UBT si lider i arsimit të lartë në Kosovë, tanimë do të ofrojë platformën e realitetit virtual për mësim online të gjithë nxënësve që ndjekin shkollat profesionale të profileve të ndryshme në Kosovë.
Kjo platformë është implementuar në kuadër të Qendrës për Realitet Virtual dhe të Shtuar në UBT, qendër kjo më madhja dhe vetmja në Ballkan, falë përmes të cilës, aktualisht në sistemin arsimor të Kosovës është instaluar sistemi arsimor i së ardhmes, i cili zbatohet në bashkëpunim mes UBT-së dhe kompanisë më të madhe botërore për teknologji virtuale, EON Reality.
Kjo u bë e ditur në një konferencë online të organizuar nga UBT dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), me ç’rast është prezantuar edhe platforma e realitetit virtual para drejtorëve komunalë të arsimit.
Prezantimin e platformës e bëri rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili tha se bashkë me gjigandin teknologjik EON Reality, synojnë që ti ofrojnë vendit teknologjinë e fjalës së fundit, në mënyrë që ta vendos Kosovën përkrahë shteteve më të zhvilluara të botës.
Sipas rektorit Hajrizi, UBT do ta ndajë këtë pjesë të teknologjisë me palët e interesit, në kuadër të iniciativës globale për mbështetje në kohën e pandemisë, teksa shtoi se zhvillimi i mësimit online përmes platformës së realitetit virtual do të ishte më interaktive dhe do t’u sillte përfitime.
“Është një platformë që krijon shumë mundësi të mira për të gjithë nxënësit duke i përdorur komponentët e ndryshme për realizimin e mësimit në distancë ku janë të përfshira të gjitha elementet. Qasja virtuale gjithashtu krijon mundësi që të bartim laboratorin në shtëpi dhe të mbështesim qasjen për një edukim të personalizuar i fokusuar te interesimi personal. Ne do të ofrojmë edhe trajnime për të gjithë mësimdhënësit lidhur me përdorimin e platformës për realitet virtual”, theksoi rektori Hajrizi.
Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional në MAShTI, Valbona Fetiu-Mjeku tha se zbatimi i kësaj platforme do të ishte në të mirë të nxënësve dhe mësimdhënësve, pasi që, siç tha ajo, nxënësit për shkak të pandemisë nuk po mund të ndjekin pjesën praktike.
Sipas saj mësimdhënësit nuk do të kenë vështirësi në zbatimin e kësaj platforme tejet inovative.
“Platforma e prezantuar dhe e ofruar nga UBT do të na mundësojë që një botë reale të shohim edhe nga shtëpitë sidomos për nxënësit dhe mësimdhënësit të cilët do të kyçen në këtë platformë dhe kjo do të sillte një përfitim shumë të madh”, tha Mjeku.
UBT është institucioni i parë arsimor në rajon që ka nisur mësimin online me këtë iniciativë të re, konkretisht duke integruar në mësimin në distancë edhe realitetin virtual dhe të shtuar. /Telegrafi/