Kosova ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në garën botërore të robotikës që u mbajt në Athinë, duke u renditur si ekipi i parë nga rajoni.
Ekipi kosovar i përgatitur dhe udhëhequr nga UBT, FIRST Global Kosova, arriti të jetë në vendin e 65 nga 180 ekipe që morën pjesë, duke e kaluar me sukses Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Roboti i dizajnuar nga ekipi kosovar, nën udhëheqjen e mentores Elita Hajrizi, u vlerësua për performancën e tij të shkëlqyer. Ai ishte stabil, pa defekte dhe shumë produktiv, çka tregon për nivelin e lartë të aftësive dhe profesionalizmit të ekipit. Kjo përformancë e shkëlqyer është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të ekipit, që ka punuar me intensitet për të arritur këtë rezultat.
Mentorja Elita Hajrizi dhe anëtarja e ekipit, Harisa Haziri, u intervistuan nga televizioni grek, ERT News, ku theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë garë ndërkombëtare.
Ekipi i Kosovës ka fituar po ashtu dy çmime globale për promovimin e STEAM dhe Robotics: Njëri për Video Story Telling dhe çmimi i dytë për kontributin në Social Media.
Zyra përfaqësuese e Kosovës ishte e pranishme gjatë gjithë ngjarjes, duke marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe përfundimit të garës, duke e bërë të qartë angazhimin e Kosovës në promovimin e shkencës dhe teknologjisë.
Në përfundim të ngjarjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është takuar Presidenti i FIRST Global Challenge, Dean Kamen, të cilit i ka bërë një kërkesë zyrtare për të organizuar këtë garë në vendin tonë në të ardhmen, duke synuar që të inkurajojë dhe mbështesë më tej zhvillimin e talenteve në fushën e robotikës.
Ky hap do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të nxitur pasionin e të rinjve për teknologjinë dhe inovacionin.