Gjendja urbanistike në Prishtinë është reflektim i gjendjes së përgjithshme urbanistike në tërë Kosovën. Këtë konstatim e ka nxjerrë profesori i arkitekturës në UBT, dr. Binak Beqaj, sipas të cilit kur të kritikohet Prishtina duhet të merren parasysh krejt qytetet e Kosovës. Sipas tij, gjendja nuk është e mirë, por nuk është pa zgjidhje.
“Zgjidhja duhet të vijë me bashkërendimin e shumë faktorëve, duke i përfshirë qytetarët, institucionet, bizneset, akademinë, shoqërinë civile etj.”, ka thënë profesori Beqaj.
Beqaj ka botuar edhe libra në këtë fushë, duke sensibilizuar publikun e gjerë për problemet e përgjithshme urbanistike që ka Kosova.
Ai thekson se me planifikimin e mirë urban rregullohet dhe cilësia e jetesës së qytetarëve.
Gjithnjë sipas tij, Kosova ka mungesë të ekspertëve në këtë segment, si dhe ka edhe probleme të tjera që e dëmtojnë konsiderueshëm urbanizmin.
“Meqenëse Kosova ende nuk është konsoliduar si një shoqëri e zhvilluar, sfidat që e përballin atë janë korrupsioni, dezorganizimi i tregut dhe shumë elemente të tjera”, ka thënë Beqaj.
Duke folur konkretisht për komunën e Prishtinës, Beqaj ka thënë se fillimisht duhet të aprovohet Ligji për decentralizimin e Prishtinës, i cili sipas tij zgjidh shumë probleme urbanistike.
“Vizioni i planit urbanistik në Kosovë është drejt standardeve evropiane: me zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik, me infrastrukturë dhe me teknologji moderne, që respekton mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe kulturore të territorit të vet etj.”, ka përfunduar profesori Beqaj. /Telegrafi/