Telegrafi

Uashingtoni bllokon prona ruse me vlerë qindra milionë dollarë

Autoritetet amerikane kanë ngrirë pronën ruse në SHBA, vlerë qindra miliona dollarë si pjesë e sanksioneve të vendosura në Moskë.

Kjo është bërë e ditur sot nga zëvendësministrja e Financave e SHBA-së, Sigal Mandelker, sipas së cilës veprimet e Ministrisë së Financave kanë pasur pasoja të mëdha për interesat financiare të personave fizikë dhe juridikë, ndaj të cilëve janë të vendosur sanksione, përfshirë edhe bllokimin e pasurisë ruse në vlerë qindra-milionë dollarë.

Ajo tha se Uashingtoni mund të shtojë sanksionet ekzistuese ekonomike kundër Moskës nëse nuk ndryshon ndjeshëm politikën e saj.

“Edhe pse veprimet shkatërruese të Rusisë janë duke vazhduar, ne besojmë se aventurizmi i saj është i kufizuar nga kuptimi se mund t’i shkaktojmë pak më shumë dhimbje ekonomike duke përdorur aparatin tonë të fortë shtetëror, gjë të cilën do ta bëjmë pa mëdyshje nëse sjelljet e saj nuk ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme”, theksoi Mandelker.

Ajo beson se sanksionet perëndimore dhe tensioni gjeopolitik shoqërues do të rrisin pasigurinë dhe do të ngadalësojnë investimet e brendshme dhe të jashtme private në Rusi.

Departamenti i Thesarit i SHBA tha se dy shtetas rusë, tre kompani ruse dhe gjashtë anije ruse ishin të listuara në veprimet amerikane.

Ministria theksoi se pasuria e biznesmenit rus Oleg Deripaska është përgjysmuar, dhe se biznesmeni rus Viktor Vekselberg ka humbur 3 miliardë dollarë.