Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq lidhur me sulmin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Lajmin për vazhdimin e paraburgimin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlida Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më datë 28.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 muaj, për secilin”, tha Gashi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se Jovan Viqentijeviq, bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.
Dosja e Prokurorisë rezulton të jetë parashtruar më 2 dhjetor 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit Ibër-Lepenc, e cila përdoret për furnizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq (vëllanë e tij), me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit. /Telegrafi/