UBT është ricertifikuar me standardin më të ri dhe më të njohurin në botë për menaxhimin e cilësisë, ISO 9001:2015, dhe me këtë bëhet institucioni i parë dhe i vetëm arsimor në Kosovë dhe rajon që e përmbushë një kriter të tillë.
Ky është treguesi më i qartë për nivelin e lartë të cilësisë që e posedon UBT tash e 17 vite.
Për të matur e verifikuar standardin e cilësisë, në UBT ka qëndruar për një javë auditori austriak, Wolfgang Fest, i cili pas matjeve dhe auditimeve të bëra, konstatoi se UBT i ka të përmbushura të gjitha kriteret që kërkohen nga standardi ISO 9001:2015, i cili që nga gushti do të jetë edhe i vetmi version.
Ky standard bazohet në një numër parimesh të menaxhimit të cilësisë, duke pasur në fokus të qartë marrësit e shërbimeve, motivimin dhe implikimin e menaxhmentit të lartë, qasjen e procesit dhe përmirësimin e vazhdueshëm, lidershipin, menaxhimin e dijes, menaxhimin e riskut, e shume kritereve të tjera në bazë të praktikave më të mira në botë.
Me plotësimin e këtij standardi, UBT vazhdon të mbetet model dhe shembull për institucionet e arsimit, bizneset dhe institucionet qeveritare, për menaxhim dhe organizim modern, duke ofruar cilësi konform vlerave dhe kritereve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.
E tërë kjo arritje dhe vlerësim ndëkombëtar më së miri dëshmohet edhe nga rezultatet e punësimit dhe zhvillimit të studentëve, alumnit dhe stafit, kështu duke dëshmuar tërë kohën që UBT është e studentëve dhe po ndihmon në zhvillimin e Kosovës.