Udhëheqësit evropianë kanë shtuar thirrjet që Shtetet e Bashkuara të mbajnë trupat në Kabul përtej afatit të fundit të muajit për tërheqjen e tyre, teksa përgatiten për një samit special të G7 të martën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kriza në vend do të dominojë diskutimet në takimin virtual, të organizuar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa nxitimi vazhdon të përpiqet të përfundojë evakuimet nga Afganistani në kohë.
Kryeministri britanik Boris Johnson dhe të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron po e shtyjnë Joe Biden të zgjasë afatin e 31 gushtit që vendosi presidenti amerikan për tërheqjen totale të forcave amerikane.
Kjo do të ndihmojë në “nxjerrjen” e mijëra shtetasve të huaj, si dhe afganë që punuan ose mbështetën ndryshe operacionin e NATO-s të udhëhequr nga amerikanët.
Por talebanët kanë këmbëngulur që forcat perëndimore duhet të përfundojnë evakuimet deri në fund të muajit.
Mes kaosit që u zhvillua rreth evakuimeve në Kabul javën e kaluar, dhe nën presionin e aleatëve, Biden ka thënë se diskutimet ushtarake janë duke u zhvilluar mbi një zgjatje të mundshme.
Gjermania po bisedon gjithashtu me Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe aleatët e tjerë në mënyrë që të mbajë aeroportin e Kabulit të hapur për evakuime përtej 31 gushtit, tha Ministri i Jashtëm Heiko Mass.
Kryeministri britanik pritet gjithashtu t’i bëjë thirrje udhëheqësve botërorë që të përforcojnë mbështetjen e tyre për refugjatët afganë dhe ndihmën humanitare, si dhe të zhvillojë një strategji afatgjatë për Afganistanin, kur ai të jetë nikoqir i samitit.
Samiti i G7 i së martës do të bashkojë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA, Kanadasë dhe Japonisë, dhe do të zhvillohet me video lidhje pasdite.
Krerët e NATO -s dhe OKB -së janë ftuar gjithashtu. /Telegrafi/