UBT është një ndër Institucionet me të suksesshme në vend për përfitimin nga projektet e Bashkimit Evropian. Këtë e dëshmon fakti se edhe në këtë vit UBT ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian në kuadër të Mobilitetetit, Ndërtimit të Kapaciteteve por edhe ne nivelin e partneriteteve strategjike.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, si dhe udhëheqësi i zyrës së projekteve në këtë universitet, po marrin pjesë në një konferencë të rëndësishme të Universitetit të Zagrebit, në Kroaci, si pjesë edhe e projektit e Erasmus +.
Rektori prof.dr Edmond Hajrizi thotë se pjesëmarrja është shumë e rëndësishme për faktin se UBT është pjesëmarrëse në projektin e Erasmus + (Capacity Buildings), i ashtuquajtur BESTSDI.
Gjithnjë sipas rektorit, në Konferencë po marrin pjesë 25 institucione partnere nga të gjitha vendet e Ballkani Perëndimor, si dhe nga Evropa.
“Projekti do të zgjasë 3 vjet dhe ka për qëllim të zhvillojë programe për edukim dhe trajnim në fushën e infrastrukturës gjeohapësinore”, theksoi rektori Hajrizi.
Në Konferencë u tha se në përgjithësi, suksesi i Institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë nuk është i kënaqshëm.
Rektori i UBT-së, njëherësh udhëheqës i Grupit të Ekspertëve për Reformat e Arsimit të lartë në Kosovë mendon se arsyet për këtë janë të shumta.
“Mungesa e kapaciteteve njerëzore, por edhe mungesa e përvojave në përgatitjen, aplikimin dhe menaxhimin e projekteve evropiane në Institucionet e Kosovës janë arsyet e ngecjes së Kosovës në reformimin e arsimit”, tha rektori, derisa ka shtuar institucionet që kanë përvojë, marrja e përgjegjësive për të koordinuar projektet do të kishte efekt me pozitiv.
Ai gjithashtu tha se ndërkombëtarizimi institucional, ndërlidhja apo harmonizimi e prioriteteve institucionale me ato nacionale, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në Kosovë mund të ndihmojë në rritjen e suksesit në projektet evropiane.