Site icon Telegrafi

Udha e bardhë në Beograd zoti Kryeministër!

Letër Kryeministrit tim!

Zoti Kryeministër, ju qoftë e bardhë udha në Beograd. Po ua them që në krye të këtyre radhëve, në këtë kakofoni zërash nga Tirana e Beogradi (por edhe fqinjët). Shkuarjen tuaj unë nuk e shoh si dobësi, por si forcë; jo si frikë, por si kryelartësi e ligjshme; jo si këmbëngulje e pavend, por si diplomaci aktive. E shoh edhe si mospranim i fajit (të pabërë) për ç’ka ndodhi në përballjen Serbi-Shqipëri dhe ngjarjet e dhunshme që e pasuan atë që nga Novi Sadi në Tuz. Veçmas, e shoh edhe si mbështetje për patriotët tanë në Luginën e Preshevës, më bonjakët e më të harruarit ndër shqiptarë.

Zoti Kryeministër, shkoni që t’ua kujtoni shtetarëve serbë atë që thoshte i ndjeri Arbën Xhaferi, por edhe ata që mendojnë bash si ai, se si “epika u bë histori dhe historia u kthye në mit në Serbi”. Arbëni me siguri nuk e kishte fjalën për të përkohshmit Vuçiq e Daçiq, e as për Nikoliqin, por për atë shpurë të jashtëzakonshme serbe që përfshinte akademike, ushtarakë e priftërinj që thurnin ëndrra të një Serbie të Madhe, e që sot e mot na kanë akuzuar ne shqiptarëve.

Zoti kryeministër, shkoni në Beograd dhe risilljuni në kujtesë, Ilia Garashaninin, ish-kryeministrin sllav që më 1844, në të njëjtën kohë që Greqia promovonte “Megaliidhenë”, shpallte famëkeqen “Naçertania” (programin e politikës së jashtme të principatës së Serbisë) sipas së cilës Serbia duhet të zinte vendin e Perandorisë Osmane në Ballkan. Në gadishullin e Garashaninit mbizotëronte e triumfonte veç pansllavizmi, panortodoksizmi dhe s’kishte vend për myslimanë – si shqiptarët dhe boshnjakët. U thoni shtetarëve në Beograd që edhe qëkur zihen shqiptarë e serbë, grekët bëjnë dasmë (po këta ç’të kenë vallë me nota proteste e të tjera si këto?).

U kujtoni vitet e tmerrit 1876-1878, kur nisi përzënia e parë masive e shqiptarëve në Nish, Kurshumli, Vranjë dhe pasojat e saj rrëqethëse. Zoti kryeministër, shkoni në Beograd, kapërcejeni një shekull, e u kujtoni “Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë”, jo në Mesjetë, por më 1986-n, që ngriti yllin e Millosheviqit e që si bazë teorike kishte zhvillimin e kujtesës së serbëve kundër shqiptarëve. U kujtoni 1990-n kur doli në pah “Programi Jugosllav i masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin e shpejtë të atyre që kanë ikur dhe ardhjen e gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”. U kujtoni se si sllavëve u takonte të hiqnin qafe shqiptarët.

Zoti kryeministër, shkoni në Beograd e pyetini se përse Kosovën e konsiderojnë Jerusalem? Për arsyen më të zbrazur, më bastarde të dëgjuar ndonjëherë, të shprehur para Fuqive të Mëdha dhe opinionit ndërkombëtar në dimrin e vitit 1913, se Kosova i takon Serbisë bazuar mbi “të drejtën morale të një populli më të qytetëruar”? U thoni shqip e bukur, zoti Kryeministër, se Jerusalem është ai që dashurohet, jo ai që luftohet më të gjitha mënyrat e mënyrat për ta zhdukur nga harta.

Zoti kryeministër, shkoni në Beograd, e u mësoni që tani që Kosova është e pavarësuar e është përnjëmend më mirë. Siç e thoshte një dokumentar i BBC-së në fillim të këtij viti, shqiptarë e serbë ulen e pinë rakinë e zierë në ndonjë manastir ortodoks nga priftërinjtë serbë. E shqiptari i mirë ia kthen nderin me një shishe verë. E kur i pyet sa shpesh ulen e pinë ata tok, ia gjegjin: ne jemi rritur në të njëjtin vend. Zoti kryeministër, shkoni e u rrëfeni sesi edhe do javë para ndeshjes Serbi-Shqipëri, shqiptarë, serbë, kroatë, boshnjake e ballkanas të tjerë pinë, kënduan e i ngritën shëndetin shoshoqit në Pogradec, të mbledhur me shkakun e stisur të një festivali filmi e kulinarie.

Shkoni në Beograd zoti Kryeministër dhe u jepni mend se bota po zhvillohet dhe ka ecur përpara, ndërsa Ballkani ka mbetur pas prej luftërave; që duhet të ndryshojmë mendësi, e jo të mendojmë për të kaluarën e errët. A ka tolerim më të madh se ky zoti Kryeministër? As i kemi vrarë, as i kemi prerë, as nuk duam t’i zhdukim nga harta; dhe përpos të gjithave zgjatim dorën e bashkëpunimit (gjë që duhej ta kishin bërë ata)!

Shkoni në Beograd zoti Kryeministër, dhe pa komplekse u thoni që shqiptarët janë një popull euforik, me ndjenja të forta emocionale, por tolerantë e paqtorë. Aq mirëbesues jemi, sa edhe sot e kësaj dite thërrasim të huajt për të na shkruar historinë. E si mund të pretendohet që një popull i tillë, që mund të akuzohet për përtaci, por kurrë për dhunë e barbari, të dëshirojë zhdukjen nga harta të kombeve të tjera?

Zoti kryeministër, shkoni në Beograd e u thoni shtetarëve serbë se edhe kur luten me përkushtim për mirëqenien e Serbisë a për shkatërrimin e shqiptarëve, lutjet ia drejtojnë Nënës Angelinë, bijës së Gjergj Arianit Komnenit, shqiptare me trup, gjak e traditë.

Zoti Kryeministër, si lutje të fundit, shkoni në Serbi e mos harroni të vizitoni Kalemegdanin, fortesën mahnitëse të Beogradit të vjetër. Në mes të saj ndodhet një tyrbe ku janë varrosur Damat Ali Pasha, vezir i Perandorisë Osmane dhe shqiptari Selim Pasha nga Tepelena (Tepedelenli Selim), një nga mbrojtësit më të zjarrtë të popullsisë serbe gjatë reprezaljeve të jeniçerëve ndaj popullsisë së Beogradit. Shkoni që ta rikujtojnë e ndofta pjesës më të shëndoshë të tyre u skuqet fytyra nga turpi për thirrjet raciste “mbytini, vritini të gjithë shqiptarët” dhe “vritini dhe masakrojini deri sa mos të mbetet më asnjë shqiptar”.

E bardhë ju qoftë udha zoti Kryeministër. E tillë është udha e paqes dhe bashkëjetesës që shqiptarët duan të ndërtojnë në Ballkan, dhe pa marrë miratimin e të përvuajturit e të përdhunuarit, paqe të shëndoshë nuk ka.

 

Exit mobile version