Site icon Telegrafi

Udhëpërshkruesi francez, për Vlorën e shekullit të kaluar: Qytet i pashëndetshëm që s’e ka gjallërinë e Pejës

"Peja: Tregu" (Foto: Gabriel Louis-Haray, 1909)

Nga: Gabriel Louis-Jaray (pjesë nga libri “Shqipëria e panjohur: Në mbretërinë e re të shqiptarëve”)
Përktheu: Asti Papa

… Në shumë nga qytetet e Lindjes, qielli dhe deti, drita e praruar, vezullimi i njollave të bardha që përbëjnë shtëpitë duke nxjerrë kokën nga gjelbërimi i harlisur, ngjyrat e forta që dridhen dhe ajri i tejdukshëm i cili afron gjithçka dhe shihet në rrafshin e parë, përbëjnë bukurinë e visores. Ato hedhin mbi qytetin një si vegull ëndrre, që shfaqet para udhëtarit që i afrohet bregut. Udhëtari zbret në tokë. Dhe, nga një vështrues i largët i asaj pamjeje përrallore ai kthehet tani në një shëtitës të zakonshëm, i cili pret me ankth ta shohë nga afër atë bukuri që ka parë e soditur nga larg. Por, shpesh, për fat të keq, ai zhgënjehet dhe mallkon vegimin, të cilin e kishte krijuar vetëm drita në sytë e tij.

Edhe Vlora është një nga këto qytete. Udhëtari zbret në një port sa për të thënë se është i tillë, ose më mirë të themi se zbret në skelën e ndërtuar nga një shoqëri e cila shfrytëzon bitumin. Disa pemë fshehin rrënojat e një fortese të madhe venedikase. Përtej shtrihet një rrugë tërë pluhur, e cila që nga dogana të çon në një qytet as të bukur dhe as tërheqës. Tregu nuk ka asgjë për të qenë dhe tezgat e tij janë fare të varfra. Sheshi i madh i qytetit është fare i rëndomtë, ashtu si dhe xhamitë pranë tij. Mungon uji i rrjedhshëm. Veshjet kombëtare të vendit këtu nuk shihen më dhe shtëpitë nuk të lënë mbresa. Ato nuk janë si kullat e Gjakovës dhe të Pejës, pra si fortesat feudale të bejlerëve shqiptarë të Veriut. Në kopshtijet e thara nuk vërehet ajo gjallëri, që i japin vijat e ujit rrjedhës Tiranës së gjelbër ose Pejës së fshehtë.

Asgjë nuk të sjell në mend këtu pamjen e veçantë të qyteteve shqiptare që gjenden në brendi të vendit. Kërkova varrezat, ku, pranë shtëpive të qytetit, vetëm disa gurë të vendosur në këmbë tregojnë varret dhe ku nën ullinjtë shekullorë kalojnë njerëz e kafshë për të kryer nevojat e tyre. Nuk e gjeta më atë lulishte të rrethuar, me atë lëmsh të përzier lulesh, pemësh dhe hardhish me vila të rënda rrushi të pjekur, që pasi i këput, mund të freskohen në ujin e akullt dhe të kthjelltë që lëviz në vijat që janë gërryer në bar.

Vlora jo vetëm që nuk është e bukur, por nuk është edhe e shëndetshme. Ajo rrethohet nga moçalishte dhe malaria bën kërdinë. Udhëtari që vjen nga Perëndimi dhe qëndron në Vlorë nuk duhet të harrojë të marrë me vete kininë dhe ta përdorë atë. Qeveria turke me atë moskokëçarjen e saj të zakonshme, nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur banorët nga sëmundja. Nuk janë mbjellë askund eukalipte, të cilët mund ta kishin tharë fare bukur mjedisin rrethues, duke zhdukur malarien endemike. Le të urojmë që qeveria e re shqiptare do të jetë më largpamëse.

Pikërisht në Vlorë kjo qeveri vendosi qysh në fillim kryeqytetin. Dhe, arsyeja ishte shumë e thjeshtë: aty kishte pronat kryetari i kësaj qeverie të parë, Ismail Qemali. Në tërë këtë pjesë të Shqipërisë, ashtu si dhe në Veri, vazhdon të mbijetojë prona feudale. Krahas fshatrave të lira, në të cilat çdo fshatar është pronar i tokës së tij, ka edhe prona të mëdha tokash, që u përkasin bejlerëve që përbëjnë klasën mbizotëruese të popullsisë. Në këto prona të mëdha tokash janë të vendosur fshatarë gjysmatarë, të cilët kalojnë aty tërë jetën e tyre si bujq dhe punojnë tokën. Sipas krahinave, ata marrin nga toka e punuar gjysmën ose një të tretën e prodhimit. Ndërmjet pronarëve të mëdhenj, në çdo pjesë të Shqipërisë, me kalimin e kohës kanë dalë disa familje që ushtrojnë ndikimin e tyre mbi të tjerat e parisë. Në Vlorë familja më e madhe është ajo Vlora ose Vlona, shtrembërim, thuhet nga emri Valona. Kryetari i kësaj familjeje është veziri i madh i mëparshëm i Perandorisë Osmane, Ferid pasha. Tokat e tij maten me orë ecjeje në këmbë. Pallati i tij ndodhet në qytetin e Vlorës, por tepër i rrënuar, sepse ai vjen e qëndron shumë rrallë në Vlorë, ku e padisin për shumë shpërdorime. Prandaj, ndikimin tradicional të familjes Vlora e ka trashëguar kushëriri i tij i varfër, Ismail Qemali, i cili ka njëfarë kohe që mbahet si kryetar i familjes. Gjatë kohës së regjimit të Perandorisë Osmane ai kishte si program pavarësinë e Shqipërisë. Kur erdhën në fuqi xhonturqit e shpalli veten si “osmanli”, por kundërshtar i Ahmet Rizait dhe i miqve të tij. Ai u lidh me “Bashkimin Liberal” dhe mandej u bë kryetar i kësaj partie. I ndodhur përballë sistemit centralizues të Komitetit Bashkim e Përparim, Ismail Qemali iu kundërvu atij dhe kërkoi decentralizimin dhe autonominë e Shqipërisë. Të gjithë bejlerët shqiptarë të viseve përqark, deri në Berat dhe Elbasan, ishin miqtë dhe ithtarët e tij. Mund të themi pa frikë se Ismail Qemali arriti të krijojë në këtë pjesë të Shqipërisë bashkimin e klasës drejtuese kundër Turqisë së re.

Në vitin 1909 Turqia u hakmor: pas kundërlëvizjes së Stambollit dhe fitores së xhonturqve, këta të fundit thanë se bejlerët e Vlorës kishin kurdisur një komplot dhe i paditën si tradhtarë ose reaksionarë. Atëherë shumica e bejlerëve u arratisën në male ose ikën jashtë. Kësisoj mund të besojmë se ata më pas, kur u erdhi radha, i përzunë dhe i ndoqën me kënaqësinë më të madhe përfaqësuesit e Turqisë së re dhe morën në dorë pushtetin, ose çka tani duket si pushtet.

Ndërkaq duhet të themi se kjo klasë e popullsisë në jug të Shqipërisë është shumë e ndryshme nga bejlerët dhe kryetarët e fiseve të malësive të Veriut …

 

Exit mobile version