Prodhuesi kinez i veturave elektrike synon që gjatë vitit 2023 të fillojë shitjen e veturave të tyre në Britani dhe vendet tjera ku timoni i veturave gjendet në anën e djathtë.
E themeluar si kompani në vitin 2017 nga Fu Qiang i cili ishte shef i shitjeve në Volvo dhe Gary Gu, kompania tani ka një fabrikë në Shangai me një kapacitet vjetor të prodhimit të 300,000 njësi.
Ajo gjithashtu ka edhe qendrën e tyre për studim dhe zhvillim dhe fabrikën e baterive.
Selia e kësaj kompanie në Evropë gjendet në Mynhen të Gjermanisë.
“Kemi parë një interes të konsiderueshëm në Britani, e gjithashtu edhe tek tregjet ku timoni i veturës gjendet në anën e djathtë në Azinë jug-lindore, duke përfshirë edhe Japoninë”, bëri të ditur për Auto Car Alex Close, shefi ekzekutiv i Aiways për tregun e jashtëm, transmeton Telegrafi.
Nëse plani realizohet, atëherë Aiways do të futet në tregun britanik me U5, një SUV elektrik, model i veturës që për herë të parë ka filluar të shitet nga viti 2018.
Është 4.7 metra i gjatë me një bazë të rrotave prej 2.8 metrave dhe me një bateri prej 63kWh për një distancë prej 402 kilometrash, duke e bërë rival të Skoda Enyaq iV. /Telegrafi/