UBT si institucion i arsimit të lartë në Kosovë, është duke u ofruar çdo ditë e më shumë studentëve dhe të rinjve një qasje moderne dhe multidisiplinare në më shumë se 150 fusha të ndryshme të jetës.
Krahas punës së përditshme të UBT-së për t’iu siguruar studentëve kushte moderne dhe studime cilësore, UBT vazhdimisht është duke punuar në hapjen e mundësive të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të studentëve edhe në arenën ndërkombëtare.
Kësisoj, UBT duke numëruar shumë partnerë nga institucione të ndryshme të arsimit dhe jo vetëm, nga e gjithë bota, viteve të fundit ka nënshkruar qindra marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë, marrëveshje këto që do të jenë në funksion të zhvillimit të studentëve dhe të rinjve të Kosovës.
Lidhur me këtë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se UBT angazhohet gjatë gjithë kohës që krahas studimeve cilësore, zhvillimeve inovative, e infrastrukturës moderne, studentëve t’ju mundësoj edhe përvoja ndërkombëtare përmes bashkëpunimeve me universitetet më prestigjioze të botës.
“UBT vazhdimisht ka punuar që studentëve t’ju ofrojë mundësi të ndryshme, krahas cilësisë, teknologjive të reja dhe kushteve infrastrukturore. Jemi përkushtuar maksimalisht që këtë ta bëjmë edhe me bashkëpunime ndërkombëtare, në mënyrë që studentëve tanë t’ju mundësojmë që të kenë mundësi studimi dhe punësimi përtej kufijve”, ka thënë rektori Hajrizi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia, Spanja, Portugalia, Kroacia, Polonia, Austria e Italia janë disa prej vendeve prej nga vijnë këto institucione të arsimit të lartë, e që studentëve të UBT-së ju ofrojnë kultura të reja, përvoja të ndryshme, si dhe mundësi unike për të marrë praktikat më të njohura ndërkombëtare në bashkëpunim me UBT-në, dhe për t’i sjellë në vendin ku ata janë lindur e rritur.
“Ajo që vlen të theksohet është fakti se shtetet prej nga kanë prejardhjen këto universitete e institucione janë vatra të edukimit dhe dijes, dhe ne kemi qenë të përkushtuar në përzgjedhjen e institucioneve serioze për bashkëpunim, pasi që besojmë se studentët tanë dhe të rinjtë e Kosovës meritojnë cilësi, edukim dhe zhvillim profesional, ndaj edhe ky ka qenë dhe vazhdon të mbetet prioriteti ynë më i madh”, ka theksuar rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Bashkëpunimet e tilla me institucione ndërkombëtare, studentëve të Kosovës u ofrojnë një dritare të re në rrugëtimin e tyre në karrierën profesionale, duke ua zgjeruar diapazonin e tyre të dijes, përmes profesorëve më eminent ndërkombëtarë, me theks të veçantë zhvillimin në hulumtim dhe kërkim, dhe UBT këtë e ka dëshmuar me zhvillimin e më shumë se 500 marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet dhe universitetet më me renome gjithandej globit.