Telegrafi

UBS i dorëzon 4.500 emra qeverisë amerikane

UBS-ja do t’i ofrojë kësaj të fundit emrat e 4.500 klientëve të saj amerikanë, të dyshuar për evazion fiskal dhe mashtrim. Sipas “Wall Street Journal”, nxjerrja e emrave mund të shënojë fundin e ruajtjes së sekretit të llogarive në bankat e Zvicrës, traditë kjo që daton prej mesjetës.

Në llogaritë bankare të këtyre klientëve ishin depozituar fonde që i kalonin 18 miliardë dollarët. Në një deklaratë të tij, gjiganti zviceran shpjegon se në marrëveshjen e vulosur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk parashikohet asnjë kërkesë pagese nga ana e bankës.

Ujdia e njohur ndryshe si marrëveshja e ndjekjes penale, parashikon penalizim të ekzekutiveve të bankës, nëse nuk identifikon klientët e dyshuar për shkelje. Ndonëse një pjesë e llogarive janë mbyllur, sipas paktit me autoritetet amerikane, banka duhet të japë të dhëna të shkruara periodike të tyre. /Telegrafi/tch/