Telegrafi

U solli dhjetë sponsor të rinj dhe fitime rekorde, PSG kërkon rinovimin e kontratës së Messit

Paris Saint-Germain thuhet se i është afruar argjentinasit Lionel Messit për një zgjatje të re të kontratës, pasi ai ka hyrë në vitin e fundit të marrëveshjes aktuale.

Sipas gazetës Marca, drejtuesit e PSG-së i janë afruar Messit për të negociuar një zgjatje të kontratës njëvjeçare, deri në verën e vitit 2024.

Në të kaluarën është raportuar në mënyrë të pasaktë nga disa anëtarë të mediave se ka një klauzolë në kontratën e tij aktuale, që lejon të dyja palët të zgjasin marrëdhëniet mes tyre, por kjo është e rreme.

Legjenda e Barcelonës, Messi nuk është paraqitur ende me një ofertë zyrtare për kontratë, por klubi po tregon gatishmërinë e tij për ta realizuar atë.

Ideja e Messit është të presë deri pas Kupës së Botës “Katar 2022”, e cila do të luhet në fund të vitit. Më pas ai do të marrë pak kohë për të analizuar të ardhmen e tij.

Përveçse nga suksesi në fushë dhe prania e tij, motivimi i PSG-së drejtohet po aq edhe nga suksesi jashtë fushës i Messit.

Ky ishte viti më fitimprurës i presidentit të PSG-së, Nasser al Khelaifi që kur mori drejtimin e skuadrës franceze.

Al-Khelaifi thuhet se grumbulloi 700 milionë dollarë fitime, një numër që nuk ishte parë kurrë para ardhjes së argjentinasit në Parc des Princes.

Messi gjithashtu solli shumë dhjetë marrëveshje të reja sponsorizimi, duke nxitur një rritje prej 13% në rrjedhën e të ardhurave për kampionët e Ligue 1.

Dior, GOAT, Gorilla, Crypto.com, Autohero, Smart Good Things, Volt, Big Cola, Sports Ëater dhe PlayBetR janë emrat e kompanive të reja sponsorizuese.

Sporti është gjëja e parë në dëshirën e klubit për ta rinovuar kontratën e argjentinasit, por fakti është se, çmenduria për një fanellë të Messit në Paris është ekzagjeruar.

Sipas burimeve të klubit, 60 për qind e fanellave të shitura sezonin e kaluar ishin të Leos, shumë më tepër se ato të Mbappes. Në periudha të caktuara të vitit ishte e pamundur të blije fanellën e zakonshme me emrin e Leos në shpinë. /Telegrafi/