Kjo garë do të mbahet nga 3 deri më 6 maj 2011, në lokalet e UBT-së në Prishtinë. Organizimi i këtij aktiviteti shënon edhe një sukses të UBT-së, por njëkohësisht edhe të Republikës së Kosovës, që është shteti i vetëm në Evropën Juglindore ku organizohet, madje për të dytën herë, një aktivitet i karakterit shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.
Deri tash pjesëmarrjen në Garën Evropian të Robotëve që luajnë futboll e kanë konfirmuar disa ekipe nga shtetet evropiane, të njohura për aktivitete në fushën e robotëve që luajnë futboll.
Sikur edhe në kampionatin e kaluar, vendin tonë në këtë garë do ta përfaqësojë ekipi “UBT-Kosova”, i cili e ka përfaqësuar Kosovën edhe në kampionate të mëhershme evropiane, përfshirë të në Zvicër e Austri, ku ka shënuar suksese të dalluara.
Me këtë rast, organizatori ka paraparë të mbahet edhe një konferencë shkencore për robotik, ku pritet një numër i madh studiues ndërkombëtarë dhe vendorë t’i paraqesin punimet e tyre nga kjo fushë.
Në ceremoninë e hapjes dhe gjatë zhvillimeve janë të ftuar të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, profesorë e ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të kompanive të ndryshme, ata të biznesit, studentë e mysafirë të tjerë.
Garat Evropiane të Robotëve që luajnë futboll zhvillohen në objektin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë dhe mund të përcillen nga të gjithë të interesuarit. /Telegrafi/