“Vraponi burra, nuk ka me pritë”! Gara e disa mediumeve shqip, sapo ka filluar. Një e fjalë e urtë popullore thotë: “Më mbaj kopilin, t’i them përpara”! Kështu njëmend UDB-ja po kryen punë të saj antishqiptare edhe pa investuar asnjë lek. Në këtë mënyrë, me vetëdije apo pa të, shumëkush po hynë në valle të UDB-së.
Shantazhi serb ndaj Kosovës nuk ka të ndalur. Shërbimi informativ serb me të gjitha formacionet e tija, përditë e më shumë po zgjeron fushatën antishqiptare. Shumëkush që është i prirë të besojë së UDB-ja, pas përfundimit të luftës në Kosovë ka humbur ndikimin, e ka gabim. Tashmë kur Kosova po mbush gjashtë vjet pavarësi, shantazhet e shërbimeve sekrete serbe ndaj vendit tonë vazhdojnë me të njëjtin intensitet.
Të informuarit mirë e dinë së si UDB-ashët serbë veprojnë në të gjitha fushat dhe në të gjitha vrimat e jetës, vetëm e vetëm për të destabilizuar Kosovën duke u përpjekur për diskreditimin e shtetit tonë në sytë e botës dhe të miqve, me synim për të bindur audiencën ndërkombëtare se shqiptarët vërtetë nuk janë popull shtetformues.
As vet “ vozhdi”, gjatë gjykimit në Hagë, nuk diskreditoi asnjë dëshmitar me qëllimin e vetëm të tij që të ruaj ata të cilët do t’i duhen nesër. Dëshmuan shumë individë, serbë e shqiptarë kundër Milosheviqit në Hagë, por nuk doli të komprometohet asnjëri nga ta, megjithëse është ditur se Vozhdi kishte shënime e dokumente të mjaftueshme për secilin.
Vozhdi edhe kur i mori në pyetje aty para Tribunalit shihej çartë se i kurseu me kujdes. Ai thjeshtë mendoi se do t’i duhen edhe më tutje. Kjo po shihet sot më mire se dje.
Këto ditë jemi dëshmitarë të zhvillimeve të reja dhe më të hovshme të propagandës serbe kundër shqiptarëve dhe çuditërisht UDB-ashët e përbetuar serbë, me intervista të imagjinuara, apo qofshin edhe reale, etiketojnë numër të madh figurash eminente të politikës aktuale shqiptare.
Ende pa u hapur asnjë dosje e vërtetë e shërbimit informativ serb, etiketimi i shqiptarëve filloi përmes gazetave e portaleve të ndryshme që botohen shqip në Kosovë. Të etiketosh këdo pa asnjë dokument a fakt real që ka çfarëdo peshe në Kosovë, nuk i bënë nder askujt. Kur lexon se si një UDB-ash serb, me emër e mbiemër etiketon pa asnjë argument, këdo që ai do, atëherë edhe vlera e këtyre intrigave del e zbehtë dhe pak kush mund t’i besojë, por në anën tjetër zhurma mediatike mbi këtë temë sa vjen e shtohet, dhe pikërisht ky edhe është pikësynim i UDB-së. Tash, më shumë se kurdoherë mund të dëgjohen biseda kuluaresh në pafundësi se si e paska ditur ai apo ky, se ai apo ky është UDB-ash.
Kurdisen afera e eksese nga më të ndryshmet, që në të shumtën e rasteve janë pjellë e shërbimeve informative serbe. Padyshim, në planin e kurdisjeve të ekseseve ndërnacionale dhe të intrigave më monstruoze kundër shqiptarëve, ne vend te pare qëndron Kisha Ortodokse Serbe. KOS-i nuk lëshon rast pa bekuar paraprakisht politikën e zyrtarëve të Beogradit.
KOS-in e ndjekin me konsekuencë UDB-ja (tash BIA), Shërbimi informativ ushtarak serb, grupet radikale ekstreme serbe si “Obraz” dhe “1389” e deri te “Crna ruka(”Dora e zeze”) e themeluar para Mbretërisë SKS. Në po këtë valle, gjithsesi paguhen edhe mjete financiare dhe kuadër nga pushtetarët e Beogradit pa as më të voglin dyshim. Kur investohen mjete materiale, padyshim se gjendet edhe hapësira për lansimin e një propagande të tillë.
Pasojat e aleancës së re serbo-sllave tashmë po shihen në të katër anët. Se çfarë kanë biseduar në Moskë krerët politik dhe klerikët serbë e rusë nuk duhet shumë mund për të pare efektin praktik te aleancës dhe reflektimin e saj në skenën ndërkombëtare. A do të këtë ndonjë dallim mes politikës serbe dhe asaj ruse karshi integrimeve evropiane, apo Brukseli do të bëhet I verbër karshi këtyre zhvillimeve, kjo mbetet të shihet.
Ukraina këto ditë pa me sytë e vet se ku arrin politika ruse dhe deri ku mund të infiltrohet ajo. Edhe lugatërimi i veprimit të UDB-së në Kosovë dhe rajon po shihet. Zhvillimet në Maqedoni janë veprim tepër i qartë i shërbimit sekret serb. Vendosja e monumentit të Car Dushanit në sheshin e Shkupit dhe ekseset e vazhdueshme ndëretnike në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë kanë ngjyrë dhe erë të veprimtarisë së UDB-së. Shtetet ish komuniste duhet të dëshmojnë në vepër se janë liruar apo jo tërësisht nga thundra ruse, apo do t’u duhen edhe shume vite të tjera për të pastruar se paku oborrin e tyre.
Kosova sot gjendet në një moment delikat veçanërisht në raport me shërbimet e shumta sekrete serbe, ndërsa vendit tonë padyshim do t’i duhet kohë për të krijuar hapësirë dhe kuadër të duhur veprimi të suksesshëm.
Në rend të parë, Kosova duhet të diktojë me kohë inskenimet e ndryshme të shërbimeve serbe, por edhe të përgatitet për ballafaqim afatgjatë me Serbinë në këtë plan. Së pari duhet të zbulohet rruga e depërtimit të mjeteve financiare që po investojnë shërbimet sekrete serbe për të destabilizuar Kosovën.
Një brez i terë njerëzish tanë janë dëshmitarë dhe e dinë mirë se si dhe deri ku pat depërtuar UDB-ja gjatë mandatit të Rankoviqit. Shqiptarëve ai pat arritur t’ua marr edhe bukën në sofër përmes të ashtuquajturit “vishak”, dhe në të shumtën e rasteve ketë aksion e kreu përmes shërbëtorëve shqiptarë. Shqiptarët e Kosovës u ballafaquan edhe me aksionin shtetëror serb për grumbullimin e armëve. Për një pushkë janë rrahur, torturuar e dënuar me burg së paku dhjetë shqiptar. Deri ne vitin 1987 nëpër duar të policisë (nënkupto UDB-së) kishin kaluar 578, 000 shqiptar (raport zyrtar i Rrahman Morinës në KQ të LKJ-së). Intrigat dhe shantazhet serbe i paguan me jetë shumë shqiptarë. Te gjithë atyre që sot në çfarëdo mënyre propagandojnë etiketime nga më të ulëtat, duket se nuk u shkon në mendje fare se një shënim i tillë gazete mund të bëhet lehtë shkas për vrasje ndërshqiptare.
Njëfarë UDB-ashi I Kroacisë me mbiemrin Perkoviq i cili këto dite u bë i njohur pasi u ekstradua në Gjermani për vepra kriminale, tronditi opinionin me deklarata paushall, pa asnjë fakt a dokument. Në këtë vijë edhe disa gazeta tona gjetën mundësi për të intervistuar një UDB-ash tjetër me mbiemrin Spasiq që prapë del se si nuk është ndonjë “peshk i madh” dhe të gjitha ato etiketime të tij dalin tepër të tejdukshme.
Intervista e këtij të fundit del si karrem të cilin mund ta gëlltisin shume njerëz tanë, karrem te cilin e ka hedhur Serbia, sa herë iu ka dashur. Me së keqi tingëllon fakti se Serbia në këtë periudhe nuk hap dosjet e bashkëpunëtorëve të vërtetë të UDB-së, por manipulon lehtë me auditorin tonë të cilin nuk është vështirë ta trazosh në çdo moment. Shtrohet pyetja se çka do të ndodhte nëse Serbia hap dosjet e vërteta. Shërbimi sekret serb e di mirë se sa lehtë mund të manipulojë auditorin e Kosovës pa fakte dhe kur vjen koha për publikimin e dosjeve të vërteta, atëherë ato nuk do të bëjnë ndonjë jehonë të madhe dhe nuk do të merren aq seriozisht pasi që paraprakisht konsumohet propaganda e realizuar për këtë qëllim.
Askush nuk është marr seriozisht me studimin e trazirave të vitit 2004 në Kosovë. Ka shumë gjurmë bindëse se Serbia ka pasur ndikim të madh në ato trazira dhe synimi i saj ishte kryekëput kthimi i Kosovës në pikën zero. Çka është më keq, shumë herë deri sot, shqiptarët nuk ia kanë dalë të lexojnë me kohë gjithë propagandën dhe veprimet e shërbimeve sekrete serbe e shumë herë janë bërë edhe vet pjesë e asaj propagande destabilizuese. Edhe rasti i të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës së fundit, dëshmon manipulimin e drejtpërdrejtë të UDB-së me mbetjet mortore.
Të hedhësh valle bashkë me propagandën e UDB-së nuk është as me pak as më shumë veç shërbim direkt për të, me vetëdije apo pa të (që është edhe me keq). Ky problem i cili është lansuar qartë vetëm për të destabilizuar Kosovën, tash për tash t’i mbetet në ndërgjegje secilit.