Institucioni privat i arsimit të lartë-UBT, ka thyer rekordin në raport me universitetet publike dhe institucionet e tjera private të arsimit të lartë në dhënien vullnetare të gjakut.
Në përfundim të aksionit, rreth orës 16:30, kanë dhuruar gjak 85 studentë, profesorë, punëtorë të administratës etj.
Këtë e ka konfirmuar vetë menaxherja për Marketing dhe Informim në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, Albana Gashi.
Ajo ka thënë se aksioni i këtillë organizohet një herë në vit, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
Por, sipas saj, nga të gjitha institucionet e këtij niveli të arsimit në Kosovë, UBT-ja ka dhënë numrin më të madh të dhuruesve vullnetarë të gjakut, thuhet në njoftimin e UBT-së.
“Përveç studentëve, kanë dhuruar gjak edhe profesorët, punëtorët e administratës dhe shërbyes të tjerë. Kjo është shumë me rëndësi. UBT-ja është bërë model për të gjithë në Kosovë”, ka thënë Gashi, për të treguar se edhe një vit më parë UBT-ja ka qenë e suksesshme, por sivjet interesimi ishte shumë më i madh.
Melanija Gjocaj, ndihmësmenaxhere e Albana Gashit, njëherësh edhe studente e nivelit Master në UBT, është shprehur krenare me përgjigjen e madhe të studentëve dhe profesorëve të UBT-së në këtë aksion humanitar.
“Pos aksionit, po më pëlqen shumë edhe interesimi aq i madh i studentëve dhe profesorëve. Aksioni tregon edhe mënyrën e organizimit të një institucioni të lartë arsimor, siç është UBT-ja”, ka thënë Gjocaj, teksa ka shtuar se me gjakun e dhënë mund të shpëtohen shumë jetë.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka përgëzuar të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, duke e vlerësuar këtë si një veprim të lartë njerëzor. /Telegrafi/