Telegrafi

Udha e Kosovës dhe e Serbisë ka nisur

Gazeta gjermane ”Frankurter Allgemeine Zeitung” në një artikull të së martës me titull ”Udha ka nisur” vëren se qeveritë e Serbisë dhe Kosovës kanë filluar të ecin në udhën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Një fakt, që është për t’u vlerësuar, thekson gazeta gjermane, sepse kjo do të bëjë që si shqiptarët e Kosovës ashtu edhe serbët të dalin nga qorrsokaku historiko-politik, transmeton DW.

BE-kumbari i marrëveshjes

Është e qartë edhe pse në kuptim figurativ se kumbar i kësaj marrëveshjeje është Bashkimi Evropian. Të dyja vendet kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pikërisht kjo perspektivë bëri që liderët e të dyja vendeve të jenë të gatshëm për kompromis, vëren ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Duke theksuar se tanimë mbetet që marrëveshja të bëhet realitet, gazeta gjermane përfundon me anomalinë që mbetet në Bashkimin Evropian në rastin e Kosovës. Do të duhej të fillonin bisedimet e asociimit me Kosovën, një vend që nuk njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfundon gazeta gjermane duke kërkuar ndryshimin e këtij qëndrimi në BE. /Telegrafi/