Site icon Telegrafi

UBT hapi Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri”

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është bërë hapja e Qendrës së Inovacionit Social, “Colibri”, që është themeluar si rezultat i bashkëpunimit mes UNICEF-it dhe UBT-së, aktivitet ky që u shënua me hapjen e Javës së Inovacionit, gjatë të cilës do të mbahen aktivitete të shumta, kryesisht të karakterit social.

Colibri do të jetë qendra e parë e karakterit të tillë në Kosovë, që do të merret me identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve sociale të shoqërisë kosovare, dhe në këtë mes, UBT do të ofrojë vazhdimisht kontribut dhe mbështetje për inovatorët e rinj dhe idetë inovative, që të zhvillohen nën ombrellën e kësaj qendre.

Me rastin e hapjes së Colibri-t, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se hapja e kësaj qendre është iniciativë unike dhe e rëndësishme për Kosovën, por edhe në aspektin global, sepse sipas tij, është në funksion të zgjidhjes së problemeve sociale.

“Colibri, si një ndërlidhje mes organizatave ndërkombëtare dhe akademisë, paraqet një koncept modern dhe unik, në atë mënyrë që të gjenerohen zgjidhje inovative, të bëhen transformime të bazuara në inovacion, për çështjet dhe problemet sociale që dëshirojmë t’ju qasemi dhe t’i zgjidhim në Kosovë dhe në regjion”, theksoi ai.

Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së, duke përfshirë edhe stafin akademik dhe studentët, për të ofruar ide për zgjidhjen e problemeve më të mëdha dhe më aktuale të shoqërisë, përfshirë ato në shëndetësi, në zhvillim ekonomik dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës.

“Kjo qendër nuk do të jetë një destinacion, por do të jetë një rrugëtim dhe synimi ynë është që të mbërrijmë sa më larg sepse nuk mjafton që të përfshihen vetëm elemente të kreativitetit dhe të ideve të reja, këto janë raste që kërkojnë një përmbajtje të thellë të dijes, hulumtimeve shkencore, akademike, testime të ndryshme dhe ndërlidhjes së dijeve”, vlerësoi Hajrizi.

Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, duke e vënë në pah faktin se, Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë, tha se ende ekziston hapësira për ofrimin e ndihmës dhe për përgatitjen e të rinjve për treg të punës.

“Përmes kësaj qendre, qëllimi ynë është që t’ua japim të rinjve mundësinë për të shfaqur potencialin e tyre të plotë si inovatorë socialë, sipërmarrës dhe agjentë të ndryshimeve sociale”, potencoi Co, teksa shtoi se ndjehet gjithmonë i lumtur kur ndodhet përreth njerëzve të rinj, duke qenë se, sipas tij, janë përplot energji, kapacitet dhe potencial.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj e vlerësoi lart hapjen e Colibri-t, teksa tregoi që, me qëllim të përkrahjes së ideve inovative dhe pas bashkëbisedimit me shumë të rinj kosovarë, është vendosur që të bëhet themelimi i një ministrie që do të merret veçanërisht me identifikimin dhe përkrahjen e inovatorëve të rinj.

“Roli i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është që t’ju hapë rrugë të gjithë njerëzve që kanë ide, por edhe të ofrojë përkrahje për ndërmarrësit që janë në proces të realizimit dhe pastaj të gjitha këto inovacione do të vihen në fokus të zhvillimit ekonomik dhe në fokus të efekteve ekonomike”, theksoi Beqaj.

Në fund, para pjesëmarrësve, studentët e UBT-së prezantuan punimet dhe projektet e tyre inovative, të cilat u shndërruan në produkte konkrete në laboratorët e sofistikuar të UBT-së, si dhe në fund, u vizituan objektet dhe hapësirat brenda kampusit të UBT-së, në Lipjan, përfshirë laboratorët, inkubatorët, bibliotekën, leximoret dhe sallat e ligjëratave.

Exit mobile version