Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur të enjten në unazën e madhe në Tiranë, aty ku një person përfundoi në spital pas përleshjes me sende të forta.
Policia bën të ditur se gjithçka nisi pasi dy vajza gërvishtën makinat në rrethrrotullim, ndërsa më pas 4 persona, të afërm të tyre janë përfshirë në një përleshje të dhunshme me sende të forta. Në vendngjarje u gjet edhe një pistoletë, e cila sipas policisë, i përket shtetasve F. D. dhe A. N.
Për këtë rast është vënë në pranga shtetasi F. D., 29 vjeç, banues në Krumë, gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasve A. N., 29 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. L., 24 vjeç, banues në Domje.
“Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. D., 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punojnë për kapjen e shtetasve A. N., 29 vjeç, banues në Tiranë, M. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. L., 24 vjeç, banues në Domje.
Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, shtetasi F. D., me shtetasin A. N., janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit M. B., dhe I. L.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve F. D. dhe A. N.
Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetastit F. D., shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia. /Telegrafi/