Telegrafi

Udhëheqësi suprem i Iranit: Edhe një amerikan në Irak është i tepërt

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka thënë presidentit të Irakut Abdul Latif Rashid se prania e “madje edhe një amerikani në Irak është e tepërt”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të dy u takuan në Teheran të shtunën në vizitën e parë të Rashid në Iran si kreu i shtetit që nga zgjedhja e tij tetorin e kaluar.

Rashid zhvilloi gjithashtu takime me presidentin Ebrahim Raisi dhe kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.

“Amerikanët nuk janë miq të Irakut”, citohet të ketë thënë Khamenei nga faqja e tij zyrtare.

Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei (djathtas) takon Presidentin irakian Abdul Latif Rashid (në mes) dhe Presidentin iranian Ebrahim Raisi, në Teheran, Iran, 29 prill 2023.

Krahas theksit të tij për dëbimin e Shteteve të Bashkuara nga vendi fqinj, lideri suprem theksoi gjithashtu se Irani e konsideron përparimin e Irakut si një rëndësi të madhe për Iranin dhe tha se marrëveshjet dypalëshe të sigurisë dhe ekonomike që u nënshkruan muajin e kaluar duhet të zbatohen plotësisht.

Rashid u citua të ketë thënë se qeveria e tij do të përpiqet të thellojë lidhjet me Iranin dhe dëshiron të zgjidhë mosmarrëveshjet.

Ndryshe, në fund të nëntorit, kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani u bë zyrtari i parë i lartë nga administrata aktuale që vizitoi Teheranin, ai u takua gjithashtu me Khemenein dhe Raisin. /Telegrafi/