Telegrafi

Udhëtari i 1 milionët, 20 ditë më herët se vitin e kaluar

Vitin e kaluar udhëtari i 1 milionët kaloi në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës me datë 12 Nëntor.

“Në 2008 për herë të parë në historinë e këtij aeroporti u arrit dhe u tejkalua shifra prej 1 milionë udhëtarësh me ç’rast organizuam dhe një ceremoni. Këtë vit, nëse gjithçka do të ishte normale, kalimi i udhëtarit të 1 milionët nuk do të përbënte lajm. Por, duke pasur parasysh krizën dhe rënien e numrit të udhëtarëve gati në të gjitha aeroportet e regjionit, kalimi i këtij udhëtari 20 ditë më herët se vitin e kaluar, paraqet një statistikë optimiste dhe rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve”, tha Drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.

Gjatë vitit 2008, ANP pati 1 milionë e 137 mijë udhëtarë komercial dhe 100 mijë ushtarakë. Shprehur me shifra rritja e numrit të udhëtarëve deri në këtë periudhë, krahasuar me vitin e kaluar, është rreth 5 përqind, ndërsa numri i fluturimeve është rritur mesatarisht për 17 përqind.

“Masat që ndërmorëm për të mos u përfshirë nga kriza dhe për të rritur tutje numrin e udhëtarëve si fillimi i punës gjatë orarit të natës apo aeroporti i hapur 24 orë, veprim ky që rriti kapacitetet e pritjes të aeroportit, dhe programi nxitës për kompanitë ajrore që rriti për 17 përqind numrin e fluturimeve, dhanë efektin e tyre pozitiv. Jemi shumë të kënaqur që për vitin 2009 nuk e ndjemë krizën”, tha tutje Drejtori Mustafa.

Nga publikimi i statistikave në websajtet e tyre, gati të gjitha aeroportet në regjion janë të përfshira në rënien e numrit të udhëtarëve.

Aeroporti i Shkupit ka rënie të numrit të udhëtareve prej 7 përqind, Aeroporti i Beogradit ka rënie prej 12 përqind ndërsa Aeroporti i Zagrebit dhe ai i Lubjanës po ashtu kanë rënie mbi 10 përqind të numrit të udhëtarëve. /Telegrafi/