Telegrafi

Udhëheqësit demokratë “mblidhen rreth Bidenit” – refuzojnë thirrjet për tërheqjen e tij nga kandidatura për president

Udhëheqësit demokratë u mblodhën të dielën për të mbështetur presidentin e SHBA-së, Joe Biden pas performancës së tij të dobët në debat javën e kaluar, pasi Shtëpia e Bardhë mohoi një raport që ai po takohej me familjen për të vlerësuar kandidaturën e tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, asnjë personazh i rëndësishëm partie nuk ka kërkuar që Biden të largohet, me demokratë të shquar, duke përfshirë presidentët e kaluar, Barack Obama dhe Bill Clinton, të cilët shprehën mbështetje të plotë mes një lumi dyshimesh nga amerikanët e zakonshëm – madje edhe një thirrje nga bordi New York Times që Biden “të lëshojë rrugë”.

Vala e mbështetjes së partisë pason performancën e 81-vjeçarit të enjten në debatin kundër kandidatit republikan Donald Trump, në të cilin Biden shpesh hezitonte dhe dukej i shpërqendrua, duke theksuar shqetësimet për moshën e tij.

Lexo po ashtu Biden do të takohet me familjen e tij mes presioneve për të dhënë dorëheqjen pas debatit

“Nuk ka të bëjë me performancën për sa i përket një debati, ka të bëjë me performancën në një presidencë”, tha përfaqësuesja Nancy Pelosi, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, për “State of the Union” të CNN të dielën.

“Në njërën anë të ekranit, ju keni integritet, në anën tjetër keni pandershmëri”, tha ajo, duke i bërë jehonë një numri figurash partiake që përpiqen të zhvendosin fokusin nga ajo që ata thonë se ishte “performanca e keqe e Bidenit në breshërinë e gënjeshtrave që vinin nga Donald Trump gjatë debatit”.

Ndërkohë, sipas një sondazhi të CBS News të kryer në dy ditët pas debatit, gati tre të katërtat e votuesve të regjistruar tani besojnë se Biden nuk duhet të kandidojë për president, duke përfshirë 46 për qind të demokratëve.

Biden dhe familja e tij udhëtuan për në kampin presidencial në Camp David të shtunën vonë, ku NBC News raportoi se ai pritej të vlerësonte të ardhmen e fushatës së tij të rizgjedhjes pas performancës së tij.

Lexo po ashtu Gazeta amerikane “The New York Times” i kërkon të tërhiqet nga gara presidenciale – vjen reagimi i ekipit të fushatës së Joe Biden

Zëvendës sekretari i lartë i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, megjithatë, postoi në X se udhëtimi ishte planifikuar që përpara debatit, duke vënë në dyshim publikimin.

Fushata e Biden ndërkohë ka raportuar se ka mbledhur 33 milionë dollarë që nga debati, duke përfshirë 26 milionë dollarë nga donatorët bazë.

Biden nuk duhet “absolutisht” të tërhiqet nga gara, tha senatori i Georgia, Raphael Warnock për “Meet the Press” të NBC-së të dielën.

“Është detyra jonë të sigurohemi që ai të kalojë vijën e finishit në nëntor. Jo për hir të tij, por për hir të vendit”. /Telegrafi/