Site icon Telegrafi

U tha se do të largohet, konfirmohet qëndrimi i yllit të Arsenalit

Arsenal ka paralajmëruar qëndrimin e njërit prej yjeve të ekipit, i cili më herët raportohej se mund të largohet gjatë afatit kalimtar veror.

‘Topçinjtë’ kanë transferuar Riccardo Calafiorin këtë verë, pasi përfunduan në pozitën e dytë në Ligën Premier sezonin e kaluar.

Rikthimi i Jurrien Timber nga lëndimi i gjurit që e mbajti atë jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit debutues, do të thotë se Arsenali do të ketë shumë opsione në mbrojtje.

Kjo kishte bërë që tifozët të ngritnin pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e Oleksandr Zinchenko, roli i të cilit në ekip nuk është më aq i rëndësishëm si dikur.

Ukrainasi startoi në 20 ndeshje sezonin e kaluar, ndërsa në shumë raste Arteta preferonte Takehiro Tomiyasun dhe Jakub Kiwior para tij.

Përkundër kësaj, Arsenali duket se ka konfirmuar që e ardhmja e tij afatgjatë mbetet në ‘Emirates Stadium’.

Zinchenko ka ndryshuar numrin në fanellë nga 35 në 17, pasi ky numër mbeti i lirë me t’u larguar Cedric Soares.

“Numri 17 është një numër shumë i veçantë për mua. Ishte numri që e kam veshur si lojtar i ri dhe gjithmonë kam kërkuar ta mbajë numrin 17 kur luaja për kombëtaren”, ka thënë Zinchenko./Telegrafi/

Exit mobile version