Site icon Telegrafi

UBT sot filloi vitin e ri akademik 2020/2021

Sipas kalendarit akademik, sot, më 1 tetor 2020, qindra studentë të rinj dhe studentë aktual kanë filluar rrugëtimin akademik në UBT, të cilët të ardhmen e tyre profesionale ia besuan institucionit lider për cilësi në arsimin e lartë.

Në këtë vit akademik, duke pasur parasysh që shëndeti i studentëve është prioritet i UBT-së, institucioni do të zhvillojë mësimin e kombinuar, në mënyrë fizike dhe online.

Në urimin e tij, presidenti i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi ka potencuar që do të punohet pareshtur për përgatitjen e kuadrove të reja profesionale, të cilët do të ndihmojnë dhe ndikojnë në përparimin e Kosovës në të gjitha fushat, por edhe ta përfaqësojnë denjësisht shtetin tonë kudo që ka nevojë.

“Ne jemi përkushtuar që të ofrojmë të gjitha mundësitë dhe të ndjeni të barabartë me studentët ndërkombëtarë. Ofruam programe të shumta studimi, rreth 200 specializime, qindra bursa studimi në UBT, mundësuam që mësimi të zhvillohet edhe me teknologjinë e fjalës së fundit, përmes Realitetit Virtual dhe të Shtuar, ndërtuam mbi 100 laboratorë fizik të pajisur me mjetet më bashkëkohore në nivel botëror, krijuam mbi 20 mijë mësime virtuale. Duke ju falënderuar për besimin tuaj në institucionin tonë, me plot bindje ju them që ju jeni orientuar për vlera të mirëfillta akademike dhe të jetës. Ne do të përkujdesemi së bashku me mbi 1 mijë profesionistë që janë staf akademik për ngritjen profesionale, siç deri sot kanë bërë prindërit tuaj, andaj edhe jemi të vendosur që bashkë të mos ndalemi derisa ju të jeni gjenerata që do ta ndërtoni dhe zhvilloni Kosovën”, theksoi presidenti i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

Kjo javë do të jetë informuese dhe orientuese për studentët e rinj, teksa studentët aktual do të zhvillojnë procesin mësimor në përputhje me planin dhe programin e studimeve.

UBT edhe në këtë vit të ri akademik, do të vazhdojë të mbështesë studentët me metodat më të sofistikuara teknologjike në të gjitha fushat e studimit. Institucioni, sikurse edhe viteve tjera, do të përkujdeset me të gjitha kapacitetet që ka, që studentët të përfitojnë kompetenca të larta dhe të shndërrohen në profesionistët që ka nevojë jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe bota.

Viti paraprak akademik, ishte një vit jo i zakonshëm për shkak të pandemisë covid-19, por UBT e përmbylli suksesshëm duke aplikuar platformat teknologjike për mësim në distancë, duke përfshirë edhe atë Virtual Reality.

Exit mobile version