Në formë ceremoniale, gjenerata e tetëmbëdhjetë e të diplomuarve të UBT-së, i dhanë kuptim rrugëtimit të tyre akademik, që i përcolli me një përvojë unike dhe të papërsëritshme.
Kosova tashmë, ka mbi 1 mijë të diplomuar të rinj në UBT, profesionistë në secilën fushë, që do t’i shërbejnë vendit me njohuritë dhe aftësitë e përfituara përgjatë një rrugëtimi të gjatë dhe me sfida, rrugëtim i cili rezultoi që të ishte shumë i suksesshëm.
Në këtë ceremoni të mbajtur në formën online, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, iu drejtua studentëve i lumtur e krenar që kjo gjeneratë do të sjellë profesionistë të përkushtuar e të përgatitur, në saje të punës disavjeçare në UBT.
“Kjo ceremoni është si rezultat i një përkushtimi disavjeçar, për të studiuar, dhe për të ndërtuar një dije dhe një personalitet lideri në njërin prej profesioneve të zgjedhura nga ju, me qëllim të arritjes së një cilësie më të lartë jetësore për ju dhe shoqërinë tuaj. Nevoja për një lider profesional është kërkesë e përditshme kudo në botë, e po ashtu edhe këtu në Kosovë, ndaj edhe ne si UBT po mundohemi që t’iu ofrojmë juve të gjitha arritjet e fundit në shkencën e menaxhimit, biznesit, ekonomisë, në ekselencën biznesore, në teknologjinë më moderne, në robotikë, programim, dizajn, drejtësi, arkitekturë, marrëdhëniet ndërkombëtare e diplomaci”, ka thënë rektori Hajrizi.
Një nga studentet më të dalluara, Adonisa Musliu në emër të studentëve ka ndarë përvojat e tyre dhe sukseset që ata korrën përgjatë studimeve në UBT, duke falënderuar rektorin Hajrizi, profesorët, si dhe të gjithë stafin e UBT-së për kontributin, punën dhe angazhimin e secilit prej tyre për këto vite të paharrueshme studimi për ta.
“Sot jemi këtu të gjithë së bashku, studentë e profesorë, në një moment festiv, për të kurorëzuar rrugëtimin tonë akademik, një rrugëtim të bukur trevjeçar, me shumë punë e angazhim, me ditë të lodhshme e netë pa gjumë, por me shumë rezultate që para nesh hapin horizonte të reja. Në emrin tim dhe të studentëve të tjerë, falënderojmë UBT-në për gjithçka që ofroi për ne që ta finalizojmë me sukses këtë etapë të rëndësishme të jetës sonë”, ka thënë studentja Adonisa Musliu.
Për argëtimin dhe atmosferën e studentëve në këtë ceremoni virtuale të gradimit, u përkujdesën studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, Elit Hoti me këngën “Everything I wanted”, si dhe Ertiola Ademi me këngën “Hero”, të përcjellur në piano nga profesori Artan Hasani.
Duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë me pandeminë Covid-19, si dhe rëndësinë e këtij eventi për studentët, UBT organizoi këtë ceremoni në formën online, me studentët të cilët nga distanca edhe njëherë ripërsëritën premtimin se do i shërbejnë vendit dhe shkencës, si dhe do të kontribuojnë me përgjegjësi të lartë në zgjidhjen e problemeve të shoqërisë.