Telegrafi

Udhëheqësit e G-20, dakord mbi përgjysmimin e deficiteve brenda një afati

Kryeministri kanadez Stephen Harper njoftoi planin në përfundim të takimit të nivelit të lartë të G-20 të dielën në Toronto.

Përmes një konference shtypi, presidenti amerikan Barak Obama mbështeti synimin për shkurtimin përgjysmë të deficitit amerikan deri në vitin 2013. Ai tha se afati për planin është në pajtim me qëndrimin amerikan por ai tha se synimi i tij kryesor është krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike.

Obama pati shprehur shqetësime se shkurtimi i shpenzimeve në menyrë drastike mund të ndrydhte rritjen ekonomike.

Në deklaratën përmbyllëse, udhëheqësit e G-20 paralajmëruan se “ende mbeten përpara sfida serioze” në rimëkëmbjen ekonomike botërore. Ata thanë se rritja po ndodh por se rimëkëmbja është e pabarabartë dhe e brishtë dhe se papunësia në shumë vende mbetet në nivele të papranueshme. Ata thanë se për të siguruar rritjen, vendet duhet të zbatojnë planet ekzistuese të stimulimit dhe të punojnë për krijimin e kushteve për kërkesa të fuqishme private.

Grupi i Njëzetëshes, i cili përfshin fuqitë kryesore industriale në G-8 plus vendet në zhvillim me ekonomi të rëndësishme si Kina dhe India, kanë rënë dakord për një afat specifik për reduktimin e deficitit, ndërkohë që u kanë dhënë qeverive mundësinë për të ndryshuar shpejtësinë e përshtatshmërisë bazuar në situatat në të cilat ndodhen.

Një plan i nxitur nga vendi mikpritës Kanadaja u kërkon vendeve më të zhvilluara që të shkurtojnë deficitet buxhetore deri në vitin 2013. Ndërsa deri nga vitit 2016, qeveritë duhet të stabilizojnë ose të fillojnë të reduktojnë përqindjen e borxheve të tyre në bazë të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm, që është vlera e të gjitha të mirave dhe shërbimeve që realizohen brenda një vendi.

Kryeministri kanadez Stephen Harper, i cila tha në hapje të takimit se vendet po përshkojnë një rrip të ngushtë ekonomik, theksoi se deklarata e G-20 lë hapësirë për vazhdimin e masave stimuluese dhe hapave për të ulur deficitin.

Të gjithë udhëheqësit e pranojnë se konsolidimi fiskal nuk i jep fund gjithçkaje. Stimulimi afat-shkurtët do të vazhdojë ndërkohë që ne hartojmë një kornizë për rritje të fuqishme, të qëndrueshme dhe të balancuar.

Deklarata e quan rimëkëmbjen deri tani nga kriza globale ekonomike të pabarabartë dhe të brishtë, me papunësinë në nivel të papranueshme në shumë vende. Deklarata thotë se stimulimi i pashembullt fiskal dhe monetar i koordinuar globalisht po luan një rol madhor në ndihmë të rikthimit të kërkesës private dhe dhënies së huave.

Duke thënë se sfida serioze ende mbeten përpara, udhëheqësit e G-20 i pranojnë rreziqet e rimëkëmbjes nga rregullimet financiare në shumë ekonomi të rëndësishme. Por ata shtojnë se dështimi për të zbatuar konsolidimin fiskal, aty ku nevojitet, mund të pengojë besimin dhe vështirësojë rritjen.

Presidenti Barak Obama dhe zyrtarë të tjerë amerikanë argumentuan fuqishëm në takim kundër çdo ngadalësimi të hershëm të shpenzimeve stimuluese nga qeveritë, duke thënë se mund të sjellë një recesion të dytë global.

Në konferencën përfundimtare për shtypin, presidenti u pyet rreth papajtueshmërisë lidhur me këtë çështje. Ai tha se deklarata reflekton politikat të cilat Shtetet e Bashkuara kanë nxitur si dhe adreson një seri nevojash.

Duhet ta pranojmë se në çdo vend, rimëkëmbja është ende shumë e brishtë dhe se ne kemi ende shumë punë për të bërë që rimëkëmbja të jetë e qëndrueshme. Po ashtu, duhet ta pranojmë se nëse tregjet janë të frikësuara dhe nuk kanë besim se ne mund të trajtojmë problemet e deficiteve dhe borxheve të mesme dhe afatgjata, atëherë kjo po ashtu do të pengojë rimëkëmbjen.

Presidenti tha se deklarata tregon se vendet e G-20 mund të kapërcejnë dallimet e tyre dhe koordinojnë mënyrat e veprimit ndërkohë që vazhdojnë të përqendrohen në rritjen e qëndrueshme që hap vende pune dhe shton begatinë.

Deklarata e G-20 njeh shqetësimet amerikane, duke thënë se mbajtja e rimëkëmbjes ekonomike kërkon që vendet të çojnë deri në fund zbatimin e planeve të stimulimit, ndërkohë që punojnë për të krijuar kushtet për kërkesa të fuqishme private.

Përsa u përket çështjeve të tjera, vendet evropiane si Britania, Franca dhe Gjermania deshtuan të arrijnë një marrëveshje me G-20 për taksa të reja ndaj bankave si pjesë e përpjekjeve për të shkurajuar ndermarrjet e rrezikshme që mund të çojnë drejt një krize tjetër financiare. Deklerata ua lë ketë çështje vendeve për ta zbatuar sipas deshirës.

Lidhur me shqetësimet e vendeve të varfra, G-20 thotë se ngushtimi i hendekut të zhvillimit dhe reduktimi i varfërisë janë pjesë përbërëse të një objektivi më të gjerë për të patur rritje të qëndrueshme dhe të balancuar.

Në takimet e fundit dypalëshe gjatë takimit e vendeve të G-20, presidenti Obama u takua me presidentin indonezian Susilo Bambang Yudhoyono, kryeministrin indian Manmohan Singh dhe kryeministrin japonez Naoto Kan.

Presidenti Obama kthehet në Washington ku do të presë që Kongresi të japë miratimin përfundimtar ndaj legjislacionit që do të imponojë rregulla të reja gjithëpërfshirëse për sistemin financiar amerikan.

Udhëheqësit e G-20 thonë se presin me padurim takimin e radhës në Seul të Koresë së Jugut në muajin nëntor dhe vitin tjetër në Francë. Meksika merr drejtimin e G-20 në vitin 2012. /VoA/