).

Gjurmë të elementit çerkez ruhen sot në toponimi: Livadhi Çerkezit – në fshatin Studime të Poshtme të Vushtrrisë, Udha Çerkezit – një rrugë mbi Dërvar të Vushtrisë (Mulaku 2005: 165). Çerkezi – mbiemër familjar.

Muhaxhería – krahas grupeve të huaja etnike, në Kosovë është vendosur dhe popullata shqiptare e ardhur pas shpërnguljes së dhunshme nga viset e Nishit, Toplicës, Kurshumlisë, më 1878, që njihet si Muhaxheria (Drenicë). Relikte të elementit muhaxhir dalin të ruhen te disa vendbanime: Babushi i Muhaxherve – fshat në Lipjan, Mahalla e Muhaxherve (Prishtinë). Janë krejtësisht të banuar me muhaxhirë fshatrat Studimja e Epërme dhe Studimja e Poshtme – afër Vushtrrisë dhe Cecelisë. Banorët e këtyre fshatrave, – siç më ka komunikuar Ragip Mulaku, – vendësit “i shtramojshin” (përqeshnin) për gjuhën e tyre me: koma, nona, siç i shqiptonin ata këto fjalë, ndryshe nga shqiptimi i Vushtrrisë: kâma, nâna. Ka dhe mbiemra familjarë Muhaxheri dhe Muhaxhiri.

Ndryshimet dhe zhvillimet semantike

28.Leksiku popullor i Kosovës ka karakteristikat e veta edhe në fushën semantike. Përgjithësisht në të folmet e Kosovës mbiemri i vērdh ka kuptimin “i gjelbër”, ndërsa për i vērdh përdoret turqizmi i sarit. Kështu dhe verdhcīn “gjelbërim”. Kjo fjalë me këtë kuptim është huazuar nga arum. verde “i gjelbër”, përmes ekspansionit pastoral arumun. Kurse në të folmet e tjera të shqipes i verdhë përdoret me kupti­min “që ka ngjyrën e kashtës, të limonit të pjekur, të squfurit a të arit” (FGJSSH).

Për gromësirë – gazrat që dalin nga goja në mënyrë të pavullnetshme e me një zhurmë të papëlqyer, zakonisht pas ngrënies; zhurma që shkaktohet kur dalin këto gazra, në Kosovë përdoret gogsim. Po gogson. Po gogsojke, guksoj.

Në aspektin e lidhjeve familjare, për ata që i kanë baballarët vëllezër apo nënat motra, përdoren çika e axhës, djali i axhës, çika e tezes, djali i tezes, tezak, tezejk (Gjakovë), kurse në rrethina të tjera këta quhen kushuri, kushurinë (Gjilan, Kërçovë). Ndërkaq, në anë të Dukagjinit të Kosovës kushëri e kushërinë quhen djali i djalit të axhës, vajza e vajzës së axhës, djali i djalit të tezes, që janë një hap më larg, që nuk janë bash të axhës apo të tezes (Gjakovë).

Në terminologjinë e sferës familjare për emërtimin dhe nocionin e vajzës në ligjërimet e Kosovës bëhet ky distinkcion leksikor e semantik: çīk – vajzë e pamartuar, çikdevōjk – vajzë e rritur për martesë, dhe bijat – vajza të martuara.

Në rrafshin semantik në fjalorin e Kosovës bie në sy dhe përdorimi i leksemës katunar – cilësim që përdoret sidomos në Gjakovë, si një tipar dallues ndërmjet “qytetarit” (njeriut të kulturuar) dhe “katunarit” (nje­riut të pakulturuar). Në qytetin e Gjakovës “qytetarët” përdorin një cilësim të tillë: Katunarin 100 vjet zije n’sherbet, katunar se katunar. Apo hajde t’lujna shqiptarët me katunarët. Në Gjakovë dhe në Prizren “qytetarët” madje kanë folur dhe turqisht vetëm për të mos u identifikuar me “katunarët”. Sipas kategorive sociale, edhe për të emërtuar vllehtë bëhet një distinkcion i tillë: cincar (për urbano vllehtë, që janë marrë me zanate të ndryshme në qytet), dhe aromân (për vllehtë nomadë, çobenjtë, që kanë pasur ngulime të përkohshme baritore).

Folja mbyt, mbytur “që është mbytur në ujë”, në të folmet e Kosovës përdoret me një shumësi kuptimesh që shënjojnë “vdekjen” në të gjitha situatat: ish mytë n’deti, ish mytë me kerr – është vrarë në komunikacion; ish mytë n’mal.

Leksema tipike të kosovarishtes

29.Në fushën e fjalorit karakteristikë e ligjërimeve të Kosovës është se shumë fjalë që janë të mbarë gjuhës dalin te këto të folme me gjegjëse të tjera, disa të proveniencës serbe ose turke, si:

E folura e Kosovës               fjalësi i mbarë gjuhës:

Bullë                                   krushkë

Cung                                  trung

Çysh je?                             si je?

Detelinë                             tërfil

Dud                                    man

Fërkem                              gjurmë

Fillë                                    menjëherë

Gjoks                                 kraharor

Idhc                                    tëmth

Kajushë                              lejlek

Katëdhetë                          dyzet

Kërkoj                                provoj (gjellën)

Knus                                  gjel

Konop                                litar

Kurrë, hiç.                         asnjëherë

Lyp. Ja pata lypë.               kërkoj

Maçorr                              dac

Midisdite                           mesditë

Nallogë                              hurdhë

Pasul                                  groshë

Pus, puçillë, buxhellë       hurdhë

Rê                                       rrufe

Sahí/ ásli                           vërtet

Sanë                                   bar

Shkyj                                  gris

Shokë                                 brez

Shtagë                                shkop

Tesha                                 petka

Tânë                                të gjithë

Tlina                                  brekë

Torishtë                             vathë

Thi                                     derr

U dridh toka/ zerzele       tërmet

Ujë të valë                       ujë shkul

Varrë                                plagë                    

 

Fjala derr del të përdoret vetëm në shprehje të ngurosura: Derrku i thiut (Vushtrri). Pastaj në Kosovë vërehet dhe mungesa e numërorit dyzet, që ekziston në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme, dhe është shumë i vjetër. Kosovarishtja këtë e ka zëvendësuar me katërdhēt. Për i vjetër ligjërimet e Kosovës përdorin i moçëm (sene t’moçme, raki e moçme, shpia t’moçme, krojet e moçme).

Në arealin e Rugovës, një zonë me tipare etnografike e gjuhësore mjaft arkaike, kemi evidentuar të përdoren leksemat tramo – përpjetë, dhe trapo – teposhtë.

Tek emrat e ditëve të javës hasim dallime të fonetike të tilla: e dielle dhe e dille (Drenicë), e dīll (Duk.), e dĭll (Ana Morava). Përtej këtyre të folmeve, khs. dhe e dielë (Korçë), e dīll (Kërçovë). Kurse emrat e tjerë shqiptohen me një –e fundore: e hane, e marte, e mërkure, e shtune.

Në të folmen shqipe të Jabllanicës së Epërme gjejmë fjalë shumë arkaike e të bukura, me të cilat mund të zëvendësohen edhe disa sllavizma, si:

Rregullí, -t emër përmbledhës për njerëzit e një familjeje. Në Kërçovë kjo fjalë del të përdoret vetëm në nëmë a mallkime: temel e rregullejë mos i mettë.

Prapshtí – hijesirë, vend që s’e zë dielli; sll. osoj. ant. Rreze.

Shtúe, -(on)i rrjedhë uji nën tokë në stinën e pranverës.

Tfillúeshum (i, e) njeri i shkathët, që hap rrugë në çdo punë.

Ndërkaq, në fushë të morfologjisë, tipari kryesor është përdorimi i paskajores, por krahas kësaj sporadikisht të gjitha folmet e Kosovës përdorin dhe lidhoren.

Elemente sociolinguistike: Gjuha e burrave dhe gjuha e grave

30.Në rrafshin sociolinguistik me interes janë dhe disa elemente gjuhësore a pasthirrma që përdoren ndryshe në gjuhën e burrave dhe në gjuhën e grave, si p.sh.:

Përzo përnjëmend, me të vërtetë (në gjuhën e burrave). Përzo me erdh mir që filani kish hi n’pun, kish krye shkollën. Në gjuhën e grave përzë(t): Përzë(t) mori shoqe, boll u gzova çë t’i kish le rejes djal (nga për zotin) (Buk., Suharekë).

Hej-o kështu e thërriste burri gruan e vet në Bogaj të Rugovës, si dhe baxhi. Kurse gruaja burrit i drejtohej me: Or ti, për të mos ia përmendur emrin njëri tjetrit për arsye të turpit social (Rugovë).

He – përgjigje ndaj thirrjes; urdhëro! çka po do? O Hasan o! – He, more! (Lugu i Baranit).

urdhëro, hë, e përdorin femrat kur përgjigjen (Reka e Gjakovës).

Hēj Shprehje me të cilën burri thërriste gruan. Oj he:j! Hejo! (Deçan).

Në thirrjen: Oj Shkūrt, gjinia femërore përgjigjet: Hoooja! Kurse në thirrjen: O Ramadan, personi përgjigjet: Hou ose hoja! (Deçan).

Kukupasthirrmë që e përdorin burrat dhe gratë për të shprehur habi të madhe.

Çyçjapasthirrmë që e përdorin vetëm gratë. Çyçja une shka e paska xhēt.

Tybe – përbetim që e përdorin edhe burrat edhe gratë. Për përforcim përdoret dhe: Tybe, treçin tybe. Në zonën e Kërçovës ky përbetim përdoret vetëm në gjuhën e grave.

Valláhi – përbetim në Zotin. Përdoret në gjuhën e burrave dhe të grave. Për përforcim dhe: Vallahi, bilahi, tallahi s’e ke mārr! Në shqipen e Kërçovës kjo shprehje përdoret vetëm në gjuhën e burrave vallohej, jo dhe në atë të grave.

Varësisht nga situata të ndryshme të komunikimit, në ligjërimet e Kosovës janë të vërejtshme dhe dallime të tjera, si p.sh.:

Çysh je?, çysh jeni?- kur folësit janë afër njëri-tjetrit.

A jeni, si jeni (burra) – kur folësit janë në distancë, larg njëri-tjetrit.

Tipare leksikore fshat-qytet

31.Te disa fjalë vërehet dallimi fshat – qytet për sa i përket përdorimit të tyre. Kështu, p.sh. qyteti i Gjakovës përdor fjalën turke ashçihane “dhomë e veçantë e ndërtuar në oborr të shtëpisë ku përgatitej ose ruhej ushqimi, bulmeti”, kurse në fshatrat e kësaj rrethine përdorin fjalën çarranik, e cila emërton të njëjtën gjë.

Dallime leksikore konfesionale

32.Të vërejtshme janë edhe dallimet leksikore konfesionale. Te katolikët e Klinës përdorin e prene, kurse te myslimanët e premte. Po kështu, te komuniteti katolik përdorin edhe emra personalë: Prene, Marte etj., të cilët nuk i hasim te popullsia myslimane.

Tipare të tjera

33.Për të treguar banorin fshatrave përdoren mbaresat – si dhe – ni, për gjininë mashkullore: i gjylekar-si, i remnik-si, i goden-si, i budrik-si; mogilla-ni, stublla-ni etj., dhe për gjininë femërore -jka: stubllaj-ka, mogillj-ka, smiraj-ka etj. (areali i Moravës së Epërme).

Përdorime pa parafjalën me:

Ish mush frym – ishte mbushur me frymë.

Ish mush bazeni ŭj – ishte mbushur bazeni me ujë.

Me pre, e pren delen – ther delen.

Shqiptimi me ĭ të shkurtër dhe me ī të gjatë të fjalës fjalë shtëpi në kontekste të ndryshme:

Shkoj në shpĭ – shkoj në shtëpi.

Marova ni shpī – mbarova një shtëpi.

Po shkoj pi shpije – po shkoj në shtëpi.

Përgjigje mirësjelljeje kur falënderojmë ose na falënderon dikush:

T’u rrīt jeta! (kur dikush na kryen ndonjë punë).

Kofsh me ner e faqe t’bardh!

Me ner kofsh e faqe t’bardh!

S’ka përse (serb. nema zašo, turq. neden hiçbir)

Në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit fjala baltë nuk gjen përdorim, në vend të saj përdoret lloç. Me këtë rrënjë, për tokat me llum e ujë, janë formuar emërtimet: lloçishtë, llomishtë, lloçavinë, lloçnajë etj. Në të folme të ndryshme veriore të Shqipërisë, për tokat e tilla hasen emërtimet si: baltinë, baklticë, baltore, baltake, baltanike, baltishtë, baltovinë, baltushë etj.

Kosova shumëgjuhësore

34.Njerëzit e Kosovës: shqiptarë, serbë, ashkalinj, ciganë, cergashë, turq, çifutë, egjiptianë, kroatë, boshnjakë, goranë etj. flasin shqip, serbisht, turqisht, gorançe, cigançe. E kuptojnë gjuhën e tjetrit dhe në momente flasin në gjuhën e tjetrit. Kur diskutojnë dhe bëjnë shaka brenda një brasserie gjithsekush sforcohet të përdorë gjuhën e tjetrit (Gentilini 2015: 62). Këta kanë marrë e kanë dhënë edhe në fushën e fjalorit, siç mund të shihet dhe në këtë botim që kemi gatitur për shtypje. Ky glosar paraqet një dokument të rëndësishëm të literaturës linguistike albanologjike e ballkanologjike ngase paraqet një gjendje të konservuar të fjalësit të arealit të Kosovës. /Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/

Bibliografia

Ahmetaj 1985 = Ahmetaj, Mehmet, Ekspeditat dialektologjike të vitit 1983, Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave filologjike, 14-1984, Prishtinë, 1985.

Ajeti 2002 = Ajeti, Idriz, Vepra 5, ASHAK, Prishtinë, 2002.

Anekdota 1987 = Instituti Albanologjik i Prishtinës, Anekdota I, Prishtinë, 1987 (Përgatitur nga Anton Çetta, Fazli Syla, Anton Berisha).

Curri 2013 = Curri, Fadil, Hani i Elezit leksikor me frazeologji, Shkup, 2013.

Barjaktaroviq 1955 = Barjaktaroviq, B. M, Jeta dhe zakonet e shqiptarëve – prej ardhjes së turqve deri në ditët tona, Përparimi 7-8, Prishtinë, 1955.

Bogaj 1990 = Bogaj, Halil, Frazeologjizmat popullore në Drenicë, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Courthiade 2014 = Courthiade, Rromët dhe gjuha e tyre, Revista “Perla” 1/2014, Tiranë, 2014.

Çabej 1994 = Çabej, Eqrem, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 1994.

Dokle 2007 = Dokle, Nazif, Reçnik goranski (nashinski) – allbanski, Sofia, 2007.

Elezović 1998 = Elezović, Gliša Gligorije, Rečnik Kosovsko-Metohiskog dijalekta, Priština, 1998.

Gentilini 2015 = Gentilini, Fernando, Ballkani pa anë e pa fund – Udhëtim sentimental nga Prishtinas në Bruksel, DITURIA, Tiranë, 2015.

Halimi 1985 = Halimi, Mehmet, Kërkime dialektologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1985.

Halimi 1994 = Halimi, Kadri, Studime etnologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1994.

Halimi 2000 = Halimi, Kadri, Trajtime dhe studime etnologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2000.

Halimi 2011 = Halimi Kadri, Fjalë të rralla nga të folmet popullore të Kosovës, Trajtime dhe studime etnologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011 (Fjalët janë shënuar në vitet 1958, 1960, 1961 dhe 1970).

Hetzer 2006 = Hetzer, Armin, Intervistë, “Universitas”, Revistë për Shoqëri, Shkencë dhe Kulturë, Tetovë, 2006.

Ismajli 2013 = Ismajli, Rexhep, Diskutime për prejardhjen e gjuhës shqipe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 32/1, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 2013.

Kuteli = Kuteli, Mitrush, Në Prizren midis të vdekurve dhe të gjallëve, Prizren, 1943.

Limthi l96l = Limthi, Lok, Fjalët turkisht ose t` ardhuna me anën e turkishtes në “Lahuta e Malcisë”, Shejzat, 3-4, l96l.

Malcolm 2001 = Malcolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër, KOHA, Prishtinë, 2001.

Mehmetaj 2011 = Mehmetaj, Bajram, Fjalori dialektor i së folmes së Deçanit, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011.

Montarelli 2004 = Montarelli, Indro, Shqipëria një dhe një mijë, Eugen, Tiranë, 2004.

Nušiç 1902 = Nušiç, Branislav, Kosovo: Opis zemlje i naroda” I/II, Izdanje Matice Srpske, Novi Sad, 1902 (Kosova: Përshkrim i vendit dhe popullsisë, përktheu Rrahim Sadiku, Zgjimi, 2015).

Popoviq 1956 = Popoviq, Ivan, Elementet e sllavishtes së jugut në gjuhën shqipe, Përparimi 9, Prishtinë, 1956.

Ramaj 2006 = Ramaj, Albert, Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë. – “Universitas” Nr. 8. – Revistë për Shoqëri, Shkencë dhe Kulturë, Tetovë, 2006.

Riza 1996 = Riza, Selman, Vepra 1, ASHAK, Prishtinë, 1996.

Rukiqi 2012 = Rukiqi, Mehmet, Anekdota popullore VI, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012.

Skok 1938 = Skok, Petar, Përpjekja Shqiptare, 14-15, 1938.

Spiro 2010 = Spiro, Aristotel, Shqip (Sprova gjuhësore dhe artikuj), Alcaeus, Shtypur në Shqipëri, 2010.

Shkodra 2011 = Shkodra, Valon, Origjina e plisit vazhdimësi iliro-shqiptare, Albanologji 2, Vëllimi 1, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2012.

Schmit 2012 = Schmit, Oliver Jens, Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike, Botues KOHA, Prishtinë, 2012.

Vlahoviç 1984 = Vlahoviç, Petar, Narodi i etniçke zajednice sveta, “Vuk Karadziç”, Beograd, 1984.

Zymberi 1979 = Zymberi, Abdullah, Fjalorth i fjalëve të rralla, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Exit mobile version