Site icon Telegrafi

Udhëpërshkrim: Shkupi dhe Stambolli gjatë Ramazanit

Daut Dauti

Kohëve të fundit, sikur shumë vite më parë, të gjitha rrugët shpijnë në Stamboll. Unë mora udhën e vjetër. I rashë Grykë së Kaçanikut, Shkupit dhe Selanikut.

1. SHKUPI

Në vapën përcëlluese të parashiut, Bit Pazari pothuajse është i zbrazët. Nën pjesën e kalasë dhe në Çarshinë e Vjetër, nga qindra dyqane vetëm katër apo pesë janë të hapura dhe po aq nxitojnë të mbyllen sikur duan t’i ikin ndonjë tragjedie.

E pyeta punëtorin e një këmbimoreje për arsyen e mungesës së njerëzve dhe dyqaneve të mbyllura. “Ramazan”, më tha ai me një dozë ironie pasi mori paratë që doja t’i këmbeja në valutë maqedone. Pastaj këmbyesi, të cilit është vështirë t’ia përcaktosh etninë, mori rolin e shitësit dhe u mundua të më bindte se duhej të blija ndonjë suvenir që kishte në raftet e vendosura në dy anët e mureve. Me një shqipe të përzier me flajë maqedone e turke dhe duke qeshur e reklamonte bustin e Aleksandrit të Madh në miniaturë të variantit modern maqedon, flamujt në bronz të këtij shteti dhe ndonjë kiç tjetër.

Ëmbëltorja “Mondo” gjendet në udhëkryq të tri rrugëve që hyjnë në Çarshinë e Vjetër nga ana e Urës së Gurit. Qeveria e Maqedonisë me programin e saj për t’i dhënë pamje antike qytetit, e ka shndërruar në kiç edhe këtë urë të famshme. Në ëmbëltore njerëzit presin në radhë për bakllavë dhe të paketuara i merrnin me vete.

“Tri bakllava dhe një bozë”, ishte porosia ime për ëmbëltoristin dhe ia tregova me gisht tri tepsitë që përmbanin këto ëmbëlsira të mbytura në sherbet. I thashë që të m’i sillte në pjatë në njërën nga tavolinat që kishte vendosur jashtë, nën strehë të dyqanit. “A nuk ki Ramazan a?”, më pyeti me një habi të madhe. I thashë të mos merakosej se për këtë punë kujdeset dikush tjetër.

Rrebeshi i shiut të cilin e paralajmëronte vapa e mundimshme, më në fund erdhi dhe krijoi një çudi natyrore. Shiu i rrëmbyeshëm, flokë-flokë, nuk e kaloi Vardarin. Derisa ne flladiteshim, ata matanë Vardarit përcëlloheshin nën rrezet e pamëshirshme të diellit, do të thoshte dikush.

S’KA ÇAJ, S’KA KAFE SHKO DIKU TJETËR!

Pas shiut, kudo ngjallet jeta. Rrugës, pas shpinës sime, erdhi një vajzë e re e cila në shpinë barte një çantë të vogël të lëkurës dhe shikonte me kuriozitet pamjet otomane që ofronin dyqanet dhe kalldrëmi. Ishte turiste, me siguri. Flokët ngjyrë ari që ia mbulonin qafën e gjatë, duke e prekur pjesën e epërme të çantës, i lëviznin majtas-djathtas, sa herë që hapëronte si drenushë. Çanta në shpinë ia ç’rregullonte valëvitjen e fustanit të shkurtër dhe të hollë. Pos meje, askush nuk gjendej aty për të vështruar ecjen e saj elegante.

Mu përballë meje një kafe-çajtore ishte e hapur, por e zbrazët. Kafexhiu rrinte ulur afër banakut me të cilin ishim në distancë, nga ku mund të komunikonim. I thashë nëse mund të ma sillte një çaj. “Jo”, më tha. “Atëherë një kafe”, i thashë. Përgjigja ishte përsëri negative. I kërkova arsyen që refuzonte të më shërbente. “Se asht Ramazan”, më tha. Kjo përgjigje më shtyri t’ia parashtroja edhe disa pyetje të cilat krijuan siklet të madh për të. Në fund mora një përgjigje absurde. Më tha të shkoja në një lokal tjetër ku ai i dërgonte pijet se në lokalin e tij nuk shërbente për Ramazan.

Përballë ëmbëltores, gati pingul vjen një rrugë nga kalaja, në të cilën dikur ka qenë e vendosur administrate e Perandorisë Otomane për Vilajetin e Kosovës. Nga sokaku zbritnin katër veta, dy nga dy, me dy ombrella të cilat i hapnin sa herë që mendonin se mund t’ju binte ndonjë pikë shiu në kokë apo trup. Ishin të rinj, të pashëm dhe me “katllëqe” e kravata të cilat në Perëndim zakonisht i bartin ata që nuk ua dinë fundin parasë. Sidoqoftë, djemtë dukeshin tejet modern, vitalë dhe elegantë. Por, pamja e jashtme, siç thotë një fjalë, të mashtron. Kur ata u ofruan dhe kur panë që unë sapo kisha ngrënë bakllavë dhe kisha pirë edhe bozë, u ndalën afër meje dhe filluan të bisedonin mes vete, por për t’i dëgjuar unë se si në “botë ka edhe të atillë që nuk agjërojnë”.

A E DININ PERSONAT ME “KATLLËQE” QË KA RASTE KUR MYSLIMANI LIROHET NGA AGJËRIMI?

Pasi debatuan shkurtazi dhe në këmbë, u ulën në dy tavolina pas meje për të vazhduar me të njëjtën temë. Shpotitjet dikur morën drejtimin e provokimit. Nuk reagoja dhe vazhdoja t’i trajtoja sikur që nuk ishin aty. Pasi që ata i drejtoheshin njërit prej tyre me titullin “hoxhë”, disa herë mendova t’ju them nëse e dinin se ekzistojnë shumë raste kur personi (myslimani) lirohet nga obligimi i agjërimit. Ose, nëse e dinin se puna e agjërimit po edhe shumë punë tjera janë personale sikur që është edhe përgjegjësia. Ndoshta pyetja kryesore do të ishte: Pse këta djem me dukje bashkëkohore evropiane kanë mentalitet mesjetar?

Hoqa dorë pasi që ata nuk ishin nga njerëzit që mund të ofronin përgjigje.

Nën ëmbëltore gjendet një shesh i vogël të cilin shkupjanët e quajnë “Shadërvan” për shkak të një fontane të vjetër që gjendet aty e që sjell fllad që nga lashtësia. Sheshi, pothuajse i tëri, mbulohet nga degët e një lisi gjigant që i bënë hije vendit. Nën degët e tij gjenden tavolinat e restorantit “Shadërvan” dhe “Vavilon” (Babilon), emra që shënojnë dy civilizime të vjetra. Në njërën anë të lisit, aty ku përfundojnë degët e tij, në një ndërtesë të vjetër dhe të bukur është një lokal i cili quhet “New Orleans”, ku pronari por edhe myshterinjtë janë maqedonë. Që të tri këto lokale, atë ditë, ishin plotë me mysafirë dhe të gjithë, pos meje, ishin maqedonë.

Në “New Orleans”, para derës dhe nën një lloj çadre të madhe, një këngëtar duke ekzekutuar në “sintizajzer” (kaq ishte e tërë orkestra e tij) këndonte një këngë monotone në gjuhën e tij. Dikur ia krisi në anglisht dhe u bë edhe më irritues, jo vetëm për shkak të mënyrës se si i theksonte zanoret, por më shumë që nuk ia përngjante origjinalit.

JEVGJIT QË THITHIN AROMËN E NGJITËSIT DHE LUFTA PËR NJË QESE

Në pjesën e “Shadërvanit” ku isha unë, erdhën dy fëmijë të cilët në paketa të vogla shesin cigare, çokollata, sakëza apo diçka tjetër. Këta janë pasqyra ku mund ta shohim turpin e shoqërisë sonë. Pasi që nuk bleva asgjë dhe pasi që ju fola shqip, njëri i tha tjetrit në mënyrë habitore: “Ky nuk paska as Ramazan”!

Në semaforët e kryqëzimit të rrugëve afër “Mavrovkës” një grup fëmijësh jevgj vraponin pas veturave që ndaleshin për të kërkuar lëmoshë. Nga qeset që mbanin në duar, herë-herë, thithnin aromën e ngjitësit që është një lloj droge. Një nga ta qëndronte i vetëm në anën e trotuarit ku ecja unë. Papritmas para tij u ndalë një veturë me targa diplomatike. Një dorë me një qese të najlonit u zgjat nga dritarja dhe jevgu i vogël vrapoi ta merrte. Qesja ishte e madhe dhe kjo dhuratë e gëzoi shumë. Por, gëzimi i tij shpejt u shndërrua në hidhërim. Grupi që ishte në mes udhëkryqit, fluturimthi vrapoi në drejtim të këtij që mori qesen. Më i madhi nga ta e grabiti qesen me dhunë dhe zgjodhi gjërat që deshti. Pastaj të gjithë vepruan njësoj, me radhë. Pasi që jevgu i vogël e ndjente veten pronarë të qeses, e kundërshtoi këtë veprim për të cilën gjë u rrahë pamëshirshëm nga grabitësit dhe mbeti duke qajtur me një çokollatë të vogël në dorë të cilën e shikonte duke mos dashur të besonte në atë që i ndodhi.

Në Stacionin e Autobusëve shihen grupe të refugjatëve sirianë që kërkojnë të largohen nga Shkupi për diku tjetër në veri, sa më thellë në Evropë. Shumica e tyre vijnë nga Greqia me biçikleta, pasi që autoritetet greke dhe maqedone ua ndalojnë përdorimin e transportit publik të autobusëve dhe trenave. Në fytyrat e këtyre njerëzve të pafat shihet një lodhje dhe mjerim i rëndë. Silleshin si hije dhe të hutuar nëpër stacion dhe mundoheshin ta gjejnë destinacionin e ardhshëm. Në stacion hasen edhe grupe shqiptarësh.

TAKSISTI: HANË E PINË MËTANË E TË TJERËT I KËRCËNOJNË TË PUNOJNË PËR RAMAZAN

Në lokalin “Шехерзада” (Sheherzada) kamerierët ofrojnë një lloj shërbimi me përtesë dhe mospërfillje. Zgjodha (me qëllim) tavolinën që ishte afër dy vetave që dukeshin se ishin shqiptarë. I pyeta nga janë dhe ku shkojnë? “Jemi nga Shqipëria dhe nuk e dimë ku shkojmë. Po na përzë shteti”, tha njëri. Kërkova sqarim për fjalinë e fundit, por atyre u mungoi disponim për bisedë.

Kur filloi të binte muzgu, sytë më shkuan nga pjesa veriore e qyteti ku gjendet “Vodno”, një kodër e madhe që pasditeve i bën hije qytetit dhe në majën e të cilës qeveria maqedone ka vendosur një kryq gjigant. Mu në atë moment kryqit iu ndezën dritat dhe filloi të shkëlqente. Duhet të jem me fat pasi që kjo pamje nuk mund të shihet çdo ditë. Pak më vonë, në tavolinën përballë meje, u ulë një grua me qëndrim tamam si “sheficë” ballkanike. Më vonë u pa se ajo ishte pronarja e “Шехерзада”-s. Mbi tavolinë vendosi disa lloje djathërash, ullinj, hurma, bukë, pite dhe disa gjëra tjera që nuk mund t’i dalloja. E shikonte orën dhe e zgjaste kokën për të parë kandilat e ndonjë minareje në veri të qytetit. Pas disa minutash mori një kokërr hurme dhe e zgjati dorën në drejtim të shishes me ujë. Iftar.

Në parking të taksistëve një i ri doli nga një “Mercedes” i vjetër që mezi qëndronte mbi rrotë. “Taxi?”, mu drejtua. Taksistët gjithkund janë të njëjtë. Ata i dinë të gjitha për vendin ku punojnë. E fillova bisedën me dyqanet e mbyllura dhe përjetimin tim të asaj dite. Disa prej dyqanxhinjve vërtetë nuk dalin në punë për shkak të Ramazanit, kurse një pjesë tjetër solidarizohet me ta pa dashtë, por pjesa më e madhe, siç tha ai, nuk guxojnë t’i hapin dyqanet për shkak se kërcënohen. “Nga kush kërcënohen”, e pyeta. “Nga ata që dëshirojnë të na e shkatërrojnë fenë, kombin, politikën dhe të ardhmen tonë. Ata vetë dalin dhe hanë e pinë në pjesën maqedone, kurse pjesën e vet e lënë shkret… he nanën va q… Këta janë ata që po i dërgojnë të rinjtë me vdek në Siri”, u përgjigj taksisti me shqetësim.

Ai vazhdoi ta shpjegonte këtë situatë duke ua “shuluar” nënën mjaft shpesh dhe me mllef këtyre njerëzve, por edhe politikanëve të të gjitha trevave shqiptare. Megjithatë, mllefi i tij tregonte për një radikalizim të rrezikshëm të disa shqiptarëve myslimanë. Shto këtu marrëdhëniet, gjithnjë të tensionuara në mes shqiptarëve dhe maqedonëve, Shkupi nuk duket qytet në të cilin mund të rehatohet individi.

2. STAMBOLLI

Në mëngjesin e hershëm Selaniku duket ende i fjetur. Qyteti ka rënë në një gjumë të rëndë. Në autostradën që hyn e del nga qyteti qarkullimi i automjeteve është tejet i vogël për një qytet të madh çfarë është Selaniku. Ndoshta për shkak të krizës që ka kapluar këtë vend grekët, nuk kanë më arsye të zgjohen herët.

Në kufi nuk i shihet fundi kolonës së kamionëve të mbushur me mallra që presin në anën turke për të hyrë në Greqi. Në anën e kundërt, nga Greqia për Turqi, asnjë. Kjo situatë me siguri e shpjegon gjendjen ekonomike të këtyre dy vendeve fqinje.

Paralagjet e Stambollit janë shndërruar në kantiere ndërtimi. Qytete të tëra, të madhësive të Kosovës, duket se ndërtohen përnjëherë brenda hapësirës që mëton të quhet Stamboll. Numerikisht, ka kohë që qyteti ka kaluar shifrën 15 milionë banorëve. Në mesin e tyre bën pjesë edhe një “kastë” e re e shqiptarëve, numri i të cilëve me siguri është më i madh se 1000. Ata janë studentë që vijnë nga të gjitha viset shqiptare që shkollohen në shkallë të ndryshme universitare, kryesisht me shpenzime të fondacioneve të ndryshme turke ose nga buxheti i shtetit turk. Nga bisedat me ta merret vesh se niveli arsimues i universiteteve të Stambollit është solid.

TË GJITHA SHITORET E HAPURA DHE FSHATI SHQIPTAR

Në qendrën e qytetit të gjitha shitoret janë të hapura deri në syfyr kurse restoranet janë plot me turistë por edhe me vendas. Stambolli i paraqitur në udhëpërshkrimet dhe pikturat e artistëve evropianë të shekujve XVIII dhe XIX pothuaj se nuk ekziston. Mungesa e tyre gjendet në kujtimet melankolike të shkrimtarit Orhan Pamuk të shprehura në tregimet e tija për këtë qytet. Megjithatë, kanë mbetur mjaft objekte për të tërhequr turistë nga bota, numri i të cilëve në vitin 2013 ishte rreth 11 milionë. Radhët e vizitorëve janë të gjata para dyerve të Aja Sofisë, Xhamisë së Sulltan Ahmetit, Xhamisë së Kaltër, Gjylhanes dhe Dolmabahçes që gjendet afër Stadiumit të Beshiktashit dhe nga i cili pallat tre sulltanët e fundit kanë qeverisur me mund të madh mbetjet e Perandorisë.

Një turne me anije nëpër Bosfor e Marmara zbulon pjesët e bukura të qytetit, pallatet dhe vilat përrallore ku jetojnë të pasurit dhe të fuqishmit e shoqërisë turke. Në këtë mes ekskluziv gjendet edhe Arnavutköy (Fshati Shqiptar). Stambolli nuk ka qenë rastësisht kryeqytet i dy perandorive.

Ramazani, për dallim nga Shkupi të cilin e kishte kapluar një zymtësi mesjetare, në Stamboll kishte sjellë atmosferë festive. Në Shkup vetëm brenda një dite më pyetën disa herë për Ramazan, kurse në Stamboll, edhe pse qëndrova disa ditë, nuk më pyeti askush, asgjë për këtë punë. Ky dallim me siguri flet shumë.

Stambolli është stolisur për këtë rast. Komunat në hapësirat e tyre shtrojnë iftar falas për qindra e disa edhe për mijëra njerëz në radhët e të cilëve dominojnë refugjatët nga Siria. Në këto hapësira organizohen koncerte dhe ligjërata për të argëtuar, arsimuar dhe për t’ua shkurtuar njerëzve pritjen e iftarit. I tërë organizimi dhe karakteri i iftarit ka më shumë karakter kulturor se sa religjioz. Sipas një këshille, për të parë aspektin religjioz të Ramazanit duhet vizituar ndonjë paralagje të Stambollit.

“AH ISTAMBUL” – QYTET PLOTË GJALLËRI QË NUK NDAL RRITJEN E ZHVILLIMIN

Bagcilar është një komunë e Stambollit që gjeografikisht gjendet në mes aeroportit (Ataturk) dhe qendrës së qytetit dhe numëron gati dy milionë banorë. Banorët e kësaj komune cilësohen si konservatorë. Recep Tayyip Erdoğan (shkronja ğ nuk shqiptohet) këtu është hero, kurse Orhan Pamuk konsiderohet si një shkrimtar që ka fituar çmimin Nobel për shkak se shkruan keq për Turqinë.

Banorët, për shkak të pozitës që ka kjo komunë, kanë përfituar nga zhvillimi i hovshëm ekonomik i dy dekadave të fundit. Në hotelet, spitalet, qendrat tregtare, zyrat e ndryshme dhe në fabrikat e sapondërtuara popullata ka përmirësuar gjendjen ekonomike dhe ka forcuar pozitën e shtresës së mesme në shoqërinë turke. Me këtë ka ndryshuar edhe mënyra e tyre e të menduarit dhe kjo pjesë më nuk duket edhe aq shumë konservatore siç konsiderohet.

Në Kirazli të Bagcilarit, para iftarit, restorantet mbushen me njerëz. Në njërin prej tyre gjeta vend në një tavolinë me tri turke të moshave të ndryshme që kuvendonin hareshëm mes vete. Për fat të keq nuk mundëm të ndërronim shumë fjalë se nuk ia dinim gjuhën njëri tjetrit. Kjo më ofroi mundësi që të vështroja njerëzit tjerë. Duket se janë të vendeve dhe racave të ndryshme: turq (të cilëve te ne disa kanë dëshirë t’u thonë aziatikë), arabë, evropianë dhe të atillë që te ne u thonë kinezë apo mongolëe por që në fakt janë nga ish-republikat sovjetike dhe për të cilët Turqia është bërë atraktive për investime, vizita dhe studime. Burrat në restorant, por edhe gjetiu, janë të veshur “alla franga” kurse nga gratë ka prej atyre me shamia dhe fustane të gjata e deri te ato pa shamia dhe me minifunde.

Dihet çka hanë shqiptari në Stamboll: “Arnavut Ciğeri”. Ky specialitet, edhe pse ishte në meny nuk ishte në planin e kuzhinierit, por kur u mor vesh se unë isha “jabanxhi” dhe plus “arnavut”, ai bëri një përjashtim. Pak minuta para iftarit tërë mysafirët e kanë përpara ushqimin e porositur. Të gjithë presin çastet e fundit. Me siguri për shkak të respektit, kështu pret edhe një çift turistësh evropianë që mund t’i shihja me bisht të syrit dhe që i dëgjoja se flisnin gjermanisht.

Pas darkës, gjysma e njerëzve u largua nga restoranti kurse ata që ishin në shtëpi filluan të dilnin nëpër ballkone për t’u flladitur dhe për të vazhduar me ushqimin shtesë që zakonisht janë bakllavatë. Kjo është koha kur cingërojnë “bardak”-të e çajit dhe kur thikat qajnë lëvoret e bostanit. Kjo kohë shoqërohet edhe me muzikë. Nga një ballkon vinte zëri i ëmbël i këngëtares sime dikur të preferuar, Sezen Aksu: “Ah Istambul”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version