Site icon Telegrafi

U vazhdohet paraburgimi pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit pesë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, ngjarja ka ndodhur në fund të muajit gusht kur 11-vjeçarja ishte në një park të kryeqytetit, ndërsa derisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.

Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë. Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari. Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Ky rast ka tronditur mbarë opinionin publik në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

Si rrjedhojë e kësaj ka pasur edhe dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve të lartë në institucione të sigurisë në Kosovë, si dhe e reagime ka pasur nga gjithë krerët e lartë të shtetit dhe ata opozitarë. /Telegrafi/

Exit mobile version