Site icon Telegrafi

U vonua për raportim në Komisionin për Shëndetësi, opozita e kritikon ministrin Latifi për mungesë të përgjegjësisë

Opozita po kritikon ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për neglizhencë dhe mungesë të përgjegjësisë. Ky i fundit ka qenë i ftuar për raportim në Komisionin për Shëndetësi, por pas mbledhjes së Qeverisë, mbledhja është shtyrë për orën 11:00, por që ende nuk ka shkuar në mbledhjen e këtij komisioni.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku Mulhaxha ka kërkuar mendimin e anëtarëve, nëse do ta presin ministrin për raportim.

“Më së largu ministri do të jetë në orën 11:45. Çështja është që unë u sigurova që as ministri nuk e ka ditur për këtë mbledhje. Ju lë që të deklaroheni që a ta presim apo ta shtyjmë takimin”, pyeti Kollçaku-Mulhaxha.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se Mbledhja e Qeverisë nuk dështon për shkak të mungesës së ministrit Rifat Latifi.

“Ka bukur kohë që kemi bërë kërkesë që të takohet me ministrin rreth agjendës legjislative. Kjo sot çka po ndodhë sot, tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie, që nuk qan kokën për deputetë”, tha ai.

Edhe deputeti i LVV-së, Burim Meta ka kritikuar ministrin që ka qenë i ftuar për raportim.

“Nuk është hera e parë që ministri vonohen në takimet tona. Duke pas parasysh që në mbledhjet e qeverisë, ka kuorum, më së shumti që ministri është dashur të vonohet është ora 11:00. Ne jemi deputetë dhe kemi agjendat tona. Ministri do të duhej të vinte me bashkëpunëtorët e vet. Në të kundërtën mendoj se ky takim të shtyhet për një ditë tjetër”, ka thënë Meta.

Anëtarët e komisionit janë duke pritur, pas njoftimit se ministri Rifat Latifi shumë shpejt do të jetë për raportim në Komisionin për Shëndetësi. /Telegrafi/

Exit mobile version