Memli Krasniqi është zgjedhur sot (e shtunë) kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi ishte i vetmi nga PDK-ja që ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, ndërsa do ta udhëheqë për dy vite, pasi dy vitet e para të mandatit të kryetarit i ka kryer Kadri Veseli.
Në procesin e votimit pjesëmarrës kanë qenë rreth 476 delegatë, nga të cilët 7 ishin kundër e një votë abstenim.
Përkundër pozitës së re dhe karrierës shumëvjeçare në politikë, Memli Krasniqi dikur ka qenë i përfshirë dhe shumë i përqendruar në muzikë.
Për shumë vite me radhë, ai ishte aktiv në tregun muzikor shqiptar dhe i pranishëm në projekte të ndryshme e më së shumti i njohur si pjesë e grupit hip-hop, “Ritmi i Rrugës”.
Krahas Memlit, në labelin e lartpërmendur ishin edhe Arbër Reçi e po ashtu edhe Besnik Qaka tanimë i NRG Band.
Grupi u formua në vitet ’90 dhe kanë lëshuar gjithsej 3 albume: “Bota është e jona”, “Obsesion” dhe “Përjetësisht”.
Ndërkohë, dy nga hitet më të mëdha të këtij grupi janë: “Ushtari i Rrugës” dhe “Përjetësisht”.
Edhe pse tani i mungon skenës, “Ritmi i Rrugës” do mbahen mend gjatë si ndër më të suksesshmit në historinë e hip-hopit shqiptar. /Telegrafi/