Novruz Cenalia është efektivi i “Shqiponjave” që u vra sot me armë zjarri teksa po shkonte në punë.
28-vjeçari u vra rreth orës 13:15 fshatin Baltëz, ndërsa Policia e Shtetit dhe RENEA po vijojnë aksionin për arrestimin e autorit të vrasjes, Azgan alias Asllan Mernica.
Vizion Plus njofton se viktima kishte pak kohë që ishte fejuar. Por ëndrrat e tij u prenë në mes, kur Azgan Mernica e qëlloi me plumb në kokë për vendin e makinës.
Efektivi i policisë u vra me armë zjarri pas një konflikti të çastit. Dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë sherri mes viktimës dhe autorit për një vend parkimi.
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 13:15 pranë Spitalit Memorial Fier dhe dyshohet se sherri mes efektivit të policisë dhe autorëve nisi për një vend parkimi.
Sipas uniformave blu, efektivi 28-vjeçar ishte i veshur me uniformën e Policisë, pasi po shkonte për të marrë shërbimin.
“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit. Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, njoftoi policia më herët.